Lufta speciale e Edi Ramës kundër gjykatës speciale / Fushata e tij, kërcënim për të ardhmen e Kosovës

Aktuale

Lufta speciale e Edi Ramës kundër gjykatës speciale / Fushata e tij, kërcënim për të ardhmen e Kosovës

Nga: Idriz Morina Më: 29 qershor 2022 Në ora: 18:16
Edi Rama me përzemërsi në shërbim të Lavrovit! E tani po hiqet si patriot!

A po bëhet fushatë kundër gjykatës speciale dhe nga ku buron kjo!?

Kryetarja e Dhomave të Specializuara Ekaterina Trëndafilova, e cila duhej të vinte në Kosovë me 4 korrik, për të mbajtur një takim me ojq dhe media, e ka anuluar.

“Meqenëse shumica e pjesëmarrësve, për shkak të periudhës së verës, preferojnë që të marrin pjesë në takimin me kryetaren e DHSK-së përmes platformës Zoom, veprimtaria për komunikim dhe ndërgjegjësim më 4 korrik do të zhvillohet tërësisht online. Kryetarja do të udhëtojë në Kosovë dhe do të zhvillojë veprimtari të komunikimit dhe ndërgjegjësimit pas periudhës së verës”, thuhet në njoftim.

Por, çështja është se a është kështu e vërteta apo ka shkaqe të tjera se përse u vendos të shtyhet vizita e saj në Kosovë.

Image
Hashim Thaçi duke koketuar me diktatiorin Putin, ky ia shpjegon me detaje...

Pelegrinazh, matrapaz e viktima bashkë

Ka disa javë që thuajse burgu i Hagës është kthyer në një vend ‘peligrinazhi’. Atje po i vizitojnë bashkë me politikanët, partnerët, vartësit edhe viktimat e tyre, të mbijetuara.

Përveç ish-këshilltarëve të Thaçit e Veselit, deputetëve dhe drejtuesve të PDK-së, atje ishte edhe kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, më pas një grup deputetësh të tjerë, përfshirë të pakicave, mbase me pretendimin për të evidentuar ‘shkelje substanciale’ nga Dhomat e Specializuara. Në mes të këtij vlugu vizitash, para se të vinte në Kosovë, njeriu i cili po mistifikohet dhe vetmistifikohet se ka fuqi politike, ishte Edi Rama në Hagë, për të parë dhe marrë e dhënë mesazhe nga Hashim Thaçi.

Pas pak ditësh, pasi me gjasë i dekoduan apo i bashkëpërpiluan ato, në linjën Tiranë-Beograd, i sollën ato në Prishtinë, fillimisht duke zbarkuar në fshatin periferik të Drenicës në Burojë, vendlindjen e Thaçit.

Pasi armët për ndarje të Kosovës i janë thyer Serbisë në Hagë, ajo duket se është penduar që ka qenë një nga akterët kryesor që të krijohej një gjykatë si ajo në Hagë. Serbia dhe Rusia duket se kanë llogaritur ta instrumentalizojnë atë për nevojat e veta, dhe nëpërmjet saj ta shantazhojnë shtetin e Kosovës!

Image
Edi Rama me Lavrovin kudo, ndërsa ai dhe Putini, i bënin planet e fundit për pushtimin e Ukrainës

Të fusin fillimisht atje, individ dhe struktura të tjera, dhe në fund, vetëm nëse Thaçi s’do ta përfundonte punën (projektin) të mund të arrestohej.

Por, institucione serioze, dhe personalitete të drejtësisë që i nënshtrohen mentalitetit anglo-sakson, por edhe gjerman, nuk mund ta toleronin zhvillimin e mëtejshëm të këtij skenari e projekti.
Kështu që ai u dogj, duke arrestuar kokat udhëheqëse të krimit të organizuar, mbështetësit e projekteve antishqiptare, si ai për copëtimin e Kosovës, me shpresë të këmbimit me lirin personale të Thaçit dhe të ndonjë tjetri.

Çështja është se si u bë që vetëm tani Edi Rama e mësoi se ishte fjala për një grackë ruse. Si u bë që nuk e dinte më 2013, 2014, e 2015, por vetëm tash e kuptoi, pas shtatë viteve e më shumë!

Si nuk e kuptoi Thaçi nga takimi me autokratin Putinin, apo Rama nga sa e sa takime me dorën e djathtë të Putinit, Lavrovin!

A është ky një kryeministër që si kupton gjërat apo çfarë ka ndodhur me të!?

Nëse është një kryeministër që si kupton gjërat, atëherë ka vite që nuk e meriton atë pozitë, gjë që vërtetë nuk e meritonte asnjë mandat.

Po ashtu ai edhe nëse nuk e dinte mund të informohej aso kohe, pasi mediat e Kosovës ishin të përmbytura nga shkrimet kundër Dik Martit dhe akuzave të pretenduara nga ai. Të gjithë ishim kundër Dik Martit!

Image
Putini me Hashim Thaçin, ky i rrinte pip atij, frikë apo besnikëri!?

Por, akuzat apo pretendimet e tij janë rrëzuar nga ish-prokurori amerikan, Uilliamson! Ai tha se nga hetimet paraprake rezulton se nuk ka prova për trafikim të organeve apo për ekzistencën e një qendreje, “Shtëpinë e verdhë”, si ishte pretenduar.

Por, krimet tjera mbetet që të hetohen! Pra, Amerika, përkatësisht hetuesit amerikan me kohë e kanë rrëzuar pretendimin e Dik Martit.

Prandaj, klithmat e Ramës, janë të stërvonuara dhe gënjeshtra, sepse ai hetim është mbyllur.

“Bota duhet ta dëgjojë, sponsorët e atij tribunali duhet të dëgjojnë, ai tribunal është projektuar për t’i dhënë përgjigje akuzave të ngritura nga Dick Marty, nuk ka asgjë të vërtetë në atë aktakuzë, dhe kemi të gjithë të drejtën që këtu janë duar aspak dashamirëse me Kosovën, aspak dashamirëse me shqiptarët, që e kanë nxitur këtë raport”, ka deklaruar Rama gjatë vizitës në Prishtinë.

Këto deklarata kanë pasur kuptim, sikur t’i bënte me Thaçin, para 2015-ës dhe të paktën para se të bëheshin aleat me Vuçiqin për ndarjen e Kosovës.

Pra, ata ishin në anën e gabuar të historisë dhe po bënin lobim të gabuar, me njeriun e gabuar!

Atëherë çka e shqetëson Ramën!?

Rama shqetësohet se me gjithë burimet e shumta financiare, investimet e tyre i kishin drejtuar me shumë gjasë në adresa të gabuara.

Pasuri, përkatësisht burimet të shumta të vëna në dispozicion nga shërbimet serbe dhe ruse, u përpoqën që të gjenin mbështetje në SHBA për ta ndarë Kosovën. Ky projekt i tyre gjeti mbështetje të madhe në Kosovë, të paktën nga vitit 2017, ndonëse Serbia e mbante gjallë si projekt që nga pas lufta.

Shqiptarët, që mbështesnin Thaçin dhe Ramën, lobuan fuqishëm për atë rrjedhë ngjarjesh, madje duke u munduar ta paraqesin veten e tyre si faktorë dhe njerëz me ndikim. Projekti i gabuar, dhe paraqitja e tyre si njerëz me ndikim para qarqeve dhe strukturave perëndimore vërtetë me ndikim, krijoi irritim, dhe përpjekjet e tyre për servilosje po dështonin.

Hashim Thaçi përpjekjet i tij i intensifikoi në vitin 2019, kur tashmë gjykata speciale ishte në kulmin e saj të hetimeve dhe me shumë gjasë ajo po zvarritej të fillonte funksionimin pikërisht nga njerëz me ndikim dhe mbështetës të Thaçit.

Por, kur ai përfundimisht po besonte se mund ta rrëzonte gjykatën në vitin 2020, pas përpjekjeve të dështuara puçiste me AAK-në, që ta rrëzonte në dhjetorin e vitit 2017 dhe në janarin e vitit 2018, rrugëtimi i projektit për ‘korrigjim kufijsh’, u zhbë.

Por, Thaçi kësaj here (2020) nuk u lejua ta kalonte as Atlantikun, dhe pas pak ditësh iu shpall aktakuza, përkatësisht u bë e ditur ekzistenca e saj nga Dhoma e Prokurorisë Speciale, e cila u përmbyllë me 5 nëntor 2020, kur ai u arrestua, pa e dorëzuar detyrën presidenciale në mënyrë të rregullt.

Image
Rama me Lavrovin sërish

Duar ruse apo serbe?!

Pra, për rreth 6 vite, Edi Rama dhe Hashim Thaçi, kanë koketuar bashkë, e kanë pranuar krijimin e gjykatës speciale dhe kryerjen e hetimeve prej saj edhe në Shqipëri, dhe papritmas Rama, kërkon që ta shembë gjykatën, 19 muaj pas arrestimit të Thaçit.

Pse qenkan duar ruse, ndërsa Raporti i Dik Martit nuk ka kaluar.

Edi Rama duhet ta dijë se më shumë se kushdo tjetër janë të interesuar, shqiptarët që të kryhen hetime të plota dhe gjykime për rastet e vrasjeve politike, që nuk janë të pakta, por së paku e kalojnë numrin 100.

E keqja e tërë kësaj është se Edi Rama e ka marrë përsipër, që të reagojë si Qeveri, në Presidencën Biden, në qeverinë britanike tek kryeministri Johnson, tek kancelari gjerman Sholc, tek presidenti francez Makron etj.

“Ka një pyetje që ne si qeveri, do bëjmë çmos që ta vendosim përballë të gjithëve, që nga Biden te Johnson, te Scholz, te të gjithë tjerët me radhe duke përfshirë Macron. Unë nuk jam i dhënë pas teorive të konspiracionit dhe nuk kam qellim që këtë tepri ta kthejë në demarsh shtetëror, por këto janë të rënda dhe sa na takon ne si shqiptar, për ta merituar ne duhet të mos e pranojmë absolutisht këtë thashë me ata që janë në Hagë dhe UÇK”, ka deklaruar Rama, një dekadë i vonuar, tamam si Sanço Panço, pasi “Don Kishoti” shkoi në burg.

Atëherë nisur nga këto premisa, Rama, që së bashku me Thaçin takoheshin pa pardon me krerët e shtetit rus, po kundërmon se këta kishin një aleancë të fshehtë, dhe shpresat i kishin varur si plan A tek ndarja e Kosovës, dhe nëpërmjet saj, shpartallimin e gjykatës speciale, dhe si plan B, te fryma e kaosit që mund të krijonte Putini me invazionin rus në Ukrainë, dhe të projektuar përtej saj.

Por, dështimi i Putinit po i zgjon me vonesë të rreshtuarit kundër ekzistencës së shtetit të Kosovës.

Këto përpjekje publike të Ramës, në shumicën e çështjeve po e dëmtojnë Kosovën.

Pikërisht kur barra dhe trysnia perëndimore është rritur mbi institucionet e Kosovës për t’i bërë lëshime Serbisë, ky e krijon edhe një barrë dhe akuzë mbi Kosovën, që ka një partneritet latent Shqipëri-Kosovë për zhbërjen e gjykatës speciale. Pra, sërish synon të krijojë predispozita për zhbërjen e shtetit të Kosovës, ende pa u mëkëmbur si duhet!

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat