​AAK me rezolutë për krizën ekonomike-sociale

Aktuale

​AAK me rezolutë për krizën ekonomike-sociale

Më: 29 qershor 2022 Në ora: 18:35
Foto ilustrim

Këshilli i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka miratuar sot një rezolutë për krizën ekonomike-sociale në vend përmes së cilës i kërkohet nga Qeveria Kurti të ndërmarrë gjashtë masa për tejkalimin e gjendjes.

AAK kujton se situata ekonomike sociale në Kosovë, është ndër më të rëndat që prej vitit 2000, ku inflacioni ka mbërritur nivele shqetësuese, me çmimet e rritura mbi 30 për qind, teksa Qeveria ka dështuar me masat e saj për zbutjen e kësaj situate.

Në një situatë të tillë, AAK kërkon që për një periudhë tremujore, të hiqen të gjitha taksat për artikujt esencial, siç janë buka, mielli, vaji, sheqeri, produktet e qumështit, të mishit e kështu me radhë.

Për një periudhë tremujore të përgjysmohen taksat e shitjes së karburanteve: naftës, benzinës dhe gazit.

Qeveria ta ridraftojë Ligjin për Pagën Minimale, ku shuma prej 250 eurove të ngritet në 350 dhe në këtë Ligj të përfshihen edhe veteranët.

Kuvendi i Kosovës, para se të shkojë në pushimet e verës më 15 gusht të këtij viti, ta miratojë Ligjin e Pagave dhe të fillojë zbatimi i tij i menjëhershëm.

AAK gjithashtu kërkon të rikthehet dhe të miratohet Projektligji për tërheqjen e mjeteve të Trustit, si dhe të rishikohen kontratat për kryerjen e punimeve të ndryshme, që janë lidhur në vitin 2019, 2020 dhe 2021 dhe të harmonizohen në përputhje me rritjen e çmimeve. 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat