​Hoxha: Lëvizja Vetëvendosje po ia ndal frymën Universitetit të Prishtinës

Aktuale

​Hoxha: Lëvizja Vetëvendosje po ia ndal frymën Universitetit të Prishtinës

Më: 30 qershor 2022 Në ora: 11:10
Eliza Hoxha

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha ka akuzuar partinë në pushtet për ndikim në zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues të UP-së. Ajo ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje po tenton të ndal frymën e universitetit. Mes tjerash, ka kujtuar edhe parullat e dikurshme të LVV-së, të cilat siç tha ajo, janë shkelur prej ardhjes në pushtet.

Në seancë plenare, deputetja Eliza Hoxha tha se këshilli drejtues i Universitetit të Prishtinës përbëhet nga anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, për çka nuk ka mbetur shpresë se do të ketë vendimmarrje autonome.

Hoxha: Kjo përplaset me etikën akademike dhe integritetin e shumë kandidatëve
 

“Kjo çfarë ka ndodhur me këtë proces, në mënyrë kaq brutale përplaset edhe me etikën akademike dhe integritetin e shumë kandidateve dhe kandidatëve që do të duhej të ishin në krye të UP-së. Duke i zëvendësuar ata me militantë partiak të LVV-së, ideja është që të rris ndikimin përkohësisht, por universitetit t’ia ndalë frymën edhe më shumë dhe më gjatë”, ka theksuar ajo.

Në seancën plenare, Hoxha shtoi se partia në pushtet ka premtuar ndaljen e degradimit.

Hoxha: Këta kanë shkelur parullën e famshme ‘jo pushtet-universitet’

"Ndërhyrjet e Vetëvendosjes në autonominë dhe rrjedhën normale të Universitetit të Prishtinës, për vite me radhë kanë qenë sistematike. E kujtojmë të gjithë protestën e vitit 2014 kundër rektoratit dhe stafit drejtues të UP-së. Sërish kanë vazhduar në vitin 2017 kundër tjerave strukturave drejtuese të UP-së. Pikërisht këta janë ata që e kanë shpikur parullën e famshme “jo pushtet-universitet”. Sot, kemi ardhur në situatën që Vetëvendosje të mos protestojë më për zhvillimet që ndodhin brenda Universitetit të Prishtinës, siç ishte rasti me zgjedhjen e pesë anëtarëve të këshillit drejtues të UP-së”, ka shtuar ajo.

Kritika ka pasur edhe për mos përzgjedhjen e asnjë gruaje në Këshillin Drejtues të universitetit. Hoxha ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka shkelur mbi parullat dhe kanë shkundur edhe kuadrot.

Hoxha: Protagonistët e asaj përzgjedhje janë militantë të Lëvizjes Vetëvendosje
 

“Protagonistët e asaj përzgjedhje nga senati ku bëjnë pjesë edhe studentët dhe militantët e Lëvizjes Vetëvendosje, është e një niveli për të mos thënë skandaloz, së paku spekulativ në kuptimin gjithëpërfshirës, në kuptimin etik, integritetit dhe në kuptimin e cilësisë. Fakti që këta nuk protestojnë e nuk e thanë asnjë fjalë të vetme qëndron një klauzolë të thjeshtë “krejt dhe drejt”. Në mënyrë që pushteti dhe universiteti të mos jenë më kategori të ndara, por të unisuara nën petkun e Lëvizjes Vetëvendosje”, ka përfunduar deputetja e PDK-së.

Më tej, ajo ka shtuar se Lëvizja Vetëvendosje ka fyer rëndë të gjithë profesorët që kanë pasur besim në të ardhmen e Universitetit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat