​Dështon rezoluta e LDK-së për ngritjen e çmimeve të produkteve

Aktuale

​Dështon rezoluta e LDK-së për ngritjen e çmimeve të produkteve

Më: 30 qershor 2022 Në ora: 18:13
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar rezolutën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për ngritjen e çmimeve të produkteve.

Pro miratimit të rezolutës, votuan vetëm 24 deputetë opozitarë, ndërsa kundër ishin 47 deputetët e mazhorancës.

Para se të vihej në votim, pushteti dhe opozita u përplasën ashpër edhe për inicimin e një rezolute të re nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila tha se rezoluta e tyre përmban kërkesa konkrete për Qeverinë e Kosovës.

Kusari-Lila: Rezoluta kërkon veprime konkrete nga Qeveria

“Rezoluta e GP të Lëvizjes Vetëvendosje kërkon nga Qeveria e Kosovës që të ndërmerren veprime të menjëhershme dhe masa të jashtëzakonshme për të adresuar rritjen e inflacionit dhe ndikimin e tij në çmimet e produkteve bazë. Si dhe përmes instrumenteve monitoruese të ndalë përpjekjet për shfrytëzimin e kësaj situate nga abuzuesit”, tha ajo.

Mirëpo, kritik u shpreh shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Gashi: Çfarë logjike ka pushteti të propozojë rezoluta

“Tash momentet e fundit kuptojmë se partia në pushtet ka propozuar një rezolutë. Çfarë logjike ka pushteti të propozojë rezoluta, pushteti merr vendim, bën veprime, propozon ligje? Çka është kjo - pushteti të propozojë rezoluta?...Kjo sjellje është tendencioze me qëllim të kapjes së vendimmarrjes në këtë kuvend, por gabim e keni”, tha ai.

Pas dështimit të miratimit të rezolutës, opozita lëshoi sallën, ndërsa kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca mbylli punimet duke thënë se seanca plenare do të vazhdojë nesër, në orën 10:00.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat