BE: Kosova ka të drejtë t’i heqë targat “KM”

Aktuale

BE: Kosova ka të drejtë t’i heqë targat “KM”

Më: 1 korrik 2022 Në ora: 09:50
Në pikëkalimin kufitar të Merdares në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, shoferët vendosin stikera në targat e veturave të tyre. 22 prill 2022.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për çështje të politikës së jashtme dhe sigurisë, Peter Stano, tha se BE-ja ka qenë e njoftuar, por jo edhe e konsultuar nga autoritetet e Kosovës për planet për reciprocitet mbi targat e veturave që lëshojnë autoritetet e Serbisë në Kosovë.

Megjithatë, shtoi ai, Kosova ka të drejtë të marrë një vendim të tillë.

Sipas marrëveshjeve nga dialogu për lirinë e lëvizjes - nga viti 2011 dhe 2016 - Kosova ka të drejtë t’i heqë nga përdorimi targat KM. Por, është e rëndësishme që të jepet kohë e mjaftueshme për implementimin e këtij plani dhe që ai të përgatitet dhe zbatohet në konsultim të afërt me qytetarët dhe në përputhje me praktikat e mira evropiane”, tha Stano.

Më 29 qershor, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për mundësinë e riregjistrimit të veturave me targat e qyteteve në Kosovë - të cilat i lëshojnë autoritetet e Serbisë - në RKS (Republika e Kosovës).

Bëhet fjalë për veturat me targat PR (Prishtinë), KM (Mitrovicë e Kosovës) GL (Gjilan), PZ (Prizren) e kështu me radhë.

Sipas vendimit, riregjistrimi i këtyre veturave do të fillojë më 1 gusht dhe do të zgjasë deri më 30 shtator.

Qeveria, po ashtu, ka miratuar udhëzimin për kalimin e pikave kufitare me dokumente personale, sipas të cilit, të gjithë personat që kanë dokumente të lëshuara nga autoritetet e Serbisë, me të hyrë në territorin e Kosovës, do të duhet të pajisen me një certifikatë që i zëvendëson ato dokumente.

Këto vendime kanë shkaktuar reagime të ashpra në Beograd. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se zyrtarët kosovarë po përgatisin “persekutimin” e popullatës serbe, por nuk ka paraqitur asnjë provë për këtë pretendim.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka qenë në Beograd në ditën kur Qeveria e Kosovës ka marrë vendimet.

Ai ka vlerësuar se në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë është krijuar një “situatë e re”, e cila ka ndryshuar “planet dhe temat” e vizitës së tij./REL

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat