Rama mbron Kosovën për në NATO

Aktuale

Rama mbron Kosovën për në NATO

Më: 1 korrik 2022 Në ora: 16:30
Foto ilustrim

Kryeminisitri Edi Rama tha në Tiranë se Kosova duhet të përfshihet në mekanizmin e "Partneritetit për Paqe të NATO-s".

Rama në konferencën e posaçme për gazetarë shpjegoi qëndrimet e Shqipërisë për Kosovën dhe sigurinë në samitin triditor të NATO-s në Madrid të Spanjës, që e quajti të veçantë për kohëzgjatjen dhe përmbajtjen mbi Ukrainën, pasojat dhe planet e reagimit.

Kryeministri theksoi se sulmi pushtues i Rusisë kundër Ukrainës dëshmoi se nuk është kohë e zakonshme, ndaj duhen akte të jashtëzakonshme ndërsa çmoi heqjen e vetos nga Turqia për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës.

Sipas Ramës, pavarësisht mosnjohjes shtetërore nga Ukraina, Kosova u bashkua me perëndimin në dënimin e Rusisë, raportoi korrespondenti i RTK-së Denion Ndrenika.

“Kosova të përfshihet në mekanizmin e partneritetit për paqe, një stad tjetër i marrëdhënieve me NATO-n, kemi dhënë të gjithë argumentat përkatëse dhe është e udhës që e gjithë aleanca të kuptojë se pavarësisht mosnjohjes së Kosovës nga disa prej vendeve, kjo nuk është një kohë e zakonshme. Si një kohë e jashtëzakonshme kërkonte dhe akte të jashtëzakonshme. Kosova, pavarësisht se Ukraina nuk e njeh, ka mbajtur një qëndrim të qartë duke treguar maturi të rëndësishme si shtet”.

Por, ai mbrojti edhe Serbinë duke e lidhur me qetësinë e brishtë rajonale: "Qëndrimi ynë ka qenë i njëjti, ai i njohuri dhe i përsërituri në më shumë se një rast, lidhur me domosdoshmërinë që Serbia të mbahet sa më shumë dhe sa më afër me frontin kundër agresionit dhe që presioni mbi Serbinë të mos shkojë në një krisje që mund të ketë pasoja pastaj të pallogaritshme për vete rajonin".

Ai shtoi se Shqipëria pret fonde të tjera nga NATO-ja për portin ushtarak të Durrësit, përkundër pamundësive financiare për ta rritur buxhetin e Forcave të Armatosura në 2 për qind:

"Ne jemi brenda parametrave për të cilat jemi angazhuar dhe nuk do ta rrisim asnjë qindarkë më shumë sesa angazhimi ynë buxhetin e mbrojtjes. Ne do të vazhdojmë ta rrisim buxhetin e mbrojtjes sipas parametrave të përcaktuar në Samitin e Uellsit, për të arritur në atë 2% e mirënjohur në afat. Ne ku t’i marrim NATO-s ndonjë buxhet, jo më të shtojmë akoma nga buxheti ynë, që të flasim hapur, siç ju tanimë e dini që unë flas. Kështu që shpresojmë që tani t’i marrim NATO-s ca fonde për të realizuar ëndrrën e portit ushtarak të NATO-s, ashtu sikundër shpresoj t’i marrim edhe ca fonde të tjera për mbrojtjen kibernetike".

Sipas Ramës Samiti i NATO-s ishte domethënës edhe për marrëveshjen përfundimtare mes Bullgarisë dhe Maqedonisë Veriore për hapjen e negociatave të euroanëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat