Radojçiqi apo Arkani i ri po kërkon gjakderdhje në veri, i dërguari i Vuçiqit / Kosova a e ka financuar ‘brigadën serbe’ të “mbrojtjes civile”?

Aktuale

Radojçiqi apo Arkani i ri po kërkon gjakderdhje në veri, i dërguari i Vuçiqit / Kosova a e ka financuar ‘brigadën serbe’ të “mbrojtjes civile”?

Nga: Idriz Morina Më: 6 korrik 2022 Në ora: 19:24
Foto ilustrim Radojçiqi dhe krimineli panballkanin Arkani

Institucionet e Kosovës ende po heshtin pasi pak ditë më parë presidenti i Serbisë paralajmëroi një konflikt në veri të vendit. Madje si gjithmonë sipas programit millosheviçian, shqiptarët do të jenë fajtorë për çdo gjë.

Po ashtu ditë më parë, për pasiguri në veri, dhe rreziqe të dhunës dhe të aktiviteteve serbe, paralajmëroi edhe raporti i AKI-së në Komisionin Parlamentar për Mbikëqyrje të Inteligjencës.

Kërcënimi serb për konflikt në veri

Sipas raportimeve që dolën nga Komisioni, ka ‘ndërhyrje dhe aktivitete të shtuara nga Serbia me strukturat paralele, por edhe me organizata radikale’.

Duke iu referuar raportit të AKI-së, kryetarja e këtij Komisioni Kuvendar, Ganimete Musliu deklaroi: “Serbia përmes strukturave të saja po bënë përpjekje për të rritur gatishmërinë tek serbët lokal dhe (po bën përpjekje) për tensionim të situatës në Kosovë”.

Një rrezik, më saktë një ndërhyrje e Serbisë në sistemin shtetëror të Kosovës është se ajo ka angazhuar ekipe të specializuara për të ‘monitoruar aktivitetet e strukturave të sigurisë në Kosovë’.

Ky hap, është një nga premisat kryesore, së bashku me hapin tjetër, alarmimin apo ‘rritjen e gatishmërisë’ së strukturave paralele dhe radikale, për të kaluar në njërin nga hapat final tensionimin e situatës me premisën tjetër, arritjen e qëllimit kryesor, ndërhyrjen ushtarake apo konfliktin e armatosur, ku shteti nuk hyn me mekanizmat e tij, por u jep armë, ekspertizë dhe të gjithë mbështetjen e nevojshme, ‘seperatistëve’ për t’u ballafaquar me forcat e sigurisë së Kosovës, të cilat është e paqartë se kush do të ishin

Ndërkohë, që kreu i mundshëm, për një lëvizje ‘separatiste’ është paraqitur dhe ai është Millan Radojçiqi, dora e djathtë e Vuçiqit, për në Kosovë, edhe pse i targetuar nga amerikanët, si pjesëtar të Listës së zezë, në një grup kriminal ndërkombëtar serb, me bazë në veri të vendit tonë.

Mbrëmë në një video të paraqitur nga ai vetë, nga njëra prej pikave më të larta, ka dhënë disa porosi, duke i mbindërtuar në narracionin e rrejshëm, programatik të Serbisë, se atje kjo pakicë është duke u terrorizuar, madje sipas tij, tash do të fillojë, pra bëhet si paralajmërim.

“Terrori i vërtetë kundër popullit tonë serb po fillon tani. Për popullin tim në veri dhe për të gjithë serbët, vetëm më lejoni t’u them, dhe atyre të tjerëve, unë jam këtu, jam kthyer dhe ju e dini se çfarë do të thotë sepse nga këtu nuk ka kthim prapa. Rroftë Serbia”, ka thënë Radojçiq diku nga malet e Leposaviqit.

1. Ai paraqitet si një lider-hero i serbëve –

2. Nuk ka kthim mbrapa – pra i gatshëm për beteja.

Pra, ai po e promovon vetën si lider-hero të ngjarjeve që do të ndodhin. Përballë e ka vendosur ‘terrorin’ ndaj serbëve, që i nënkuptuar sipas tij, vjen nga institucionet e sigurisë së Kosovës.

Këtë plan të institucioneve të sigurisë askush se ka përmendur në Kosovë. I vetmi plan nëse mund të themi deri tash, që është aplikuar është arrestimi i kriminelëve, pa dallime etnike dhe racore.

Kur, krimineli i shumëfishtë Radojçiq, thotë se nuk ‘ka kthim mbrapa’, është e qartë, se ai po kërkon kriminalitet, konflikt të armatosur, dhe se po tregon, jo gatishmërinë e tij vetjake, por të bandave të tij, për t’u përgjakur me forcat e rendit.

Financimi i “mbrojtjes civile’ të Serbisë!

Kosova, qeveritë tona kanë pranuar prej vitesh të financojnë të ashtuquajturën “mbrojtja civile” (Civilna Zashtita) në veri, 199 veta prej të cilës kanë marrë paga pa shkuar fare në punë. Ky është një krim senzacional, e që 199 këta, mund ta kenë për ‘komandant’, kriminelin Radojçiq.

“... një prej gjetjeve që kanë të bëjnë me menaxhimin e burimeve njerëzore për vitin 2021, kjo është si rezultat i marrëveshjes së Brukselit në mes të Kosovës dhe Serbisë, që ka të bëjë me zyrtarë të mbrojtjes civile, janë gjithsej 199 zyrtarë, që në fakt janë paguar, por nuk kanë vijuar punën, kjo është konstatuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit, në bazë të dëshmive dhe testimeve që i ka bërë”, ka thënë zëvendësauditori i përgjithshëm, Bezat Halilaj në tvKlan.

Image
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në krah të majtë me Milan Radojçiqin

Sipas tij, këta 200 kriminelë potencial, i kanë kushtuar shtetit të Kosovës 900 mijë euro, vetëm më 2021, por sa kanë kushtuar për këto rreth 10 vjet!?

Ishte ditë e diel, e 31 marsit 2013, kur pjesëtarë të kësaj trupe në veri, bënin sigurimin e ambasadorit rus në Beograd, Aleksandar Çepurin.

Që në vitin 2013 kjo fajësohej për prishje të qetësisë dhe sigurisë në Mitrovicë, dhe si pengesa kryesore për vendosjen e rendit dhe të ligjit!

Sipas burimeve të Qeverisë së Kosovës, kjo trup ka pasur 500-600 anëtarë! Pra, skandali është edhe më i madh, kur mund të rezultojë se të gjithë këta paguhen nga Qeveria e Kosovës, dhe se kostoja 900 mijë euro është jo reale. Apo më saktë një brigadë.

Qeveria e Kosovës në vitin 2015 deklaronte se “i ka integruar 483 persona” dhe se “përzgjedhja e këtyre kandidatëve është bërë në përputhje me ligjin për shërbimin civil dhe atë të punës”!

Në maj të vitit të kaluar pikërisht kjo trupë është fajësuar për sulmin me armë zjarri ndaj alpinistëve shqiptarë, të cilët kishin shkuar në malet e Zubin Potokur për eksplorim të natyrës. Ata u sulmuan me brshëri plumbash në fshatin Bubë të kësaj komune.

Ata në vazhdimësi kanë kryer incidente, madje duke u paraqitur një strukturë paralele me policinë e Kosovës, edhe ndaj pjesëtarëve serb dhe zinxhirit komandues të policisë atje.

Edhe në raportin e Freedom House për vitin 2021, theksohet kjo strukturë ilegale vazhdon të ekzistojë, pavarësisht që me Marrëveshjet në Bruksel ajo duhej të shuhej.

“Edhe pse BE-ja ndërmjetësoi një marrëveshje në vitin 2015 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të shpërbërë forcën serbe të sigurisë Civilna Zastita (Mbrojtja Civile) në veri të Kosovës, ka pasur raporte se forca është ende duke vepruar ilegalisht”, thuhet në raport.

Por, ironia tragjikomike shqiptare është se Kosova e ka financuar dhe mbajt në këmbë, një grup kriminal, të krijuar nga Serbia, dhe që rezulton se nuk është shuar.

E keqja është se nuk është vetëm Serbia në destabilizimin e veriut. Ajo ka gjetur mbështetje edhe tek disa ‘patriotë’ shqiptarë, me tipare ‘komandantësh’!, të cilët ka dekada që bashkëpunojnë me krimin e organizuar serbë, dhe tashmë janë si një simbiozë.

Image
E ashtuquajtura 'mbrojtja civile' serbe

Një 'Arkan' i Vuçiqit

Krahasimin apo cilësimin më të mirë, punëmarrësit të Vuçiqit ia ka dhënë politikani serb, Paroviç, duke e quajtur Arkan, i njohur për krimet e tij antinjerëzore ndaj shqiptarëve, boshnjakëve, kroatëve, por që dyshohet se ka marrë pjesë edhe në vrasje politike të porositura nga UDB gjatë Jugosllavisë komuniste.

“Kjo logjikë e viteve të ‘90-ta në të cilën ‘heronjtë’ të ndryshëm si Zheljko Razhnatoviq – Arkan bënin deklarata të forta për mbrojtjen e serbëve, të tillët kur na kanë mbrojtur aty më nuk kemi ekzistuar”, ka thënë Paroviq.

Madje po ky politikan serb e akuzon presidentin e Serbisë

Aleksandar Vuçiq foli për atë se si do të shpërthejë konflikti dhe përndjekja e serbëve në veri të Kosovës dhe tani ai mesa duket e dërgoi njeriun e tij të operacioneve speciale për të përshpejtuar procesin, shprehet kryetari i Lëvizjes Popullore për Liri, Miroslav Paroviq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat