Ish mjeku i UҪK-së: Nuk kanë bërë trafikime organesh, por si ta bindin botën që nuk kanë vrarë njerëz të pafajshëm

Aktuale

Ish mjeku i UҪK-së: Nuk kanë bërë trafikime organesh, por si ta bindin botën që nuk kanë vrarë njerëz të pafajshëm

Nga: H.O. Më: 20 korrik 2022 Në ora: 17:42
Bota sot/ Ilustrim

Ish mjeku i Ushtrisë Ҫlirimtare të Kosovës në një postim në faqen e tij në Facebook, Liri Loshi ka komentuar deklarimin e Edi Ramës kundër trafikimit të organeve nga qytetarë të Kosovës.

Ai shkruan se për këtë e vlerëson Edi Ramën, pasi këtë mund ta bëjë çdo politikan, çdo intelektual dhe çdo shqiptar që i jipet rasti të flasë para botës demokratike. Mirëpo, sipas tj, ‘nën hijen e kësaj maskarade, nuk mund të fshehen ata që mund të kenë bërë krime kundër njerëzve të pafajshëm’.

Image
Liri Loshi

“Unë e apalaudoj Edi Ramën për zërin e tij kundër maskaradës së trafikimit të organeve si një trillim i armiqve për ta zhvlerësuar luftën tonë të drejtë për liri. Këtë gjë duhet ta bëjë çdo politikan, çdo intelektual dhe çdo shqiptar që i jipet rasti të flasë para botës demokratike, në mënyrë që kjo botë të na vlerësojë drejt përmes fakteve dhe jo të na paragjykojë nga shpifjet e intrigat serboruse. Por, nën hijen e kësaj maskarade, nuk mund të fshehen ata që mund të kenë bërë krime kundër njerëzve të pafajshëm, pra kundër atyre që Kosovës mund t’i kenë bërë të mira dhe kurrë ndonjë të keqe”, shkruan ai.

Analisti Liri Loshi thotë më tutje se, nuk ka dyshim se do t‘ia dalim ta bindim botën për një gjë që nuk e kemi bërë, pra se nuk kemi organizuar trafikim organesh.

“Problemi është se a mund ta bindim botën për gjërat që mund t’i kemi bërë? A mund ta bindim botën, bie fjala, se nuk e kemi vrarë njeri tjetrin për pushtet e për karrikë! Trafikimi i organeve është gjë e tmerrshme dhe neveritëse për t’u imagjinuar, por edhe vrasja e kundërshtarëve politikë është po aq e tmerrashme dhe po aq neveritëse”, thekson ai.

Ai shkruan më tutje se edhe nëse i shpëtojmë drejtësisë ndërkombëtare, nuk arrijmë t’i shpëtojmë  gjykimit të së nesermes, gjykimit të fëmijëve, nipave e mbesave tona dhe gjykimit të histories.

“Pavarësisht a i shpëtojmë drejtësisë (ndërkombëtare) sot, apo neser, ne nuk do të arrijmë t’i shpëtojmë gjykimit të së nesermes, gjykimit të fëmijëve, nipave e mbesave tona dhe gjykimit të historisë. Prandaj është shumë më mirë dhe shumë më e drejtë që kjo punë të pastrohet sot, aq sa mund të pastrohet, natyrisht, përmes drejtësisë, sesa të mbetet gurë mbi kurrizin e pasardhësve tanë, sepse këtë gurë turpi ata nuk e meritojnë”, thotë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat