Ish kryeministri Hoti: Qeveria po abuzon me detyrën, po mban milionat pa asnjë nevojë

Aktuale

Ish kryeministri Hoti: Qeveria po abuzon me detyrën, po mban milionat pa asnjë nevojë

Nga: H.O. Më: 29 korrik 2022 Në ora: 10:36
Avdullah Hoti

Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në një postim të tij në Facebook shkruan se, bilanci bankar i Qeverisë ka arritur në gati 600 milionë euro, shumë kjo që është përtej kufirit të bilancit bankar të nevojshëm që duhet të ketë Qeveria.

Ai shkruan tutje se,  kjo është e papranueshme pse Qeveria nuk i indekson pensionet, skemat sociale, pagat dhe subvencionet në bujqësi sipas normës së inflacionit. Për më tepër, nuk e heq përkohësisht as akcizën në derivate për të ulur çmimin e derivateve dhe, rrjedhimisht, të shumë produkteve të tjera, çmimi i të cilave ndikohet shumë nga kostot e transportit.

Postimi i plotë:

Bilanci bankar i Qeverisë më 30 qershor 2022 ka arritur gati 600 milionë euro, që është afër 7% e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB). Kjo është shumë përtej kufirit të bilancit bankar të nevojshëm që duhet të ketë Qeveria për të qenë mjaftueshëm likuide, që është rreth 4.5% e PBB-së apo rreth 390 milionë euro.

Ky nivel kaq i lartë i bilancit bankar nënkupton se Qeveria po mban rreth 210 milionë euro pa asnjë nevojë, të cilat mjete po devalvohen edhe nga inflacioni i lartë. Sikur këto mjete të qarkullonin në ekonomi, ato do të multiplikoheshin dy deri në tre herë, duke rritur kështu kërkesën agregate dhe rrjedhimit të ardhurat, konsumin dhe punësimin.

Në një situatë inflacioni tepër të lartë, dhe me afër 600 milionë euro para të gatshme në llogari, është e papranueshme pse Qeveria nuk i indekson pensionet, skemat sociale, pagat dhe subvencionet në bujqësi sipas normës së inflacionit. Për më tepër, nuk e heq përkohësisht as akcizën në derivate për të ulur çmimin e derivateve dhe, rrjedhimisht, të shumë produkteve të tjera, çmimi i të cilave ndikohet shumë nga kostot e transportit.

Përse duhet Qeveria të mbajë 600 milion euro në llogarinë e saj bankare?! Pres që ekonomistët e qeverisë të shpejgojnë këtë për qytetarët.

Kjo gjendje paraqet papërgjegjësi dhe paaftësi për të udhëhequr shtet – e kam fjalën për shtet me ekonomi të tregut.

Ky nivel i bilancit bankar të Qeverisë përbën edhe abuzim me detyrën, pasi ligji i jep të drejtë Qeverisë të mbledh tatime, por duke ruajtur barazpeshën sociale dhe ekonomike./Bota sot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat