Edi Rama a po ia jep portin e Durrësit mikut tij Vuçiqit?! / Ndërsa, Serbia po përgatit trazira në veri

Aktuale

Edi Rama a po ia jep portin e Durrësit mikut tij Vuçiqit?! / Ndërsa, Serbia po përgatit trazira në veri

Nga: Idriz Morina Më: 15 shtator 2022 Në ora: 20:35

Edi Rama duhet hetuar urgjentisht nga institucionet shqiptare. SPAK-u duhet të krijojë kushte, që të fillojë procesi hetimor pa humbur kohë.

Rreziku, që Edi Rama, t’ia vë në shërbim serbëve dhe Serbisë, një pjesë të bregdetit të Durrësit, nëpërmjet mashtrimit me dokumente dhe mashtrimit me prezantim të njerëzve në televizione, media dhe në mënyra të ndryshme, ka filluar të krijojë shqetësime serioze në Shqipëri.

Shqetësimet janë edhe më serioze, nëse merret parasysh konteksti në të cilin po ndodhin ngjarjet aktuale.

Lëvizjet tronditëse

Sapo është bërë e ditur nga dokumentet amerikane se Rusia ka investuar deri para luftës në Ukrainë rreth 300 milionë euro për të ndikuar në vendet e Europës Lindore, përfshirë Ballkanin, dhe në vende si Shqipëria, Mali i Zi e tjera, është përfshirë drejtpërdrejt edhe në zgjedhje.

Në anën tjetër, Kosova ndodhet e kërcënuar dhe shqetësuar nga rreziku i një konflikti të mundshëm në veri, të cilin në vazhdimësi po përpiqet ta krijojë Serbia, qoftë duke inskenuar dhunë, qoftë duke provokuar në çfarëdo mënyre fillim të konfliktit, ndërsa i ka shtuar gënjeshtrat dhe mashtrimet propagandistike se serbët në veri janë duke pësuar nga shqiptarët!

Për shkak të këtyre shqetësimeve, presidentja e vendit Vjosa Osmani, ka udhëtuar në Gjermani, ku ka shprehur brengën se ekziston rreziku për një konflikt.

Sipas kryeredaktorit të gazetës “Internationale politik quarterly” Henning Holf, Osmani ka thënë se Serbia “po vallëzon me ritmin e Putinit”, dhe se “tensionet janë të dizajnuara për të destabilizuar vendin (Kosovën), rajonin dhe Bashkimin Evropian”.

Ndërkohë, që mediat serbe japin vlerësime se Serbia po përgatit trazira në veri, me qëllim që ta pengojnë një plan amerikan, që sipas tyre: “ShBA-ja i ka bërë të ditur Beogradit se së shpejti do të aktivizojë në OKB një nismë, e cila do t’i kërkojë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që të votojë për pranimin e Kosovës si anëtare me të drejta të plota”.

Prandaj, ajo është duke kërkuar konflikt sa më shpejt që mundet.

Image
Edi Rama dhe Vuçiqi

Dyshime dhe akuza

Në këtë kontekst roli i Edi Ramës është shumë i dyshimtë. Edhe më i ndërlikuar është raporti i tij me Serbinë, derisa në vazhdimësi, siç e kemi evidentuar ai po i del në mbrojtje të hapur të Serbisë, ndërsa po sulmohet nga Perëndimi, për shkak të qëndrimeve të tij prorusisë.

Këto qëndrime proserbe, edhe proruse, sepse duke i mbrojtur raportet Serbi-Rusi, ai po e mbron edhe Rusinë, mund ta kenë shpjegimin, edhe tek alarmi, informacioni apo akuza që e bën Sali Berisha.

Thirrja është bërë sot nga Sali Berisha, i cili e ka akuzuar Edi Ramën, se nga projekti investiv në Durrës, do të përfitojnë serbët dhe nuk është investitori i prezantuar biznesi Emaar.

Berisha këtë akuzë e ka bërë ndërsa, i ka bërë thirrje Bashkimit Europian, që t’ia ndalë fondet Qeverisë Rama, derisa të hetohet kjo aferë, sikurse edhe të tjera.

“Asnjë qindarkë pa hetuar aferën e tmerrshme multimiliardëshe të Portit të Durrësit që tani së fundmi del se përfitues përfundimtar nuk është me Emaar, por dikush i afërt i Vuçiqit”, ka thënë Berisha në Kuvendin e Republikës.

Sipas tij, nga ky projekt do të përfitojë edhe Rama me grupin e tij, por sipas parallogarive të Berishës, vetëm toka e premtuar për investime kushton tre miliardë euro, ndërsa pritet të investohen 2 miliardë euro.

Pra, Rama mund të jetë zënë peng në këtë projekt nga Serbia, pasi ai do të përfitojë nga projekti i dyshimtë serb apo edhe arabo-serb.

Nëse situata është e tillë siç thotë Berisha, në një mënyrë, pas projektit investiv arab, fshihet Serbia, që nënkupton se ajo ndodhet shumë afër realizimit të një projekti shekullor, ëndrrës për ta pushtuar Durrësin.

“Emaari group” është kompania e cila, ka filluar një projekt investiv prej 3 miliardë euro në rrjedhën e Danubit dhe Savës, duke e projektuar një Beograd të ri.

Po ashtu kjo kompani, me pronar Mohamed Alabbar ka investuar edhe në Mal të Zi.

Image
Njësitë speciale në veri

Projekti dhe shitja?!

Sipas raportimeve të mediave në Shqipëri pritej që nga ky muaj (shtatori) të fillonte shitja e apartamenteve që do të ndërtohen në projektin “Durrës Yacht & Marina”.

Projektit Durrës Yacht & Marina i është dhënë statusi strategjik, dhe besohet që shteti shqiptar u bë bashkë-aksionar, pasi i dhuroi 80 hektarë tokë shtetërore.

Në fillim thuhej se projekti do të ndërtohej nga kompania e Emirateve Arabe, “Dubai”, në Qendrën Kombëtare të Biznesit të Shqipërisë, investitori është regjistruar si zhvillues shoqërie, offshore Symphony Real Estate Development.

Projekti parasheh edhe zhvendosjen e Portit të Durrësit në Porto Romano, i cili proces nuk dihet se kur përfundon.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat