Vetëm 9 vetura kanë ndryshuar targat në RKS deri më tani

Aktuale

Vetëm 9 vetura kanë ndryshuar targat në RKS deri më tani

Më: 6 tetor 2022 Në ora: 08:26
Foto ilustrim

Procesi i regjistrimit të targave ilegale në targa të Republikës së Kosovës është duke ecur ngadalë edhe pse të gjithë ata që dëshirojnë ti ndërrojnë ato, janë të liruar nga taksa e detyrime që arrijnë vlerën deri në 5.000 euro. Ardita Ademi Koordinatore në Komunën e Mitrovicës Veriore për Radio Kosovën tha se që nga 1 shtatori e deri më sot vetëm nëntë qytetarë kanë bërë regjistrimin e makinave në targat RKS.

Edhe pse marrëveshja për dokumentet hyrje-dalje në Kosovë dhe anasjelltas solli qarkullim të lirë në veri, çështja e marrëveshjes për targat e automjeteve vazhdon të mbetet çështje që pret zgjidhje. Por, numri i qytetarëve që kanë zgjedhur të ndërrojnë targat e automjete është shumë i ulët.

Ardita Ademi Koordinatore në Komunën e Mitrovicës thotë se deri me tani vetëm nëntë qytetarë kanë bërë ndërrimin e targave dhe pse ka lehtësira të shumta nga detyrimet që arrijnë shumën deri në pesë mijë euro.

“Deri më tani në të gjitha qendrat e regjistrimit të automjeteve janë vetëm 9 automjete të regjistruara dhe të gjitha qendrat janë të gatshme që ti presin qytetarët për procesin e regjistrimit. Dhe besoj se deri me 31 tetor qytetarët do ta shfrytëzojnë lehtësimin që e kanë”, ka thënë Ademi

Drejtuesit e institucioneve përgjegjëse në Kosovë kanë vazhduar të bëjnë thirrje të njëpasnjëshme që serbët të ndërrojnë targat e automjeteve nga ato ilegale në legale, apo në targa RKS. Ndërrimi parashikohet të bëhet deri më datën 31 tetor 2022. E pak ditë më parë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla bëri thirrje publike që serbët të vendosin targat legale të Kosovës.

Ne kemi një vendim të institucioneve të Kosovës për kalimin e këtyre targave në legale nga ilegale. Jam i bindur se ata do të shfrytëzojnë këtë shans në të mirë të tyre... Një thirrje të ngjashme e pati edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti. Ai kohë më parë publikoi një video-incizim në gjuhën serbe.

“Targat e lëshuara nga Serbia PR, KM, PZ, GL, UR, PE dhe GJA janë trashëgimi e Millosheviqit. Kjo trashëgimi është barrë që nuk do të duhej ta mbani ju. Përveç kësaj, ajo po synon të ju mbajë në të kaluarën dhe të izoluar. Konvertimi në targa RKS eliminon këtë barrë dhe ju siguron lëvizje të lirë, të pa penguar dhe pa paragjykime në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”.

Por, qytetarët serb të veriut nuk pajtohen me një gjë të tillë. Disa prej qytetarëve që nuk duan të identifikohen thanë: “Nëse duhet patjetër atëherë duhet ta bëjmë….”; “ Kurrsesi, ne i kemi regjistrimet tona…”;  “Nuk dua t’ia di për afat kush e dha këtë afat. Çfarë afati, ai afat nuk ekziston?!!...”

Ndryshe, në Kosovë janë të regjistruara 401mijë e 945 vetura me targat RKS. Prej tyre, dhjetëra mijëra janë me pronarë të komuniteteve pakicë. Ato që duhet të konvertohen në targa RKS përbëjnë, rreth 2 për qind të tyre”, ka thënë Kurti.

Në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut vlerësohen se qarkullojnë 10.000 vetura me targa serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat