​Osmani falënderon Francën dhe Gjermaninë për angazhimin për liberalizim të vizave për Kosovën

Aktuale

​Osmani falënderon Francën dhe Gjermaninë për angazhimin për liberalizim të vizave për Kosovën

Më: 6 tetor 2022 Në ora: 20:06
Foto nga takimi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Pragë, në kuadër të samitit të parë të Komunitetit Politik Evropian, ka zhvilluar një takim trilateral me presidentin e Republikës franceze, Emmanuel Macron dhe Kancelarin e Republikës Federale të Gjermanisë, Olaf Scholz.

Presidentja Osmani ka falënderuar Francën dhe Gjermaninë për angazhimin e tyre për liberalizim të vizave për Kosovën, duke përmendur rëndësinë vendimtare që ky proces të përfundojë gjatë Presidencës çeke të Këshillit të BE-së. Në këtë drejtim, presidentja Osmani ka rikonfirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera me Francën dhe Gjermaninë, si aleatë të fuqishëm të Kosovës në kontinentin evropian.

Në këtë kontekst, presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin se anëtarësimi i Kosovës në strukturat euroatlantike është domosdoshmëri për të garantuar paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në rajon.

Duke folur për procesin e dialogut me Serbinë, presidentja Osmani ka theksuar se Kosova vazhdon të mbetet palë konstruktive në këtë proces dhe ka falënderuar Francën dhe Gjermaninë për përpjekjen e tyre për ta intensifikuar procesin e dialogut. Kosova është e interesuar në përmbylljen e dialogut sa më shpejt, me njohje të ndërsjellë, ruajtjen e integritetit territorial, rendit kushtetues dhe funksionalitetit institucional të Republikës së Kosovës.

Sipas një komunikate të Presidencës, Osmani potencoi nevojën e avancimit të raporteve ndërmjet shteteve dhe popujve tanë si dhe forcimin e bashkëpunimit në politikën e jashtme, ndaj ka kërkuar që mbështetja për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe strukturat euroatlantike të vazhdojë.

Në takimin e parë të Komunitet Politik Evropian, i cili është mbajtur në Pragë, morën pjesë krerët e shteteve nga 27 vendet anëtare të BE-së dhe 17 vendet evropiane. 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat