Qalaj: Shtyrja e afatit për targa ulë tensionet mes Kosovës dhe Serbisë

Aktuale

Qalaj: Shtyrja e afatit për targa ulë tensionet mes Kosovës dhe Serbisë

Më: 28 tetor 2022 Në ora: 18:41
Rashit Qalaj

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherit ish-drejtor i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, foli lidhur me vendimin e Qeverisë Kurti për shtyrjen e afatit për targa.

Qalaj tha se vendim i fundit i Qeverisë mund të ulë momentalisht tensionet mes Kosovës dhe Serbisë. Mirëpo sipas tij, më i rëndësishëm është fakti që Kurti është koordinuar me partnerët strategjikë të Kosovës.

“Vendimi i Qeverisë ka anët pozitive dhe negative të saj. Pozitiv është fakti se është i koordinuar me partnerët e strategjikë të Kosovës, me Bashkësinë Ndërkombëtare dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në një farë mënyrë i ulë tensionet për momentin, e sidomos në pjesën veriore të vendit, po ashtu u jep edhe një mundësi komunitetit serb që të bëjnë konvertimin e targave”, deklaroi Qalaj.

Mirëpo, se a do të funksionojë ky vendim, Qalaj u shpreh shumë skeptik.

“Fillimisht nuk kam pritur që Kurti që nga data 1 nëntor do të fillojë me implementimin e vendimit të ligjshëm të Qeverisë së Kosovës, për shkak se duke njohur Kurtin dhe politikën e tij, realisht nuk kam pritur. Mirëpo, ne si parti opozitare e kemi mbështetur këtë vendim”, tha tutje ai.

Sipas Qalaj, në qoftë se ky vendim do të shkojë siç duhet, do jetë në të mirë të vendit, pasi siç tha ai, Policia e Kosovës nuk do jetë e detyruar të përballet fizikisht me pjesëtarët e komunitetit serb.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka marrë vendim të ri lidhur me konvertimin e targave ilegale, të lëshuara nga Serbia, në ato RKS.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat