‘Kurti të thotë ç’të dojë’: ambasadori amerikan: Pa u zgjidhur kjo çështje, nuk do të ketë marrëveshje të tjera

Aktuale

‘Kurti të thotë ç’të dojë’: ambasadori amerikan: Pa u zgjidhur kjo çështje, nuk do të ketë marrëveshje të tjera

Më: 4 dhjetor 2022 Në ora: 10:08
Christopher Hill

Për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dialogu me Serbinë mund të mos jetë prioriteti i parë apo i dytë. Por aleatët e vendit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, në vazhdimësi kanë folur për njëfarë urgjence, për arritjen e marrëveshjeve mes dy vendeve. Ambasadori amerikan, Christopher Hill, dha së fundi një deklaratë për “prioritetet” e kryemininistrit Kurti, por foli edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe planin franko-gjerman. Çka konkretisht deklaroi ai?

“Sa i përket vëllimit kohor të punës që bëjë, dialogu s’është prioritet numër 1 apo 2, njësoj siç e kam thënë para një viti e gjysmë”, kështu deklaroi gjatë kësaj jave kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Kurti mund të thotë çfarë të dojë për mediat”, u përgjigj ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, kur u pyet për këtë çështje.

Por ai e vazhdoi edhe më tutje fjalën e tij rreth kësaj, duke shtuar se: Të japësh deklarata, nuk do të thotë të bësh politikë.

Hill në një intervistë dhënë mediumit serb, “Insajder”, ka folur rreth dialogut mes dy vendeve, duke thënë se pa u zgjidhur çështja e serbëve në Kosovë, nuk do të ketë marrëveshje të tjera.

“Ai do të duhet të flasë me negociatorët në Evropë, dhe amerikanët si dhe BE-ja i kanë thënë se duhet të zgjidhë çështjen e të drejtave kolektive të serbëve në Kosovë. Të jeni të sigurt se nuk do të ketë marrëveshje të mëtejshme pa zgjidhur këtë çështje.” – tha ai.

Diplomati amerikan ka folur edhe për marrëveshjen e fundit rreth targave, ku këtu më pas përmendi Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe.

“E gjithë kjo është një detyrë shumë e vështirë – ta kuptojë qeveria në Prishtinë. Por falë punës së palodhur të BE-së, Kurti e kuptoi se çështja e së ardhmes së serbëve në Kosovë duhet të jetë prioritet absolut dhe duhet të zgjidhet në çdo proces normalizimi”, shtoi ai.

Sa i përket planit franko-gjerman dhe zërave se aty nuk përfshihet njohja reciproke mes dy vendeve, Hill theksoi se ShBA-ja do të dëshironte që Kosova e Serbia ta njohin njëra-tjetrën.

“Ne duhet të jemi të sinqertë dhe të qartë, shumë gjëra duhet të zgjidhen përpara se të arrijmë në atë pikë duke filluar me një qasje më të normalizuar sepse për momentin nuk ka pothuajse asnjë marrëveshje për targa” – shtoi ai rreth kësaj çështje.

Hill foli edhe për drejtimin e negociatave nga Bashkimi Evropian, duke thënë se të njëjtat kryesohen nga emisari Mirsolav Lajçak, por me ndihmën e shumë shteteve, duke përfshirë këtu edhe ShBA-të.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat