Mohohen zërat e përmbytjes së minierës së Trepçës

Aktuale

Mohohen zërat e përmbytjes së minierës së Trepçës

Nga: F.B Më: 7 shkurt 2023 Në ora: 13:53
Trepça

Sipas drejtuesve të minierës po vazhdon puna e palodhshme e njësive përkatëse të pompave dhe rrjetit elektrik në evitimin e përmbytjes në minierën Trepça – brenda dy dite pritet tejkalimi i gjendjes emergjente dhe vazhdimi i punës normale prodhuese

Zërat se miniera Trepça po rrezikon të përmbytet pas vërshimeve përkatësisht sasisë së shtuar të ujërave nëntokësore dhe bllokimit të rrjedhjes me derën siguruese në horizontin 11 të minierës janë mohuar nga zyrtarë të minierës të cilët për “Bota sot”, kanë shpjeguar në detaje punën, përkushtimin, angazhimin e punonjësve në tejkalimin e situatës emergjente.

Sikur në gjithë vendin vërshimet e 19 janarit, kanë prek edhe kanë shkaktuar dëme ende të pariparueshme edhe në minierën e Trepçës në Stan Terg, sasi të mëdha të ujërave nëntokësore kanë shkaktuar vërshime në horizontet 5. 9 dhe 11, edhe për faktin se avaria në rrjetin elektrik ka pamundësuar punën e pompave, gjë si pasojë ka pasur rritjen e nivelit dhe detyrimisht mbylljen e horizontit me qëllim ruajtjen e stabilimenteve dhe pajisjeve, kanë thënë zyrtarë të minierës Trepça.

Sipas Behxhet Vinarcit, udhëheqës i njësisë miniera me flotacion Trepça në Stan Tërg, “Rreth orës 3.35 të mëngjesit të 20 janarit për shkak të lagështisë dhe ngarkesës por edhe rrjetit të amortizuar edhe vjetruar (kabllo me 70 vjet vjetërsi) ka shkaktuar ndërprerje të punës së pompave që deri atë kohë punonin me sukses. Dëmtimi i rrjetit ka ndaluar pompat në horizontet 5 edhe 9, ndërsa defekti ka ndodhur mes horizontit 5 edhe 7 në një gjatësi 180 metra”, tha Vinarci.

Njësia e elektricistëve ka ndërhyrë urgjentisht në zëvendësimin me kabllo të re dhe janë ndërmarr masat për drejtimin e ujit drejt horizontit 11, për të ndaluar hyrjen e ujit në pusore dhe stabilimentet bartëse, ndërkohë janë aktivizuar gjeneratorë dhe pompa shtesë dhe është bërë ndërrimi i pompave me të reja në horizontet 5 dhe 9, duke ia dal mbrojtjen e trafo-ve në secilin horizont, sikurse edhe pusoren dhe hyrjen në minierë thonë në minierën Trepça.

Angazhimi i pakursyer i minatorëve bëri përgatitjen dhe ndërrimin e kabllos së detektuar dhe vendosjen e kabllos së re dhe me 21 janar bërë testimi, lëshimi i rrymës dhe aktivizimi i pompave, kur është bërë edhe nisja e zbrazjes së ujit pas derës siguruese të horizontit 11.

Sipas Vinarcit, sasia e ujit brenda tri ditëve ishte jashtëzakonisht e madhe, që llogaritet mbi 3 mijë e 200 litra në minutë duke vazhduar të rritej deri 4 mijë e 700, ndërkohë pompat nxjerrin një sasi rreth 6 mijë litra tek dalja në Tunelin e Parë.

Gjatë gjithë javës punonjësit e pompave kanë punuar pareshtur, ndërkohë minatorët tjerë kanë punuar normalisht në horizontet e sipërme, duke mbushur me xehe oxhaqet shprehet inxhinieri Vinarci, por transporti ka qenë i pamundur nga bunkerët mbledhës, pasi ata gjenden prapa derës siguruese nga uji në horizontin 11.

Situata aktualisht po ec drejt normalizimit dhe tërheqjes së ujit, fal edhe pompave të ujit, por sipas zyrtarëve janë edhe afër 10 milionë litra ujë, që besohet se do mund të shkarkohen edhe nxirren brenda 2-3 ditëve të ardhshme, ka thënë drejtori Vinarci.

Vinarci ka njoftuar se gjatë kësaj kohe, krahas angazhimit për tejkalimin e situatës emergjente të rrezikut nga përmbytja është punuar edhe në riparimin dhe mirëmbajtjen e stabilimenteve teknike, gjatë të njëjtës kohe flotacioni ka punuar pa ndërprerë dhe ka trajtuar afër 4 tonë xehe.

Mbetet të shihet, zhvillimi i situatës në ditët në vijim në përpjekjet e minatorëve dhe menegjmentit për tejkalimin e situatës dhe evitimin e rrezikut nga përmbytja e minierës dhe vazhdimin e punës normale në detyrat dhe obligimet për rritje të prodhimtarisë si një nga detyrat për afarizëm të suksesshëm dhe kthim në binarë normal të punës në minierë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat