“E kemi humbur besimin te drejtësia”: Nëna e Agonis Tetajt flet pasi Apeli e ktheu rastin në rigjykim, ja detaji që zbulon

Aktuale

“E kemi humbur besimin te drejtësia”: Nëna e Agonis Tetajt flet pasi Apeli e ktheu rastin në rigjykim, ja detaji që zbulon

Më: 28 mars 2023 Në ora: 16:01
Agonis Tetaj

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin për vrasjen e Agonis Tetajt. Kjo pasi i dyshuari Shaban Gogaj ishte dënuar me 7 vjet e gjysmë burgim për veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”, e jo për veprën “Vrasje e rëndë” që akuzohej.

Pas këëtij vendimit të Apelit, nëna e Agonis Tetajt, Nurije Tetaj, ka thënë  se vendimi i duhur do të ishte të merrej qysh në shkallën e parë. Ajo ka theksuar se të gjitha provat kanë dëshmuar për vrasjen e djalit të saj, përfshirë edhe video-incizimin.

“Na vendimin e kemi prit prej shkallës së parë, dhe i ka pasur të gjitha provat. Nuk është dashtë me na e dërgu as në shkallë të dytë e as me u rikthy në gjykim hiç. Ku donë ti provë më të fortë se video-incizimi ku shihet tu mu vra djali. Ku shihet qysh e merr armën, ku shihet krimineli qysh del pa iu afru. Unë nuk di tjetër provë tjetër që mundet me pas”, ka thënë Nurije Tetaj 

Nëna e Agonis Tetajt që u vra në shtator të vitit 2018 përgjatë kohës që po punonte në firmën “Gogaj Ag”, ka theksuar se në shkallën e parë janë selektuar disa prova.

“Shkalla e parë i ka marrë parasysh vetëm deklaratat e punëtorëve Gogaj Ag, e tonën asnjë, as të prindërrve, as bashkëshortes, as provat e tjera, vetëm të punëtorëve. Por po dihet paraja po bojka gjithçka”, deklaroi ajo.

Nurije Tetaj është shprehur se e kanë humbur besimin te institucionet. Megjithatë, ka kërkuar dënim maksimal për të dyshuarin që e ka kryer vrasjen.

“Presim qysh nuk presim dënim më të lartë. Është humb besimi te drejtësia, pasi s’ka pas drejtësi për Agonis Tetajn nuk di për kënd ka me pas drejtësi. Ne duam dënim maksimal”, tha ajo.

Nëna e Agonis Tetajt ka zbuluar edhe një detaj. Ajo ka thënë se pikërisht i dyshuari Gogaj, ishte liruar nga e njëjta gjyqtare për një rrahje tjetër. Kjo kishte ndodhur pak ditë para se djali i saj të vritej.

“Por, një fëmijë 5-vjeçar me dhanë atë dënim, ne kemi qenë të shokuar atë ditë. Na s’kemi besim në atë gjyqtare asnjëherë. Sepse ajo gjyqtare me 3 gusht 2018 e ka dënuar të njëtjin person Shaban Gogajn për veprën rrahje vet i katërti, e ka liruar. Ajo është gjyqtare e dobët. Me kanë drejtësia në rregull ajo duhet me u njek. Ajo u ra e djalin e kam të vrarë, sepse me i pa lënë në burg me 3 gusht 2018 djalin e kisha gjallë”, përfundoi Nurije Tetaj.

Agonis Tetaj ishte vrarë në shtatorin e vitit 2018 në firmën “Gogaj Ag” përderisa po punonte. Vrasja ishte cilësuar fillimisht si vepër penale “Vrasje e rëndë” e më pas ishte kualifikuar në “Vrasje nga pakujdesia”.

Kjo kishte nxitur familjen të publikonte video-incizimin e vrasjes, gjë e cila kishte shkaktuar një numër të madh reagimesh në Kosovë. Si pasojë, rasti ishte kthyer në pikën zero sërish. Vendimi për ta dënuar Shaban Gogajn ishte dënuar muaj më parë. Ai u dënua me shtatë vjet e gjysmë burgim për veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”.

Arsyetimi i Gjykatës së Apelit

Pikërisht kualifikimi i veprës penale ka qenë një nga vërejtjet kryesore që ka pasur Gjykata e Apelit. Sipas tyre, nuk janë marrë të gjitha prova parasysh, dhe ka ardhur deri te aktgjykimi i shkallës së parë.

“Përkundër asaj që është bërë rihapja e shqyrtimit gjyqësor, megjithatë nuk ka mundur gjykata e shkallës së parë, që të vërtetoj motivin e kryerjes së veprës penale, i cili është me rëndësi sepse në pikën I të dispozitivit të aktgjykimit, nuk ka paraqitur kurrfarë motivi të kryerjes së veprës penale, andaj si i tillë dispozitivi ka mbetur i mangët”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.

“Po ashtu gjykata e shkallës së parë, është dashur që në aktgjykim të jep konstatimin pasi që ka dëgjuar ekspert nga kjo çështje penale, sikurse janë, eksperti i balistikës, eksperti mjeko ligjor, ekspertët e krim teknikes, nga të cilat ekspertiza me siguri që do të vërtetohej secila vepër penale në rastin konkret është kryer nga ana e këtu të akuzuarit”, thuhet më tutje.

“Gjykata e shkallës së parë, ka ngritur aktakuzë kundër të akuzuarit Sh.G., dhe I.C., dhe në këtë çështje penale ka vlerësuar në masë të duhur të gjitha provat të cilat i ka proceduar, mirëpo nuk ka vërtetuar se për cilën vepër penale është dashur që të shpallet fajtor i akuzuari Sh.G., dhe se të gjitha veprimet e ndërmarra gjatë hetimeve, kanë pasur mbështetjen e duhur ligjore. Sa i përket kësaj çështje penale nga të gjitha provat personale si dhe ato materiale, nuk mund të vërtetohet ekzistimi i veprës penale të vrasjes nga pakujdesia, sikurse është shpallur fajtor këtu i akuzuari”, ka vendosur Apeli.

“Po ashtu aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është ankimuar dhe për shkak të shkeljeve të ligjit penal, duke theksuar se në këtë çështje penale, fillimisht është filluar shqyrtimi gjyqësor për shkak të veprës penale të vrasjes së rënd nga neni 179 par.1 nën par.1.5 të KPK, duke pasur parasysh të gjitha karakteristikat e kësaj vepre penale si dhe dispozitën përkatëse ligjore, mirëpo më pastaj është bërë rikualifikimi i së njëjtës, që parashtrohet pyetja se vepra për të cilën është shpallur sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Pejë, PKR.nr.43/2019, të dt.14.12.2022, vrasje nga pakujdesia, a i përmbushë elementet e ekzistimit të së njëjtës, duke pasur parasysh mënyrën e kryerjes së veprës penale, elementet e figurës së kryerjes së të njëjtës, që ndërlidhen me veprimet e të akuzuarit Sh.G.”, thuhet në këtë vendim.

Tash pritet fillimi i rigjykimit lidhur me rastin e vrasjes së Agonis Tetajt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat