Shala për situatën në veri: Fajtorë janë politikat hegjemoniste të Serbisë e moskoordinimi i Qeverisë me aleatët

Aktuale

Shala për situatën në veri: Fajtorë janë politikat hegjemoniste të Serbisë e moskoordinimi i Qeverisë me aleatët

Më: 30 maj 2023 Në ora: 14:35
Ferat Shala

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, konsideron se gabimet e Qeverisë së Kosovës e kanë sjellë situatën në veri të vendit. Ndër faktorët kryesor të kësaj situate janë politikat siç i quan hegjemoniste të Serbisë dhe moskoordinimi i Qeverisë së Kosovës me partnerët ndërkombëtarë.

Tash e një javë, veriu i Kosovës është bllokuar pas protestave të serbëve për të mos i lejuar kryetarët e katër komunave ta ushtrojnë detyrën e tyre. E fajtor për këtë situatë sipas Shalës është Qeveria e Kosovës, pasi tha se ekzekutivi kosovar ka dështuar që të koordinohet me partnerët ndërkombëtarë.

Shala kërkon që ekzekutivi të ketë koordinim me ndërkombëtarët dhe unifikim me spektrin vendor.

Para se të jep mendimin përfundimtar, duhet të identifikojmë faktorët të cilët po na sjellin në këtë (situatë). Në një faktor kryesor destabilizues deri në këtë shkallë të rrezikshmërisë së lartë është Serbia me politikat hegjemoniste e për të cilat konsideroj se gjithë opinioni politik dhe jo politik e njohin dhe jemi pajtuar që e kemi një fqinj të tillë. Faktori i dytë, shumë i rëndësishëm vendimtar që do duhej të ishte është Qeveria e Kosovës por që fatkeqësisht ka dështuar 100 për qind në aspektin e koordinimit me partnerët ndërkombëtarë, me ShBA-në dhe Bashkimin Evropian dhe Qeveria e Kosovës përsëri në këtë fushë ka dështuar në unifikimin e spektrit politik vendor”, tha Shala.

Nëse e kemi faktorin e parë Serbinë, faktori i dytë me gabimet jashtëzakonisht të rënda politike dhe strategjike po bënë me sjelljen e saj në raport me partnerët ndërkombëtarë dhe me faktorin e brendshëm politik. Në këtë relacion tashmë pozicionet janë të qarta, na duhet 100 për qind koordinim me partnerët e me të cilët e kemi bërë këtë shtet, urgjentisht Qeveria duhet të reflektojë në raport me partnerët ndërkombëtarë dhe po ashtu urgjent me aq shpejtësi duhet të reflektojë në raport me spektrin e brendshëm politik”, u shpreh Shala.

Shala tha se situatë të njëjtë kanë pasur edhe në vitin 2017, ku atë kohë ishte rrënuar muri ilegal i ndërtuar nga autoritetet komunale të Mitrovicës së veriut. Ai tha se vendime të tilla janë marrë në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare.

Po e marr një shembull të thjeshtë. Ne kemi pasur situata të eskalimit edhe në të kaluarën por gjithmonë i kemi zgjidh me partnerët ndërkombëtar, gjithmonë e kemi zgjidh me dialog, gjithmonë e kemi zgjidh pas konsultimeve dhe pas shterimit të të gjitha mekanizmave politik brenda dhe jashtë vendit. Rasti i freskët është rasti i murit, orvatjet hegjemoniste të Serbisë për ndarje të veriut kanë qenë gjithmonë, kanë ndërtuar mure brenda natës por e kemi rrënuar pas bisedimeve të gjata në zyrat e Kryeministrisë me partnerët ndërkombëtarë dhe me përfaqësuesit e komunitetit serb”, u shpreh Shala për EO.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat