Ish-ambasadori Ukshini për raportin Kosovë-Shqipëri: Jemi një komb, por nga 2008-ta jemi dy shtete fqinje

Aktuale

Ish-ambasadori Ukshini për raportin Kosovë-Shqipëri: Jemi një komb, por nga 2008-ta jemi dy shtete fqinje

Më: 7 qershor 2023 Në ora: 21:21
Sylë Ukshini

Ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini, tha se të qenurit një komb me Shqipërinë, është ajo pjesa emocionale dhe romantike, por në kuptimin e shtetit, thotë ai, duhet të pranojmë se nga viti 2008, jemi dy shtete fqinje.

“Në këto marrëdhënie ka shumë probleme, por kini parasysh, ne vërtetë jemi një komb, kemi një gjuhë, kemi një histori, por kjo është ajo pjesa më se emocionale dhe romantike. Në kuptimin e shtetit, të administratave, ne duhet ta pranojmë, nga 2008 jemi shtete fqinje dhe këtu ka procedura dhe nuk ecim në kuptimin me dëshirat, me dinamikat që dëshirojmë. Shpesh herë, iniciativat private, mediat, intelektualët ose nismat e individëve të caktuar, ecim përpara”, tha Ukshini.

Ai tha se që nga mbledhja e përbashkët në janar të vitit 2014, ka pasur progres në raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë, por sipas tij, duhet të bëhet më shumë në këtë drejtim.

“Nëse e marrim dinamikën e raporteve ose mbledhjen e parë me 11 janar të vitit 2014, mendoj se ka pasur progres. A duhet të bëhet më shumë, pa diskutim duhet të kritikojmë edhe më fuqishëm, sepse i japin shtytje. Unë kam qenë pjesë e atij mekanizmi dhe shpeshherë kritikat kur janë bërë, kemi thënë ‘ndalu se kjo pikë është e dobët, duhet të korrigjohet, duhet të kërkohet, duhet të ecët”, tha Ukshini.

Aspekti ekonomike, sipas tij, do duhej të ishte fusha me prioritetin më të lartë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shqipërisë, në mënyrë që këto dy shtete të mund të
bëhen konkurrues në rajon.

“Unë mendoj se ka shumë gjëra, dhe një nga letrat kur e kam bërë në fund në përshëndetje të misionit tim, kam thënë ‘ne duhet të kemi në kuptimin e fushës ekonomike prioritete të larta në kuptimin me produkte strategjike’. Çfarë nënkupton, ajo çfarë prodhon Kosova, Shqipëria të mos investojë por të krijojë treg. Atë që e prodhon Shqipëria, të krijojë treg Kosova. Kështu do të bëhemi konkurrues në rajon”, vlerësoi Ukshini. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat