Përplasje dhe fishkëllima në Kuvend, kjo është lëvizja e fundit e opozitës

Aktuale

Përplasje dhe fishkëllima në Kuvend, kjo është lëvizja e fundit e opozitës

Nga: Bota sot Më: 13 korrik 2023 Në ora: 07:11 Përditësuar në ora: 11:37 më 13.07.2023
Kuvendi i Kosovës

Rrahja e turpshme në Kuvend, Konjufca thërret policinë

Pozitë e opozitë janë përfshirë në një rrahje masive në Kuvendin e Kosovës.

Gjithçka filloi kur ndaj kryeministrit Kurti u hodh ujë nga një deputet i opozitës.

Kryekuvendari Konjufca e ka thirrur policinë për të ndërhyrë.

Godet ministri Murati

Derisa kryeministri Kurti ishte duke folur në foltoren e Kuvendit ka shpërthyer dhuna.

Shihet duke u goditur ministri Hekuran Murati.

Përleshje në Kuvend mes pozitës dhe opozitës

Në Kuvendin e Kosovës ka ndodhur një përleshje ndërkohë sa po mbante fjalim, kryeministri Albin Kurti.

Raportohet se në ato momente, Kurti është spërkatur me ujë, derisa edhe ka pasuar regimi i të pranishëve

Haki Abazi i drejtohet Kusari-Lilës e Kurtit pas audio-incizimit me Simiqin: Çfarë po kërkoni në Kuvend

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, ka marrë fjalën sot në Kuvendin e Kosovës dhe ka folur për audio-incizimin ku dëgjohet Mimoza Kusari-Lila duke biseduar me zyrtarin e Listës Serbe, Slavko Simic.

Abazi ka thënë se për Kurtin janë dy problematika, besimi dhe demokracia, dhe sipas deputetit Abazi, Kurti s’ka as besim as demokraci.

Ai ka pyetur Kurtin dhe Kusari-Lilën se çfarë janë duke kërkuar në Kuvendin e  Kosovës.

“Në këtë foltore kam thënë dy gjëra që janë problematike për z. Kurti. Besimi dhe Demokracia. As s’ka besim as demokraci.

Nëse një shefe e GP e imponuar nga Kurti në emër të GP I fyen veteranët dhe kolegët. Nuk e di çka lyp kjo me kanë këtu në këtë vend.  Ca është tu lyp ky njeri këtu, që I ka bo krejt makinacionet e mundshme në emër të patriotizmit.

Ky njeri thotë në Podujevë, unë s’e kam taku. Ama pse e ka taku shefja e GP parlamentar nuk është e rëndësishme. Puritanizmi i Kurtit është I rëndësishëm.

E ju ish-kolegët e mi, përfshirë z. Gani Krasniqi, duhet me e ngrit zanin.

Është lehtë me godit me polici të fejsbukut, e me shantazhu edhe parlamentin e Kosovës”, ka thënë Abazi.

Lushtaku: Mimoza Kusari është instrument i Albin Kurtit

Deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, e ka quajtuar Mimoza Kusari-Lilën “instrument” të Albin Kurtit, sa për t’ia “akomoduar” interesat Milan Radojicicit.

Në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës, deputeti Lushtaku tha se ndjen keqaradhje për qytetarët që janë mashtruar nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Fytyra e vërtete e tyre po del në sheh. Ndjej keqardhje për qytetarët që janë mashtruar nga VV dhe ende po mundohen mi kamuflu, po del që ka folë ma shumë se 200-300 minuta, po ndoshta muhabeti ju ka pëlqy e po ju doket shkurtë”, tha Lushtaku, duke përmenduar incizimet që i dolën Kusari-Lilës me deputetin e Listës Serbe, në të cilën konfirmohet biseda e saj me Radojicicin.

Sipas tij Qeveria Kurti është demagoge.

“Kjo qeveri është vetëm demagoge dhe përrallat nuk hahen sepse u shtrejtu çdo çmim në jetën e përdisthme si shkak i keqqeverisjes dhe konfliktit në veri”, tha ai.

“Çdo ditë po dëshmohet se kjo qeveri ka skandale, po e çon Kosovën në humnerë”, u shpreh ai.

Gashi përmend disa skandale, thotë se komunikimi mes Kusari-Lilës dhe Simiqit është bërë me “izë” të Kurtit

Shefi i Grupit Parlamentar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Arben Gashi ka drejtuar një sërë kritikash ndaj Qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit Albin Kurti, duke ia përmendur dhe disa skandale.

Gashi nga seanca e Kuvendit të Kosovës tha se kryeministri i Republikës së Kosovës dhe qeveria e tij dallohen për skandale në vazhdimësi.

Ai përmendi audio-incizimet mes shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila dhe shefit të Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Sllavko Simiq.

Gashi tha se komunikimin mes Kusari-Lilës dhe Simiqit është bërë me “izën” e Kurtit.

“Skandali i një komunikimit me një person i cili është në kërkim nga organet e drejtësisë së Kosovës dhe është në listë të zezë nga ShBA-të, pra me izën e tij pasi ky ka thënë që duhet me i bo numrat në kuvend me çdo kusht është një skandal shumë shumë shumë i madh dhe ky kuvend nuk mund të përballojë një gjë të tillë. Pra nuk pres përgjigje nga kryeministri sepse kjo është bërë me izën e tij, pasi ai tha se ajo e ka për detyrë me i bo numrat dhe nëse ia ka dhënë për detyrë më i bo numrat ia ka dhënë për detyrë me bo komunikimin.

Dhe komunikimin ia ka dhënë për detyrë mos me bo me deputet shqiptarë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Mua asnjëherë nuk më ka thirr më pi kafe me bisedu…”, tha Gashi.

Ai po ashtu përmendi dhe disa skandale tjera: “Por ky nuk është i vetmi skandal. Skandali tjetër është marrëveshja e cila është bërë në Sllovaki nga zëvendëskryeministri i cili thotë se duhet të tërhiqen 25 për qind forcat speciale në veri dhe 25 përqindëshi tjetër në vazhdimësi. Dhe vet kryeministri e jep përgjigjen për këtë çështje, sepse unë e kisha një pyetje ‘kryeministër cili është rezultati në veri?’ dhe kryeministri tha ‘Kosova tash është në një situatë të pafavorshme sepse është nën sanksione dhe nuk është palë e pabarabartë në bisedime’. Dhe vazhdojnë skandalet e kësaj qeveria sepse ministria e MPJ-së thotë që BE-ja është një tigër prej letre dhe vet kryeministri vazhdon skandalet kur thotë se sekretari i ShBA-së na qenka naiv në raportet rajonale dhe Ballkanike”, ka thënë Gashi. 

​Rrustemi: Duhet të hiqen masat negative për Kosovën

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi deklaroi sot se dakordimi për shtensionim me Bashkimin Evropian, nënkupton edhe heqjen e masave ndaj Kosovës. Sipas tij, marrëveshja e arritur të hënën është në përputhje me qëndrimin e institucioneve të Kosovës. Ai shtoi se gjendja në terren lejon zvogëlimin gradual të prezencës së policisë rreth ndërtesave komunale.

Gjatë deklarimit jashtë rendit të ditës, deputeti i shumicës parlamentare tha se akuzat për mos koordinim dhe izolim ishin kërkesa për dorëzim dhe vazhdim të qeverisjes si në dekadat e kaluara.

Rrustemi: Ky dakordim është në përputhje me gjendjen në terren

“Ky dakordim është në përputhje me gjendjen në terren, pas zgjedhjeve komunale në katër komunat në veri të vendit me 23 prill të këtij viti dhe qëndrimin e qeverisë për sundim të ligjit dhe sjellje para drejtësisë të personave përgjegjës për akte të dhunës në fund të muajit maj dhe fillim të muajit qershor. Po ashtu, ky dakordim është në përputhje me qëndrimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për mundësinë e zgjedhjeve të hershme në katër komunat në veri të vendit. Prezenca e njësive të policisë ka qenë në përputhje me situatën e krijuar. Gjendja në terren tani lejon për zvogëlim gradual të prezencës së policisë në dhe rreth ndërtesave të komunave në katër komunat në veri të vendit”, tha ai.

Rrustemi u shpreh se objektet e komunave janë pronë e republikës dhe aty duhet të shërbejë kryetari i zgjedhur. Po ashtu, ai theksoi se flamuri i Kosovës e ka vendin në objektet në fjalë.

Rrustemi: Masat negative duhet të hiqen nga BE

“Ky dakordësim që u arrit të hënën, mund të arrihej edhe me 22 qershor të muajit të kaluar në Bruksel, pasi këto ishin ngaherë qëndrime të institiconeve të Republikës së Kosovës. Sundim i ligjit, ulje proporcionale e prezencës së policisë, zgjedhje të hershme dhe kthim tek tryeza e dialogut për zbatim të plot dhe pa kushte të marrëveshjes bazë për normalizim të marëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Ky dakordim me Bashkimin Evropian për deeskalim dhe normalizim nënkupton edhe kthim të balancit në tavolinën e dialogut. Kjo nënkupton që masat negative të njëanshme dhe të përkohshme duhet të hiqen dhe do të hiqen nga Bashkimi Evropian”, shtoi Rrustemi.

Me fillimin e fjalimit të Rrustemit, deputetet e Partisë Demokratike të Kosovës vendosën në foltoren e Kuvendit të Kosovës, pankartë me mbishkrimin “Zdravo”. Deputetet e opozitës, Floretë Zejnallahu dhe Blerta Deliu Kodra vendosën pankartat në foltore dhe pranë ulëses së kryeministrit Albin Kurti.

Deputetja Eliza Hoxha u drejtohet me “Zdravo” deputetëve të LVV-së: Jeni kapur nga krimineli Radoiçiq

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka përmendur çështjen e audio-incizimeve mes Mimoza Kusari-Lilës dhe Slavko Simiqit, ku përmendet edhe krimineli Milan Radoiçiq.

Në nisje të fjalimit të saj, Hoxha u është drejtuar deputetëve të LVV-së me “Zdravo”.

Ajo ka thënë se qytetarët janë shokuar nga ajo çfarë kanë dëgjuar.

“Sa tronditës është nënshtrimi ndaj Slavko Simiq dhe Radoiçiqit për punët elementare të këtij Kuvendit po aq tronditës është qarja e hallit me punëtorin e Radoiçiqit për çështje të rëndësishme të interesit tonë shtetëror. Për çështjen e krenarisë tonë kombëtare, veteranëve të UÇK. Akuzoj para Slavkos njërin ndër komandantët më të shquar të UÇK, Ramush Haradinaj, akuzoi PDK-në për të cilën në të njëjtën bisedë Radoiciqi u ankua që PDK ja ka nxirë jetën dhe do ta luftoj atë deri sa të jetë gjallë, e fyeu rëndë nënkryetarin Uran Ismaili e shpifi ndaj shefit të Grupit Parlamentar Abelard Tahiri”, ka thënë Hoxha.

Deputetja e PDK-së më tej shtoi se shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, u koordinua me Radoiçiqin për energjinë në veri, u koordinuar për t’i thënë jo kërkesës së qindra qytetarëve për tërheqje nga Trusti dhe duke fyer në mënyrën më të ulët deputetin Bekim Haxhiu

“Çfarë duhet të ndodh më shumë për të kuptuar që ju jeni të kapur nga krimineli që është në listën e zezë të Amerikës, e që ka urdhërarrest nga Prokuroria”, tha Hoxha. 

Në foltoren e Kuvendit ngjitet pankarta “Zdravo”

Dy deputetet e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu dhe Floretë Zejnullahu, kanë zhvilluar një aksion simbolik në seancën e Kuvendit këtë të enjte.

Në foltoren e këtij institucioni ato kanë vendosur një parullë ku shkruan “Zdravo” që në shqip do të thotë “Përshëndetje”.

Kujtojmë se, këto ditë janë publikuar disa audio-incizime të një bisede mes shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila si dhe Sllavko Simiqit nga Lista Serbe.

Këto audio-incizime të publikuara nga gazeta “Nacionale”, ku përfshihen Kusari-Lila dhe Simiqi në një bisedë mes vete, kanë nxitur debat në opinion. Opozita po akuzon pushtetin se ka koordinuar veprimet e tyre me Listën Serbe në projektligjet e ndryshme në Kuvend.

Ndërkaq, nga partia në pushtet kanë thënë se audio-incizimet janë redaktuar, prerë e gjymtuar dhe se “qeveria jone ka zero varësi nga Lista Serbe”. 

Mblidhet Kuvendi, në rend dite zgjedhja e guvernatorit të BQK-së

Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë plenare. Në rend dite është edhe zgjedhja e guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Seanca do të nisë në ora 10:00.

Seanca do të fillojë me deklarimet jashtë rendit të ditës, pyetjet parlamentare, votimi në parim i Projektligjit për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,  votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFË, Frankfurt Am Main (KFË) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit, votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”, votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë, votimi në Parim i Projektligjit për tekstet shkollore, shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar, shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për procedurën përmbarimore, Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Mjekësinë Ligjore,  shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë dhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-191 për Ekspertët Gjyqësor,

Po ashtu do të bëhet shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për zhvillim rajonal të balancuar, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve ngjitëse, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Energjinë, shqyrtimi i parë i Projektligjit për përfaqësimin e institucioneve shtetërore në procedura gjyqësore dhe arbitrazh, shqyrtimi i parë i Projektligjit për kadastër të pronës së paluajtshme, shqyrtimi i parë i Projektligjit për Fondin sovran të Republikës së Kosovës, shqyrtimi i Raportit me rekomandim për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Ndërmjetësim dhe shqyrtimi i Raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për kontrollin e duhanit dhe të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kontrollin e duhanit.

Po ashtu sot do të bëhet edhe formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e 2 (dy) anëtarëve nga radhët e komunitetit shqiptarë në Komisionin e Pavarur për Media, emërimi i kryesuesit dhe i një (1) anëtari të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, zgjedhja e Komisionerit Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës, zgjedhja e anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, zgjedhja e një (1) anëtari të Komisionit për Kërkesa Pronësore në Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, emërimi i kryesuesit dhe i anëtarëve të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës dhe shqyrtimi i  Propozim -Vendimit të Qeverisë  së Republikës së Kosovës për shkarkimin e znj. Kimete Gashi nga pozita e anëtares së Organit Shqyrtues të Prokurimit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat