Klasat 6 – 9 kanë mungesë të librave

Aktuale

Klasat 6 – 9 kanë mungesë të librave

Më: 6 shtator 2023 Në ora: 22:48
Libra

Qytetarët po vazhdojnë të presin nëpër librari për t`i blerë librat. Sipas librashitësve, pritjet e gjata po shkaktohen për shkak se ka interesim të madh edhe nga komunat e tjera.

Ndërkohë, në Prishtinë klasat nga 1 deri në 5 janë furnizuar me të gjitha tekstet shkollore, por problemi po qëndron tek nxënësit e klasave 6 deri në 9 për shkak se është rritur numri i nxënësve dhe nuk kanë libra mjaftueshëm.

Po vazhdojnë pritjet e prindërve nëpër librari për t’i blerë tekstet shkollore për fëmijët e tyre. Ndërkaq, shitësit e librave thonë se janë të furnizuar, por e pranojnë se shpesh mbesin pa ta.

“Ne për momentin jemi të furnizuar komplet me librat e shtëpive botuese, ka pas raste kur kemi mbet pa një tekst që ka qenë mangu por jemi furnizuar gjatë ditës”, Arben Bajoku, menaxher i librarisë për RTK.

Sipas librarive, tollovitë po shkaktohen për shkak se prindërit po vijnë edhe nga komunat e tjera.

“Kemi pasur raste të shumta nga Komunat siç është Lipjani, Obiliqi këto që janë në rrethin të Prishtinës ka pas shumë të interesuar për me ardh me ble libra që kanë ardh prej komunave tjera. Ne e kemi librarinë edhe në Podujevë dhe Fushë Kosovë, ka pas raste që nga Podujeva kanë ardh sepse atje ka pas radhë të gjata të njerëzve sepse janë vetëm 2 librari që mbajnë tekste shkollore”, Arben Bajoku, menaxher i librarisë.

Furnizimi me libra nëpër shkolla është i ndryshëm. Por, drejtorët e shkollave në kryeqytet ankohen se ka më pak libra sesa kërkesa e nxënësve nga klasa e 6 deri në të 9-në.

“Për fat të mirë nxënësit në klasën time janë të furnizuar me mjete shkollore në përjashtim të disa botimeve të cilat nuk po mundem me i gjet për çka që janë shpenzuar sasitë. Kemi p.sh. librin “Njeriu dhe Natyra” e kasës së 5-t të cilën e kanë siguruar  e që po mundohemi bashkërisht që t’i realizojmë edhe orët mësimore në këtë lëndë. Ndërsa për librat tjera nuk kemi hasur vështirësi”, Naxhije Fejzullahu, mësuese klasore në shkollën “Emin Duraku” Prishtinë.

“Të ciklit 6-9 e kemi pak më problem sepse ne i kemi kthyer të vjetrat, gjenerata që ka shkuar i kanë kthyer prapa. Problem është çështja e numrit të nxënësve, ne i kemi pas gjenerata që ka shkuar, numri i tyre ka qenë më i vogël e tani pak është rrit numri i nxënësve”, Visar Osmani, drejtor i shkollës fillore “Emin Duraku”, Prishtinë.

 “Për ciklin 6-9 shkollën e mesme të ulët, në qershor ne i kemi shpërndarë nga gjeneratat në gjeneratë, ka probleme të disa klasë ku dallon numri i nxënësve nëpër klasë p.sh të gjenerata e klasave të 7-ta vitin e kaluar ka qenë numri më i vogël kurse këtë vit është numri më i madh dhe ka disa nxënës që kanë mbet diku 12 komplete libra mungojnë”, Shpresa Shala, drejtoresh e shkollës fillore “Xhemajl Mustafa”  Prishtinë.

Furnizimi me libra për nxënësit e shkollave fillore sivjet u është lënë në përgjegjësi prindërve, pasi që Ministria e Arsimit nuk arriti një marrëveshje me Shtëpitë Botuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat