Vrasja e Liridona Ademajt, gazetari nga Shqipëria: Gazetaria e Tiranës infektoi edhe atë të Kosovës, ja çfarë tha një koleg nga Prishtina

Aktuale

Vrasja e Liridona Ademajt, gazetari nga Shqipëria: Gazetaria e Tiranës infektoi edhe atë të Kosovës, ja çfarë tha një koleg nga Prishtina

Më: 7 dhjetor 2023 Në ora: 22:38
Liridona Ademaj

Gazetari Andi Tela tha se vrasja e Liridona Ademajt u pasua nga një interes shumë i lartë mediatik në Shqipëri dhe gazetaria shqiptare "infektoi" edhe atë të Kosovës.

Sipas Telës, për herë të parë edhe mediat e Kosovës nisën të publikonin detaje të dosjes hetimore, një praktikë normale kjo në Tiranë, por aspak normale në vende të tjera.

“Vite më parë kur në tregun shqiptar kishte shumë gazeta, edhe në tregun e Kosovës ka ende shumë gazeta, ata ndiqnin modelin gjerman dhe nordik dhe i mbyllnin gazetat në orën 17.00 dhe trajtonin tema politike, kombëtare, ndërsa në Shqipëri gazetat mbylleshin në orën 12 ose 1 të natës dhe kishin edhe lajmet e fundit me plagosje në Laç, apo vrasje, sipas modelit italian dhe sipas këtij modeli gazetarët trajnohen për ta ndjekur deri në imtësi, deri në banalitete. Shtimi i gazetave, portaleve dhe televizioneve, i gazetarëve të terrenit që merren me lajmet e kronikës i futi në konkurrencë që të gjejnë diçka më tepër, por kjo u kthye në gjueti hienash. Ti mund të shihje një bandë të madhe mikrofonësh që i viheshin prindit të viktimës, apo vrasësit dhe kërkonin reagimin pas një ngjarjeje të rëndë.

Në rastin e fundit gazetaria e Tiranës infektoi edhe atë të Kosovës. Unë po flisja me kolegë të Kosovës dhe thonin se është rasti i parë që ne merremi me kaq detaje me këtë ngjarje. Kjo është një ngjarje e rëndësishme, sepse kemi një çift që bëjnë jetë normale në Suedi, që vijnë në Kosovë dhe ajo vritet në një pritë, pas të cilës u dyshua bashkëshorti që ishte këshilltar i Behgjet Pacollit dhe këtu mblidheshin të gjitha pazëllat për të ndërtuar një telenovelë mediatike.

Ndërhyrja të pasnesërmen edhe e mediave nga Shqipëria, bëri që niste konkurrenca se kush do të jepte më shumë informacion. Dhe për herë të parë gazetarët e Kosovës arritën të merrnin elementë të dosjes, gjë që ndodhte më parë, filluan t’i artikulonin, ishin të ftuar në studiot e Tiranës dhe në studio kishte edhe këto elementët butaforikë kur të ftuarit filluan të hidhnin pista nga më të ndryshmet”, tha Tela për “Të paekspozuarit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat