Dëshmia e shqiptarit në gjyqin e Millosheviqit

Aktuale

Dëshmia e shqiptarit në gjyqin e Millosheviqit

Më: 27 maj 2024 Në ora: 20:55
Mahmut Halimi

25 vjet më parë filloi rënia e ish-presidentit jugosllav i njohur ndryshe si kasapi i Ballkanit, Slobodan Millosheviç.

Më 27 maj 1999, prokurorja Louise Arbor njoftoi për urdhër arrestin e lëshuar ndaj Sllobodan Millosheviçit dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij për krimet e kryera në Kosovë.

Gjykata e OKB-së mbi krimet e luftës në Hagë, konfirmoi se ka paditur presidentin jugosllav Slobodan Millosheviq si kriminel lufte.

Por ish-udhëheqësi serb nuk u arrestua deri në vitin 2001, ndërsa procesi gjyqësor në Hagë filloi në shkurt të vitit 2002.

Ndaj Slobodan Millosheviçit dëshmuan 295 dëshmitarë dhe 5000 prova u paraqitën në gjykatë.

E njëri nga dëshmitarët ishte edhe Mahmut Halimi nga qyteti i Mitrovicës.

Ai rrëfen momentin kur u pa sy më sy me diktatorin serb.

“Kam pasur emocione kur kam qenë në Tribunalin e Hagës për të dëshmuar kundër Millosheviçit. Nuk ishte e lehtë ta shihja një njeri i cili ishte shkaktar për gjithë ato krime dhe për gjithë ato vuajtje në Kosovë dhe në vendet e tjera të rajonit. E pyesja vazhdimisht veten se a është e mundur një krijesë e tillë me dukje njerëzore t’i bënte ato veprime”, tha Mahmut Halimi.

Tutje Halimi tregon se trupi gjykues ne në krye me Richard May kanë qenë jashtëzakonisht profesional në këtë proces.

“Trupi i gjykues në krye me Richard May kanë qenë shumë profesionist. Të gjitha ata kanë qenë të mirë informuar dhe të përgatitur për këtë proces gjyqësor. Çdo pyetje që iu ka interesuar e kanë shtruar në suazat e ngjarjeve të zhvilluara dhe dëshmive të dhëna të asaj kohe”, është shprehur Halimi.

Slobodan Milosheviç u gjet i vdekur në qelinë e tij në Hagë vetëm pak muaj para se Tribunali të merrte një vendim për të për akuza për genocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat