Zgjedhjet në Kosovën Lindore, Kurti u përgjigjet kritikave nga tubimi

Aktuale

Zgjedhjet në Kosovën Lindore, Kurti u përgjigjet kritikave nga tubimi

Më: 29 maj 2024 Në ora: 19:17 Përditësuar në ora: 19:39 më 29.05.2024
Tubimi i Kurtit

​Zgjedhjet në Kosovën Lindore, Kurti u përgjigjet kritikave: Ku më thërrasin, unë shkoj

Me sloganin “Me mendje dhe zemër” sot në Prishtinë u mbajt tubim mbështetës për zgjedhjet në Luginë, në të cilën morën pjesë kryeministri Albin Kurti, kandidatja për kryetare të Preshevës, Ardita Sinani, kandidati për kryetar të Bujanocit, Ragmi Mustafi, deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.

Në këtë tubim u theksua nevoja për të mbështetur Luginën për t'i tejkaluar pabarazitë që po u bëhen nga shteti serb.

Kurti ka thënë se zgjedhjet në Luginë janë mundësi unike për shqiptarët e atjeshëm, teksa sa i përket deklaratave të ndryshme se në këto zgjedhje po marrin pjesë vetëm dy deputetë, ai ka thënë se “shkon aty ku e thërrasin”.

"Lugina është simbol i shpresës dhe qëndresës, bart një trashëgimi të pasur kulturore, por edhe një potencial të madh zhvillimor. Vazhdon të jetë një ndër zonat më të ndjeshme, kemi parë shumë sfida qe ka kaluar Lugina, diskriminimi i vazhdueshëm, mungesa e qasjes në dokumente janë vetëm disa nga problemet që ballafaqohen shqiptarët. Qeveria ka punuar pa ndalur për të ofruar mbështetje sociale e ekonomike. Kemi investuar dhe do të vijojnë të investojnë për të ndihmuar komunitetin tonë atje, për të siguruar një jetë më të mirë për qytetarët atje. Tani me zgjedhjet qe po afrohen në Luginë kemi mundësi unike për të çuar përpara këtë bashkëpunim. Qeveria do të jetë gjithmonë krah tyre duke mbështetur zhvillimin në çdo hap. Më kanë thënë se nuk bënë të marrin pjesë vetëm dy kandidatë, por unë shkoj aty ku më thërrasin", tha Kurti.

Kandidatja për kryetare të Preshevës, Ardita Sinani derisa ka kërkuar nga qytetarët që jetojnë e punojnë në Kosovë, të vinë të dielën dhe të shfrytëzojnë të drejtën e votës, në mënyrë që të përmirësohet e ardhmja e Luginës përmes qeverisjes së shqiptarëve.

Ndërsa, kandidati për kryetar të Bujanocit, Ragmi Mustafi, ka theksuar se nuk mjafton vetëm mbështetja morale, porse Kosovë me Luginën duhet të ndërlidhën si kurrë më parë për të përmirësuar jetën e qytetarëve shqiptarë atje.

"Nuk mjafton vetëm mbështetja morale, ne duhet të ndërlidhemi si kurrë më parë edhe me Kamenicën, Gjilanin e Prishtinën, ju që jetoni këndej jeni dëshmia më e mirë. Sot ju shqiptarët e Bujanocit mund të shkoni në vatrat e juaja me targat RKS, mund të shërbeheni me shërbimet shëndetësore si të barabartë. Do të bëjmë çmos që bashkërisht t'i japim një të ardhme çdo shqiptari që jeton ne Bujanoc", tha ai.

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka shprehur besimin e tij se më 2 qershor do të fitojnë shqiptarët ndërsa ka shtuar se me ndihmën e Kurtit janë tejkaluar shumë sfida në Luginë ndër vite. Ai ka bërë thirrje që shqiptarët me të drejtë vote të votojnë për të mirën e vendit.

Kamberi: Presheva nuk mund të ekzistojë pa Prishtinën

Në tubim mbështetës për zgjedhjet në Luginë të Preshevës, Shaip Kamberi deputeti i vetëm shqiptar në parlamentin e Serbisë ka thënë se ndihet i kënaqur kur zhvillon takime në Prishtinë  iu bashkohet  kryeministri Kurti.

“Është emocion që pas 88-ës të vij në këtë amfiteatër. Për ne është kënaqësi kur zhvillojmë takime këtu në Prishtinë e që na i bashkohet edhe kryeministri Kurti. Me ndihmën dhe angazhimin e kryeministrit Albin Kurti ia kemi arritur. Insistimi ynë do të jetë më i madh, Presheva nuk mund të ekzistojë pa Prishtinën.

Ka një politikë që lufton të drejtat e qytetarëve, kryeministri ka zgjedh të mbështesë Luginën, shtetet e konsoliduara i mbështesin pakicat.

Përballë kemi një shtet diskriminues, betejë pas beteje do arrijmë t’ ia dalim. Shqiptareët e Preshevës nuk do jenë të nënshtruar ndaj Serbisë, do të luftojnë për barazi, liri e simetri. Këtu jemi për të kërkuar mbështetjen e tuaj, për të votuar më të mirën. Votuesi të zgjedh më të mirë e më të mirët janë në mesin tonë Artita Sinani e Ragmi Mustafa”, ka thënë Kamberi.

Pjesëmarrje e madhe në takimin që Kurti do e ketë me luginasit në Prishtinë

Në amfiteatrin e Fakultetit Juridik në Prishtinë pritet të mbahet një takim mbështetës i kryeministrit Albin Kurti për partinë që do të garojë në zgjedhjet e Serbisë, e që do të mbahen në Luginë të Preshevës.

Kurti është në mbështetje të Partisë për Veprim Demokratik nga Lugina e Preshevës.

Brenda amfiteatrit janë parë deputetë dhe figura të larta të Lëvizjes Vetëvendosje.

Përndryshe, Ardita Sinani, është kandidate për kryetare të Preshevës, teksa Ragmi Mustafi kandidat për kryetar të Bujanocit.

Këto zgjedhje do të mbahen më datën 2 qershor të këtij viti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat