“Rugova ishte Gandi i Ballkanit”, figura të shquara kujtojnë presidentin historik: Ja kush ia pamundësoi që ta shpallte pavarësinë

Aktuale

“Rugova ishte Gandi i Ballkanit”, figura të shquara kujtojnë presidentin historik: Ja kush ia pamundësoi që ta shpallte pavarësinë

Nga: Bota sot Më: 10 qershor 2024 Në ora: 11:32 Përditësuar në ora: 16:03 më 10.06.2024
Foto nga vendi i ngjarjes

Abdixhiku: Rugova ishte perëndimor në bindje, besim dhe sjellje

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se ish- presidenti Ibrahim Rugova ka qenë perëndimor autentik.

Në konferencën ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, ai ka thënë se Rugova ishte prijësi i popullit dhe se rruga e tij duhet të ndiqet nga të gjithë.

Abdixhiku: Evropa para se të jetë aleancë ushtarake, duhet të jetë bashkësi kulturore

“Është pikërisht Ibrahim Rugova, prijësi i popullit të Kosovës dhe perëndimi që u gjeten krahë nesh në orët tona më të rënda që na bëjnë bashkë sot këtu një çerek shekulli pas... Evropa para se të jetë aleancë ushtarake duhet të jetë bashkësi kulturore në kuptimin më të lartë të fjalës. E kjo filozofi si kulturë politike u bë busulla e orientimit politik për Ibrahim Rugovën dhe Lëvizjen më të madhe të shqiptarëve të Kosovës, atë për liri, demokraci dhe pavarësi. Rugova nuk ishte pro-perëndimor, siç mund të thuhet shpesh në fjalorin tonë përshkrues të udhëheqëseve që nxiten nga arsyet pragmatike e strategjikë që përfaqësojnë një drejtim të dhënë, ishte perëndimor në vetë kuptimin e fjalës. Nuk ishte pro perëndimor, ishte perëndimor në bindjen, besim dhe sjellje”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka thënë se mësimet politike të Rugovës janë të nevojshme, duke shtuar se perëndimi nuk është dëshira jonë, por identiteti ynë.

Abdixhiku: Duhet të gjejmë kurajën për veprim urgjent politik

“Presidenti ynë Evropën e mendonte si një bashkësi kulturore dhe shqiptarët si pjesëtarë të natyrshëm e rëndësishëm të kësaj bashkësie, duke e lidh ngushtë historinë e tyre me këtë qytetërim të madh, sepse Rugova ishte Perëndimor autentik, që besonte në autenticitetin e kombit të tij, Kosovën, Dardaninë antike, të cilën e dëshmoi me studime e veprime politike kudo e kurdo. Në sajë të filozofisë së tij, Kosova u përqafua nga perëndimi duke u përkrah e ndihmuar në të gjitha momentet e saj... 06:25 Rugova raportet me perëndimin nuk i konsideronte luks, as çështje interesi, ishte perëndimor me mendime e veprime...09:51 Vepra e Rugovës është mësim i mirë i një njeriu të mirë, dhe në gjithë absurditetin përplasës të sotëm tek i cili gjejmë sot veten si në habi disi, në gjithë këtë mes dridhje të paimagjinueshme të Kosovës në rrugëtimin tonë origjinal euroatlantik, me miq e aleatë, në pabesinë më të madhe të zareve që thyhen trashëgimi reale të Ibrahim Rugovës ne duhet të gjejmë vetëm kurajën për veprim të menjëhershëm politik, por edhe besimin ne bërjen e këtij rrugëtimi me plot bindje. Për ne perëndimi nuk është dëshira jonë, është identiteti ynë”, ka thënë Abdixhiku. 

Saraçini: Rugova ishte “babai i shoqërisë”

Gazetari Eugen Saraqini, tha se roli i presidentit historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës ishte tejet i madh.

Ai në një panel diskutues e quajti Rugovën si “baba i shoqërisë së asaj kohe”.

“Zhvillonte aktivitetet në favor të interesit të përgjithshëm”, tha Saraçini.

Saraçini tha se ishte një lider pro perëndimor.

“Studimet i kishte përfunduar në një vend perëndimor, frymonte në mënyrë perëndimore dhe reflektonte në mënyrë perëndimore”, tha ai.

Kjo konferencë u mbajt në vigjilje të 25 vjetorit të çlirimit të Kosovës, ku u diskutua rreth ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës dhe ndikimi i presidentit historik, Ibrahim Rugova.

Gashi: Ibrahim Rugova ishte besnik, e fjala e tij ishte testament

Alush Gashi, kryetari i Institutit për Marrëdhënie me Jashtë, ka thënë se ish-presidenti Ibrahim Rugova kishte një dashuri fisnike të pakushtëzuar për Kosovën dhe Shqipërinë.

Në konferencën ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, ai theksoi se presidenti historik i doli në ballë kundërshtimit të okupimit për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Ishte trim i urtë me dashuri fisnike të pakushtëzuar për Kosovë dhe Shqipëri, besimtar evropian me marrëdhënie të posaçme me ShBA-të, fliste me zë të ulët dhe dëgjohej larg, i rreptë e me heshtje godiste fuqishëm, kokëfortë për liri dhe pavarësi, besnik e fjala e tij ishte testament. Urtësia dhe largpamësia e Rugovës fuqizohet çdo ditë e më shumë, njihej dhe njihet si një nga personalitetet më të shquara të shekullit të shkuar”.

“Pëlqente konstatimin ‘Kosova është heroike, njeriu ynë i rëndomtë është diplomati më i mirë’. Doli në ballë të kundërshtimit të okupimit, për realizim të lirisë dhe pavarësisë si ëndërr të përbashkët, ishte i ndërgjegjshëm se së pari duhet të bindim ne, ne të bindemi dhe pastaj t’i bindim të tjerët”, ka thënë Gashi. 

Kelmendi: Miqësia dhe aleanca me shtetet Perëndimore ishin shërbimi i fundit i Rugovës ndaj Kosovës

Gazetari Adriatik Kelmendi ka thënë se presidenti historik, Ibrahim Rugova, ishte prijës i idesë për lirinë, çlirimin dhe shtetësinë e Kosovës.

Në konferencën ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi, Kelmendi theksoi se Rugova e bëri edhe një shërbim të fundit për kosovarët para se të vdiste, miqësia me aleatët

“Për të filluar këtë vështrim timin unë do të shkoja prapë në ditët kur Rugova mungonte më së tepërmi. Pra, ndodheshim ne një grup gazetarësh që kishim shkuar për të përcjell atë që ishte fillimi i finales së madhe, pra bisedimet nën OKB-në dhe nën udhëheqjen e presidentit Ahtisari, të cilat do të qonin tek statusi final i Kosovës që ishte dëshira e ëmbëltuar për të cilën kishte punuar doktor Rugova”.

“Derisa po mbylleshin dyert e rëna prej druri në Vjenë në një pallat me stil barok. Një natë më parë të gjithë e kishin biseduar se si nuk ishte kështu doktor Ibrahim Rugova. Ai kishte sjellë gjithçka edhe idenë kur duhet në mënyrë paqësore të fitohen aleatët edhe kur duhet të lëshohet pak hapësirë për aleanca të tjerë mes shqiptarëve, siç u tregua edhe me Konferencën e Rambujesë”.

“E dimë edhe ato bisedime ishte shkurti i viti 2006 kishin filluar me një muaj vonesë, shkaku ishte fatkeqësisht ndarja nga jeta e doktor Ibrahim Rugovës. Ai e kishte bërë edhe një shërbim të fundit dhe ai shërbim ishte miqësia dhe aleanca që i kishin lidhur dhe që u kthyen madje edhe në formën e një varrimi madhështor në çfarë këto troje nuk është parë ndonjëherë, edhe me ikjen e tij në amshim pamë ministra nga të gjitha shtetet e BE-së, sekretar të ShBA-së, burrështetas nga e gjithë Evropën erdhën për të betonizuar idenë e tij se Kosova do të bëhej shtet”, ka thënë Kelmendi. 

Fevziu: Rugova krijoi ëndrrën e një Kosove të pavarur

Gazetari nga Shqipëria Blendi Fevziu, ka folur rreth rolit të presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, rreth ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës.

Fevziu tha se Rugova “krijoi ëndrrën e një Kosove të pavarur”.

“E para ishte ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës dhe dalja nga izolimi i plotë në territor, në një publik ndërkombëtar në kancelaritë evropiane. E dyta që është unike në gjithë globin, është ndërtimi i sistemit paralel. Të arrije të mblidhje taksat tek shqiptarët në 100 shtetet e botës, kuptohet i jepnin me dëshirë. Por, të ndërtosh një sistem paralel pa pasur asnjë mjet financiar, duke pasur një sabotim të sistemit asokohe të Serbisë, është një mrekulli”, tha ai.

“Një gjë është e sigurtë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk do të kishte dalur pa rezistencën paqësore dhe organizimin e shqiptarëve dhe kjo është e sigurtë. Por, nga ana tjetër as rezistenca paqësore do të ishte e pamjaftueshme për të çuar drejt një Kosove të pavarur”, theksoi ndër të tjera autorit i emisionin Opinion.

Përveç tij në panelin e dytë po marrin pjesë edhe gazetari dhe autori i emisionit Rubikon, Adriatik Kelmendi, gazetari Eugen Saraçini dhe ish-ministri dhe themeluesi i Institutit për Marrëdhënie me Jashtë, Alush Gashi.

Sot, Lidhja Demokratike e Kosovës sot për nder të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës po e mban konferencën ndërkombëtare me temën “Rugova dhe perëndimi”.

Rama: Pa Ibrahim Rugovën s’do të kishte UÇK

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka lartësuar figurën e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, duke thënë se pa të nuk do të kishte Ushtri Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Sipas tij, pa politikën e tij afruese me aleatët, nuk do të jehonin as armët e ushtarëve të UÇK-së bashkë me bombardimet e NATO-s mbi Beograd.

Në Konferencën Ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, Rama ka thënë se “po flas sot mbi njeriun që e ka shënjuar historinë e shqiptarëve”.

“Në përvojën e tij që e krijonte përmes adresimeve të shumta, lind edhe një trashëgimi të vyer për brezat e ardhshëm dhe pikërisht nga këmbëngulja gërryese e përroit që rrodhi urtësisht u bë e mundur edhe hapja e shtratit ku mori jetë Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe sot është e qartë se kurrë se pa Ibrahim Rugovën nuk do të kishte pasur UÇK”, ka deklaruar Rama.

Kreu i Qeverisë shqiptare, ka theksuar se s’ka politikan tjetër si Rugova.

“Ai ishte i papërsëritshëm dhe i pashpjegueshëm deri në fund se si arriti t’ua imponojë njerëzve rrjedhën e politikës së tij. Rugova i dha popullit të tij një forcë të panjohur ndonjëherë në trojet tona”, ka deklaruar Rama.

Sipas tij, Rugova ka besuar verbërisht tek aleancat dhe aleatët.

Ai ka thënë se Rugova i dha Kosovës aleancën me ndërkombëtarët si pasuri natyrore që vendi i tij nuk e kishte.

“Presidenti Rugova ishte president i shpresës në mes të shtypjes së shpresës. Ishte lider i pazakonshëm në Ballkan”, ka theksuar Rama.

Sipas tij, Rugova ishte i vetmi në këtë vend që kishte kuptuar se konflikti nuk është rruga për drejtësi afatgjate.

“Frikë se Rugova do ishte kundër bombardimeve të NATO”, D’Alema tregon telefonatën me Clinton

Massimo D'Alema, ish-kryeministri i Italisë, sot në 25-vjetorin e Çlirimit të Kosovës, ka treguar një episod që protagonistë kryesor kanë qenë ish-presidenti Ibrahim Kosova dhe Bill Cliton.

Në fjalën e tij në konferencën ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, D'Alema tregon se Cliton ka qenë i shqetësuar sepse mendonte se ish-presidenti do të dilte kundër bombardimeve të NATO-s në ish-Jugosllavi.

Mirëpo, në konferencën e parë për mediat, Rugova vërtetoi të kundërtën, madje falënderoi NATO-n për ndërhyrjen dhe shpëtimin e popullit të Kosovës.

“Më kujtohet që shqetësimi i Clinton, ishte se pacifisti Rugova në momentin që do të lirohej, do dilte kundër bombardimeve të NATO-s. Mirëpo, në konferencën e parë për mediat, Rugova ka falënderuar NATO në mbrojtjen e popullatës së tij, më kujtohet kur Clinton më ka kontaktuar dhe më ka falënderuar dhe unë i kam thënë “duhet të falënderosh Rugovën, sepse lirshëm ka shprehur mendimin e tij”, tha Massimo D'Alema.

Presidenti i Akademisë Papnore për Jetë: Rugova e donte popullin dhe vendin e tij, ishte Gandi i Ballkanit

Vincenzo Paglia, president i Akademisë Papnore për Jetë, ka thënë se është i nderuar dhe i lumtur për pjesëmarrjen në konferencën ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi” që është duke u mbajtur sot në KlanArena.

Ai para të pranishmëve ka thënë se presidenti historik, Ibrahim Rugova, ishte vizionar për vendin e tij, Ballkanin dhe një Evropë me Ballkanin Perëndimor brenda saj.

“Presidenti Ibrahim Rugova ishte kolos fragjil i Kosovës. Ai e drejtoi vendin e tij drejt pavarësisë, ai është një nga personalitetet më të shquara ballkanike të shekullit të XX-të. Prej kur ishte president Ibrahim Rugova qëndroi besnik qëllimit për arritjen e pavarësisë së plotë të këtij vendi edhe kur filloi të negocionte një marrëveshje shkollash dhe universitetesh me Beogradin në vitin 1995, ai nuk e braktisi kurrë qëllimin e pavarësisë”, ka thënë Paglia.

Ndër tjera, Paglia theksoi se Rugova ishte një mik shumë i mirë i tij, i cili e bëri të dashuronte popullin e tij, kosovar.

“Ai ishte një person i edukuar, ai e donte vendin e tij, kjo tregohej edhe për krenarinë dhe dashurinë që e shfaqte edhe për mineralet e vendit të tij. Në Itali dhe përtej ai ishte i njohur si Gandi i Ballkanit, e mirëpres atë titull dhe e mbroj atë titull me lehtësi për Rugovën” , ka thënë Paglia.

Përvjetori i çlirimit të Kosovës, Rama: Rugova, njeriu që ka shënjuar historinë e shqiptarëve

Rama: Ju falenderoj për ftesën  dhe mundësin e mirëseardhur për të ndarë me ju një opinion mbi njeriun që e ka shënjuar historinë shqiptareve më një gjurme sa te rralle aq edhe te domosdoshme. Sinteze e pashoqe mes revolucionarit dhe burrë shtetasit.

Rugova, themeluesi i Kosovës së lirë, ishte një shqiptar si i dalë nga brinjët malore te historisë sonë, një intelektual një udhëheqës dhe një e figurë që edhe sot është e vështirë ta përmbledhësh.

I ishte dhe është më atipiku i një politikani shqiptar.

Kur në 24 maj 1992, të ashtëquajtur zgjedhje ai u vetëshpall presidenti i Kosovës, pati guximin për faktin se nuk rrezikoi  jetën, por rrezikoi dicka edhe më të rëndësishme, atë qe jeta krijon dhe lë pas, emrin dhe personalitetin. Ishte një akt donkoshitesk për shumëkënd.

Presidenti i shpresës në mes të shtypjes të çdo shprese kishte jetuar deri aty mes librave.

Ish-kryeministri italian: Sëmundja ia pamundësoi Rugovës që ta shpallte pavarësinë e Kosovës

Ish-kryeministri i Italisë Massimo D’Alema, ka folur për kujtimet dhe miqësinë që kishte me presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

D’Alema në konferencën ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, kujtoi disa momente shumë të rëndësishme të çlirimit të Kosovës.

Ai tha se sëmundja e hershme e ndaloi Rugovën që ta shpallte pavarësinë më 17 shkurt 2008.

“Kam kujtime të mira për përpjekjet që Rugova i bëri për statusin përfundimtar të Kosovës. Unë isha në qeveri, jo si kryeministër por si zëvendës, dhe ministër i Punëve të Jashtme. Dhe Italia ishte zgjedhur si vend jo i përhershëm i Kombeve të Bashkuara dhe Ban Ki Moon në atë kohë e kishte caktuar datën 10 dhjetor si afat kur duhet të mbaronin negociatat. Dhe në dhjetor ishte radha e Italisë që ta udhëhiqte presidencën e Këshillit të Sigurimit. Ai donte personalisht të merrte pjesë në seancë për të bërë thirrje përkrahjen për pavarësi. Por, kjo u pamundësua nga nacionalizmi i lartë i Serbisë që nuk i pranonte faktet, por nuk mund ta shtyente pafundësisht këtë gjë”, tha ai.

Ish-kryeministri italian theksoi se sot jemi larg synimit dhe stabilitetit Ballkanik ku synonte Ibrahim Rugova.

Në këtë konferencë po marrin pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Jeffrey Hovenier dhe plot personalitete të tjerë të rëndësishëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat