Bashkimi Evropian ia bën të qartë Serbisë: S’mund të anëtarësohet pa normalizim me Kosovën

Aktuale

Bashkimi Evropian ia bën të qartë Serbisë: S’mund të anëtarësohet pa normalizim me Kosovën

Më: 15 qershor 2024 Në ora: 22:00
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Bashkimi Evropian ia bëri të qartë Serbisë, se pa normalizim të raporteve me Kosovën nuk mund të bëhet anëtare e BE-së.

Megjithatë Bashkimi Evropian, nuk është shprehur qartë nëse njohja formale e Kosovës nga Serbia do të jetë kusht për Serbinë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Zëdhënësi i BE-së Peter Stano, tha prapë se “qëndrimi i bllokut rreth kësaj çështjeje mbetet i pandryshuar”.

Qëndrimi i BE-së rreth kësaj nuk ka ndryshuar dhe mbetet i njëjti, siç është thënë në të kaluarën dhe siç është cekur në kriteret e anëtarësimit. Marrëveshja e Ohrit aktualisht e bën këtë shumë të qartë, nëse nuk ka progres në normalizim, nuk do të ketë progres në negociatat e anëtarësimit”, tha Stano.

Bashkimi Evropian tashmë zyrtarisht e ka ndryshuar kapitullin e 35, ku në kornizën e negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE, normalizimi  i raporteve me Kosovën është përfshirë si kusht.

Këto deklarata zyrtare, BE-ja i bën pasi ambasadori i SHBA-së në Serbi,  Christopher Hill, në të përjavshmes NIN nga Beogradi, tha se njohja “formale e Kosovës nuk do të jetë kusht për hyrjen e Serbisë në BE”.

Por në lidhje me deklarimet e Christofer Hill, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Jorn Rohde, duke cituar kancelarin e Gjermanisë Olaf Scholz, shkroi se “është i paimagjinueshëm anëtarësimi në BE pa njohje reciproke”.

Kancelari  Scholz, këtë deklaratë e kishte bërë  gjatë vizitës së tij në Kosovë, në qershor të vitit 2022.

Vetëm sa për të rikujtuar: Lexojeni deklaratën e qartë të kancelarit gjerman Scholz gjatë vizitës në Kosovë dhe Serbi në qershor të vitit 2022 për normalizimin, përfshirë njohjen reciproke. Kjo qëndron ende. Rruga është aty. Zbatim i plotë i marrëveshjes së Brukselit dhe asaj të Ohrit nga të dyja palët sa më parë”, shkroi  Rohde në platformën X.

Një marrëveshje politike mes të dy vendeve është një kusht i rëndësishëm për investime dhe vende pune e me këtë edhe për perspektivën e të rinjve në Kosovë. E qartë është se marrëveshja në fund duhet të zgjidhë edhe çështjen e njohjes së Kosovës, sepse, është e paimagjinueshme që dy vende të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën të bëhen anëtare të BE-së”, kishte deklaruar Olaf  Scholz më 2022.

Por, kur është fjala tek zbatimi i marrëveshjeve, Bashkimi Evropian, për herë të parë e qortoi Serbinë se e ka shkelur marrëveshjen e Brukselit, duke lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, ndonëse marrëveshja e ndalon një gjë të tillë.

“Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit është e vlefshme dhe plotësisht detyruese për të dyja: Kosovën dhe Serbinë. Kjo përfshin edhe Nenin 4. Lobimi i Serbisë kundër Kosovës është shkelje e qartë e kësaj marrëveshje”, tha Stano.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat