“Nuk ka gjë këtu”, opozita lëshon sallën e Kuvendit

Aktuale

“Nuk ka gjë këtu”, opozita lëshon sallën e Kuvendit

Nga: Bota sot Më: 11 korrik 2024 Në ora: 07:16 Përditësuar në ora: 11:27 më 11.07.2024
Kuvendi i Kosovës

S’ka kourum, projektligji për fertilizim artificial shtyhet për një seancë tjetër

Projektligji për fertilizim artificial ka kaluar për në seancën e radhës, pasi një amendament i deputetit të VV-së, Visar Korenica, nuk kaloi në Kuvend.

Në këtë proces të votimit morën pjesë vetëm 43 deputetë.

“Vetëm 43 deputetë kanë marrë pjesë në votim. As për së afërmi nuk jemi te numri i kërkuar, i nevojshëm pra që të miratohet ky amandament. Kështu që pa u zgjidh kjo, nuk kemi si të procedohet me këtë pikë.

Dalim te pika tjetra, ashtu si marrëveshjet ndërkombëtare, edhe kjo i kalon një seance që e organizojmë me vazhdime” – ka thënë Konjufca.

Nuk u përkrahen mocionet e tyre, opozita lëshon seancën plenare

Deputete e partive opozitare kanë lëshuar seancën plenare, pas mos përkrahjes nga  deputet të VV-së të dy mocioneve të propozuara nga PDK.

PDK propozoi mocion për largimin e tri projektligjeve nga rendi i ditës, projektligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe ai për Zyrtarët Publikë, pasi sipas tyre këto projektligje kanë përmbajte anti-Kushteuese.

Po ashtu nga PDK u propozuan mocionin që si pikë e parë e rendit të ditës të diskutohet për tri arratisjet e fundit nga burgjet e shtetit. Ata kërkuan që dikush të jap përgjegjësi për këto ikje të të burgosurve.

Të dy këto mocione nuk u përkrahen nga deputet e VV-së, e për këtë deputet e PDK, LDK e AAK e lëshuan seancën.

Ndërkaq, me praninë e pozitës seanca po vazhdon me rendin e ditës që është planifikuar.

​S’kalon mocioni i PDK-së për tërheqjen e tre projektligjeve

Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar mocion, ku përmes rezolutës i obligohet qeverisë të tërhiqet nga tri projektligje. Opozita vlerëson se projektligji për Këshillin Prokurorial i Kosovës, për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe për Zyrtarët Publik është në kundërshtim me frymën kushtetuese në Kosovë. Me këtë nuk është pajtuar partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e cila tha se të tri këto projektligje kanë ndjekur të gjitha procedurat. Ky mocion nuk ka kaluar, për votuan 23 deputetë, kundër 53 dhe një abstenim.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri kërkoi që përmes një rezolute të obligohet qeveria për tërheqjen e tri projektligjeve.

Tahiri: Përmes një rezolute obligohet qeveria për tërheqjen

“Propozoj një mocion përmbajtjesor i cili kërkon ndryshimin e rendit të ditës të kësaj seance. Ne si GP i PDK-së kërkojmë që përmes një rezolute ta obligojmë Qeverinë e Kosovës për tërheqjen e tri projektligjeve të cilat ne vlerësojmë që janë në kundërshtim me frymën kushtetuese. Procedimi sot i projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, procedimi i ligjit për Këshillin e Pavarur të Mediave dhe procedimi i ligjit për Shërbyesit Civil, janë tri projektligje në kundërshtim me frymën kushtetuese në vendin tonë. Ne si opozitë nuk duam që thjesht ta kemi një betejë politike në këto tri projektligje, mund të punojmë se bashku sidomos në ligjin i cili e cenon fjalën e lirë dhe mediat e lira në vendin tonë”, deklaroi ai.

Kryetari i grupit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi tha se vlerësojnë se mocioni për tërheqjen e këtyre tri projektligjeve është i arsyeshëm pasi janë anti-kushtetuese.

Gashi tha se duhet të largohen nga rendi i ditës Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe projektligjin për zyrtarët publik, pasi do të ishin në vazhdën e ligjeve antikushtetuese.

Gashi: Tri projektligjet janë me përmbajtje anti-Kushtetuese

“Do të ishin tri projektligjet e radhës të cilat do të ishin me përmbajtje anti-Kushtetuese dhe si Kuvend i Kosovës nuk do të duhej të lejojmë të ndodh nën përkujdesjen dhe vetëdijen tonë” , tha ai.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka dhënë detaje për tri ligjet të cilat opozita kërkoi që të mos votohen, duke theksuar dëmet që mund të jenë në të ardhmen.

Tahiri: Votimi i tri ligjeve ka qëllim kapjen e institucioneve të pavarura

“Si opozitë mendojmë se kjo seancë mund të jetë si më e dëmshmja e kësaj legjislature për shkak se kjo seancë siç po shihet ka mundësi t’i miratoj tri ligje të cilat në esencë kanë vetëm një qëllim, kapjen e institucioneve të pavarura, të cila mbikëqyren nga bordet respektive dhe do të krijojnë dëme afatgjate”, tha ai.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi u shpreh i bindur se tri këto projektligje përmbushin standardet më të mira ndërkombëtare dhe se janë përgjigje ndaj fenomeneve shqetësuese në Kosovë.

Rrustemi: Nuk mund t’i kërkohet sponzorizuesit përmes rezolutës tërheqjen e këtyre projektligjeve

“Nuk mund t’i kërkohet sponzorizuesit përmes rezolutës tërheqjen e këtyre projektligjeve nga rendi i ditës. Për çka ne si grup parlamentar jemi kundër pa dyshim dhe qëndrojmë mbrapa qoftë propozimeve nga qeveria, qoftë nga amendamentet që janë bërë nga komisionet funksionale. Të tri projektligjet kanë ndjekur secilën procedurë në kuptimin e dëgjimeve publike, diskutimet me palët e interesit dhe secili deputet e ka pasur mundësinë që të bëjë vërejtje, sugjerime. Është e pashembullt se si deputetët e opozitës nuk japin asnjë kontribut në procedurat mes dy leximeve, nuk bëjnë asnjë vërejtje, asnjë kundërshtim, të mos them që nuk bëjnë asnjë propozim dhe ndërkohë vijnë në seancë plenare nëpërmjet një mocioni në mënyrë të përmbledhur kërkojnë që tri projektligje të tërhiqen nga rendi i ditës”, përfundoi ai.

Kuvendi miraton deklaratën për përkujtimin e Masakrës së Srebrenicës

Me 84 vota për Kuvendi i Kosovës në seancën e jashtëzakonshme në përkujtim të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë, ka miratuar deklaratën që mbështet rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për ditën ndërkombëtare të gjenocidit të vitit 1995.

Deputetët votuan për miratimit të deklaratës së lexuar nga nënkryetari i Kuvendit, Bahrim Shabani.

Ai ka deklaurar se 11 korriku duhet të jetë ditë perkutjimi dhe reflektimi për gjenocidin e bërë nga Serbia në Srebrenicë.

“Vlerësoj se caktimi i 11 korrikut si dita e përkujtimit dhe reflektimit të gjenocidit të 1995-s në Srebrenicë, të solidarizohemi me të mbijetuarit dhe përkujtimi për Srebrenicën të shërbejë si kujtesë e mprehtë e përgjegjësisë, për të parandaluar tragjedi në të ardhmen”, ka deklaruar Shabani.

E zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilia Rexhepi, ka thënë se masakra e Srebrenicës është një nga ngjarjet më të tmerrshme që kanë ndodhur në botë.

“Sot jemi këtu me ndjenjën e thellë dhe të dhembshurisë që të përkujtojmë ngjarjet e tmerrshme që kanë ndodhur në Srebrenicë para 29 viteve. Përmbi 8 mijë djem dhe meshkuj boshnjak janë të vrarë duke lënë pas një zbrazëti që kurrë nuk do të plotësohet. Gjenocid është një fjalë që ka një barrë të madhe. Në zëmër të Evropës ka ndodhu një nga tmerret më të mëdha të njerëzimit”, u shpreh Rexhepi.

​Me një minutë heshtje nderohen të gjithë të rënët e Srebrenicës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë nderuar me një minutë heshtje të gjithë të rënët e Srebrenicës.

Në sallë alternative, po mbahet seancë e jashtëzakonshme për përkujtimin e viktimave të gjenocidit të Srebrenicës në Bosnjë-Hercegovicës.

Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë së Kosovës u miratua shpallja e 11 korrikut si ditë përkujtimi për gjenocidin në Srebrenicë.

Kjo bazuar në rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. 

Kuvendi i Kosovës sot mban dy seanca

Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë dy seanca.

Njëra prej tyre është e jashtëzakonshme, e cila nis nga ora 9:30 që i kushtohet përkujtimit të viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë, në 29 vjetorin e saj.

Derisa tjetra, planifikohet të nis nga ora 10:00 ku në rend dite janë 32 pika, në mesin e të cilave: miratimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare;

-themelimi i Komisionit Hetimor mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat