“I kishte në grusht krimineli...”, Salihaj “godet” Thaçin e Mustafën, befason me deklaratën për Kurtin - ia jep një propozim për veriun

Aktuale

“I kishte në grusht krimineli...”, Salihaj “godet” Thaçin e Mustafën, befason me deklaratën për Kurtin - ia jep një propozim për veriun

Nga: A.Zh Më: 7 shtator 2024 Në ora: 09:01
Adem Salihaj

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Adem Salihaj, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, që të marrë hapa të shpejtë, për zgjidhjen e probleme të serbëve në veri të vendit.

Në një postim në Facebook, Salihaj ka lavdëruar Qeverinë për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës, derisa ka «goditur» ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeministrin Isa Mustafa.

Sipas tij, ish këta krerë shtetërorë, krimineli Milan Radoiçiq «i kishte në grusht dhe bënte çka të donte me ta», përcjell Bota sot.

Ai ka propozuar edhe disa hapa, të cilët mund të ndikojnë në zgjidhjen e problemeve në këtë pjesë të Kosovës.

Reagimi i plotë i Salihajt:

Pas hapave të fundit, kur u mbyllën në veri institucionet me logo të Republikës së Serbisë e të financuara nga ajo, pas shumë hapave të mëparshëm të suksesshëm që bëri Qeveria e Kosovës për vendosjen e rendit dhe ligjit në këtë pjesë, pas dështimit të Serbisë që me bandën e udhëhequr nga krimineli Millan Radojçiq, ta destabilizojnë veriun, Vuçiqi ka ardhur në një fazë që i ka harxhuar të gjitha mënyrat e manipulimit destruktiv të serbëve. Pas të gjitha atyre që kishte fituar me Hashim Thaçin dhe Isa Mustafën për një kohë të gjatë, të cilët i kishte në grusht dhe bënte çka të donte me ta, sot ka ardhur në pozitën që të mbetet pa asgjë.

Çfarë pritet të bëjë Vuçiqi në të ardhmen?

Ajo çfarë po pritet është një metodë, të cilën Millosheveqi e pat provuar në Kosovë , duke paraqitur serbët viktima të terrorit shqiptar. Të njëjtën metodë po përgatitet ta provojë edhe nxënësi i tij. Sipas gjasave, plani është të fillojë shpërnguljen masive të serbëve nga veriu i Kosovës dhe vendosjen e tyre në Sanxhak. Pretekst të drejtpërdrejt do të marrë mbylljen e institucioneve të Serbisë në veri, por jo duke shfrytëzuar anën politike, por atë humanitare. Duke marrë parasysh se ata që u larguan nga këto institucione paralele, merrnin rrogë, tash loja e Vuçiqit është t'i paraqesë ata si viktima, të cilëve u është cenuar vetë ekzistenca, meqë u është ndalur burimi i të ardhurave. Po besohet se do të nxitet një valë e shpërnguljes masive të serbëve me këtë pretekst. Qeveria e Kosovës, e cila pati suksese të vazhdueshme në veri, duhet ta mendojë shpejt një zgjidhje, që t'ia heq Vuçiqit këtë adut të rrejshëm e të rrezikshëm. Serbëve të larguar nga puna, duhet t'u ofrohen menjëherë vende pune, ndoshta edhe me kontrata të shpejta afatshkurtëra në institucionet lokale të Kosovës në pjesën veriore, duke ua garantuar të ardhurat ekonomike për ekzistencë. Duke marrë parasysh se mund të gjenden adresat e këtyre ish të punësuarve, atëherë atyre t'u dërgohet nga një letër që menjëherë të paraqiten në vendet e reja të punës. Kjo letër të jetë dëshmi se Kosova u ka ofruar atyre vende pune dhe se ekzistenca e tyre nuk është vënë në pyetje. Disave prej tyre, që nuk kanë kurrfarë të ardhurash, mund t'u ofrojë edhe ndihmë të menjëhershme. Më vonë, kur të qetësohet pak situata, mund të shpallen edhe konkurse për plotësimin e vendeve të punës, por jo në fazën e tashme.

Në këtë situatë, vetë kryeministri Kurti duhet të dalë me një prononcim, mundësisht në gjuhën serbe, se problemi i punësimit të tyre do të zgjidhet shumë shpejt dhe Qeveria e Kosovës do t'ua ofrojë atyre ndihmën e duhur, kështu që askujt nuk do t'i rrezikohet ekzistenca. Nevojiten hapa të shpejtë, sepse koha nuk pret.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat