Sylejman Selimi e thotë në Hagë: Adem Jashari ka qenë kryesori, s’ka marrë urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm, por ka dhënë urdhra

Aktuale

Sylejman Selimi e thotë në Hagë: Adem Jashari ka qenë kryesori, s’ka marrë urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm, por ka dhënë urdhra

Më: 13 shkurt 2025 Në ora: 07:54 Përditësuar në ora: 15:06 më 13.02.2025
Sulejman Selimi

Pas katër ditësh përfundon dëshminë Sylejman Selimi, në pjesën e fundit foli për Shabin e Përgjithshëm

Ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës dhe ish-komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, Sylejman Selimi ka përfunduar dëshminë në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veseli, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Gjatë gjithë dëshmisë së tij, dëshmitari u përfaqësua nga avokati Artan Qerkini. Gjatë fundit të dëshmisë së tij, dëshmitari u mor në pyetje nga tri ekipet mbrojtëse, përveç atij të Rexhep Selimit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Thaçit, Luka Mishetiq, dëshmitari mohoi se ka pasur kompetenca, udhëzime apo rregullore që të arrestojë civilë. Të njëjtën gjë, Selimi e konfirmoi edhe për avokatin e Veselit Rodney Dixon.

Ai rikonfirmoi se Shtabi i Përgjithshëm nuk e ka ofruar mbështetjen e duhur për zonat operative.

“Shtabi i Përgjithshëm e ka pasur emrin dhe në dukje kur e përmend si Shtab në dukje është diçka e madhe. Do të kisha pasur dëshirën që ta kemi një Shtab të tillë gjatë kohës së luftës, por fatkeqësisht nuk e kemi pas një shtab të tillë që munden me u mbështetë zonat operative. Ka qenë një shtab që u përbë prej disa anëtarëve që më shumë nuk i ke taku se sa që i ke taku. Ka qenë një shtab jo funksional”, tha ai.

Avokati i Veselit, Rodney Dixon kërkoi që të informohet se çfarë do të vijohet më tej pas prillit.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III tha se kur të përfundon Prokuroria, do të organizojnë një konferencë për ecurinë e çështjes. Megjithatë, ai tha se do të lëshojnë edhe disa urdhra në përgjigje të pyetjeve të mbrojtjes pasi Dixon theksoi se kanë disa afate për parashtrime e mocione.

Ndërsa, kur iu dha fjala mbrojtësit të viktimave, seanca kaloi në sesion privat për të diskutuar lidhur me disa parashtrime lidhur me disa masa mbrojtëse të cilat janë pezull.

Smith njoftoi se javën e ardhshëm Prokuroria e ka vetëm një dëshmitar të siguruar dhe se iu kërkua që të përpiqet që ta sigurojë edhe një tjetër në mënyrë që të mos zvarritet koha në gjykatë.

Me kaq përfundoi seanca e sotme, për të vazhduar më pas të martën më 18 shkurt 2025.

Ndryshe, Sylejman Selimi e kishte filluar dëshminë të hënën (10 shkurt) dhe vazhdoi për katër ditë me radhë.

Avokati i Veselit: Pyetjet e gjyqtarëve s’janë sqaruese por të anshme, po përdoren për të dalë në përfundimet e veta

Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon ka kritikuar mënyrën e marrjes në pyetje të dëshmitarit Sylejman Selimi nga trupi gjykues, konkretisht kundërshtimi i tij ishte në pyetjet e gjyqtarit Guénaël Mettraux.

Ai tha se këto pyetje të bëra nga trupi gjykues nuk janë sqaruese dhe nuk duhet të bëhen nga trupi gjykues dhe se pyetjet e tyre nuk janë të paanshme, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Kështu që ai rikujtoi mocionin e ekipeve mbrojtëse të vitit të kaluar, ku kishin kërkuar paanshmëri nga ana e trupit gjykus për të siguruar proces të drejtë. Por, pas diskutimit me trupin gjykues, Kadri Veseli u pa teksa u ngrit në këmbë dhe diskutonte me ekipin e tij mbrojtës.

“Këto nuk janë pyetje sqaruese, por janë pyetje që po i përdorni si bazë ju nga ana e trupit gjykues, prandaj kjo është që e kemi trajtuar në mocionin tonë, këto janë pyetje që mund t’i bëjë pala në pyetjet plotësuese. Këto nuk janë pyetje që duhet t’i marrë trupi gjykues. Unë desha të dija se a keni marrë ju ndonjë vendim për mocionin tonë që është pezull, bëhet fjalë për mocionin e 13 nëntorit 2024”, tha Rodney Dixon gjatë kundërshtimit.

Lidhur me këtë, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, tha se vendimi i tyre është se do të vazhdojnë me pyetjet në formën siç e kanë bërë më herët.

“Vendimi ynë është që do të vazhdojmë me pyetje në formën siç e kemi bërë. Pyetjet lejohen nga rregullorja e procedurës dhe mund të bëjmë pyetje lidhur me çdo temë të mundshme”, tha ai.

Dixon tutje tha se pyetjet e trupit gjykues, po përdoren si bazë që gjykatësit të dalin në përfundimet e tyre.

“Po unë po them që në mocionin tonë ne kemi kërkuar që të garantohet e drejta e të akuzuarve dhe të garantohet paanshmëria dhe drejtësia e procesit gjyqësor. Ne duam që kjo të merret parasysh dhe ne po theksojmë edhe njëherë që sot pyetjet nuk janë pyetje të paanshme. Këto janë pyetje josqaruese nga ana e gjykatësve, por janë pyetje që po përdoren si bazë nga gjykatësit për të dalë në përfundimet e tyre”, tha ai.

Ky diskutim ishte përpara se të fillonte pyetjet gjyqtari Fergal Gaynor, pra gjatë pyetjeve të gjyqtarit Mettraux.

Pas përfundimit të pyetjeve nga trupi gjykues, pyetje shtesë për dëshmitarin pati prokurori Matt Halling për të vazhduar serish mbrojtja e Thaçit e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq.

Selimi: Sa kam qenë komandant zone, Shtabi i Përgjithshëm ka qenë pothuajse inekzisten

Sylejman Selimi tha sot në Hagë se sa ka qenë komandant zonë, Shtabi i Përgjithshëm ka qenë pothuajse inekzisten. Ai tha se Shtabi ka qenë i paorganizuar me disa anëtarë që nuk është ditur as ku janë.

Dëshmitari më herët  kishte thënë se si komandant zone kishte shqetësime dhe pakënaqësi si dhe vetë ai kishte dhënë mëndmë dhe shqetësime të ndryshme ngjashëm si komandantet e tjerë të zonave sa i takon funksionimit, raporton “Betimi për Drejtësi”. 

Lidhur me këtë, dëshmitari u pyet nga gjyqtari Fergal Gaynor se a ia ka shprehur këto pakënaqësi Shtabit të Përgjithshëm.

“Pakënaqësi kam pas shpeshherë me Shtabin e Përgjithshëm. Tash mundem me e sqaru edhe më gjerësisht arsyet pse; në kohë lufte dhe kohë… tash na po flasim për një termë të madh Shtab i Përgjithshëm se në dukej në kohë paqe duket se është një objekt i madh është me njerëz shumë, është me një infrastukturë që është më shumë njerëz kurse në këtë kohë kur po flasim po flasim për një Shtab të Përgjithshëm thuja inekziten, i paorganizum”, tha si rrjedhojë dëshmitari.

Ai tha se nuk është ofruar mbështetje ndaj komandantëve të zonave dhe se nuk ka pasur asnjë mundësi mbështetje qoftë operacionale ose logjistike.

“Sa herë ne e kemi pas një kërkesë për mbështetje, ku me u drejtu?! Nuk e ke pas asnjë mundësi mbështetjes e as logjistikës apo operacioneve të ndryshme. Me mungesë të armatimit me mungesë të të gjithave. Me një shtab të përgjithshëm me disa anëtarë që nuk e ke ditë as ku janë. Me një objekt ku një shpi private me dy dhoma a tri dhoma. Këtu e gjitha ka qenë ankesa me njerëz të aspekteve  joprofesionale të aspektit ushtarak kanë qenë të gjitha këto që unë i kam shpreh disa herë edhe ndaj individëve të caktuar”, tha dëshmitari.

Si kritikë konkrete, dëshmitari përmendi atë ndaj zëvendëskomandantit për operacione që ishte Sokol Bashota e po ashtu edhe ndaj Jakup Krasniqit.

“Kam pas kritika ndaj zëvendëskomandantit për operacione ose ndoshta edhe për z.Krasniqi. krejt për arsye teknike, për arsye të cilat gjatë kohës së luftës kanë qenë shumë evidentes e nuk kam pas mbështetje ose plan operacional”, tha Sylejman Selimi.

Sa i përket temës së Likocit dëshmitari kishte thënë se nuk ka pasur të arrestuar por që mund të jenë marrë në pyetje persona.

“Në qoftë se janë ndalu në pika kontrolli në hyrje ose dalje të Drenicës, janë ndalu dhe janë marrë në pyetje se ku kanë me shku ose kur nuk e kanë njoftë dikë, për këtë arsye”, tha ai.

Kur u pyet se kush e ka kryer këtë procedurë, dëshmitari u përgjigj me “Kush ka qenë në atë pikë, ai e ka marrë në pyetje”.

Ndërsa sa i përket pozicionit të marrëseve në pyetje, dëshmitari tha se s’ka pasur specifike por shumica kanë qenë ushtarë.

“Pa marrë parasysh se çfarë detyrash ka pas, kur dikë se ka njoftë e ka marrë në pyetje dhe e ka legjitimu me një fjalë. Besoj që ushtarë, por me qellu edhe të policisë njëjtë, por kryesish ushtarë kush ka qenë në atë pikë”, tha ai.

 Dëshmitari tha se shifrat ia kanë caktuar vetë vetës në shumicën e rasteve.

“Unë e kam marrë 101 duke e pa si numër i përshtatshëm për mua. Ia kemi caktu vetvetes dhe në bazë të atyre shifrave  e kanë caktu edhe tjerët për vetë. Unë ia kam caktu 101 vetit”, tha Sylejaman Selimi.

Ndërsa sa i takon pozitës së Kadri Veselit në Zbulim-Kundërzbulim (ZKZ) përpara se të formohet SHIK-u ai tha se e mësoi kur u bë komandant i përgjithshëm.

“Diku kur unë e kam marrë detyrën si komandant i Shtabit të Përgjithshëm”, tha Sylejman Selimi.

Ndërsa me emërtimin si shef i G2-shit, dëshmitari tha se si emërtim e kishte dëgjuar diku kah fundi i 98-ës apo fillimi i 99-ës.“Nuk e di saktësisht por diku nga fundi i 98-ës apo fillimi i 99-ës”, tha ai.

Ai serish, përsëriti që tamam si shef i ZKZ-së e kuptoi që Veseli ishte në këtë pozitë kur dëshmitari u bë komandant i përgjithshëm i UÇK-së.

Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Mettraux, dëshmitari tha se i raportonte Agim Çekut si udhëheqës i Gardës Kombëtare pozitë kjo e cila iu ishte dhënë nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës.

Dëshmitarit iu prezantua dekret i Hashim Thaçit i cili e kishte emëruar Syeljman Selimin në këtë pozitë. Megjithatë, dëshmitari tha se nuk e kishte parë më herët por vetëm gjatë seancave përgatitore me ZPS-në.

Sylejman Selimi: Adem Jashari ka qenë kryesori, s’ka marrë urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, Sylejman Selimi tha se Adem Jashari ka qenë kryesori në UÇK dhe se ai nuk ka marrë urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm.

“Nuk ka marrë urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm por ka dhënë urdhra ose u konsultu me Shtabin e Përgjithshëm me njerëzit që i ka njohur”, tha fillimisht dëshmitari, raporton “Betimi për Drejtësi”. 

Sylejman Selimi shpjegoi se Adem Jashari ka pasur lidhje me Shtabin e Përgjithshëm e po ashtu edhe me persona të tjerë nëpër vende të ndryshme.

“Ai vazhdimisht e ka pas lidhjen me Shtabin e Përgjithshëm. Shtabi i Përgjithshëm gjithmonë ka kontaktuar me të. Ademi  ka qenë figura kryesore e ushtrisë…Normal në këtë kohë ka pasur edhe nëpër vende të ndryshme si Dukagjini edhe Llap por nuk kam mujtë me i njoftë tanë në këtë periudhë. Anëtarët e shtabit i kanë pasur të gjithë anëtarët e vetë në të gjitha zonat”, tha dëshmitari.

Gjyqtari i tha dëshmitarit se javën e kaluar ka thënë për ZPS-në se Adem Jashari ka marrë urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm. Madje,  dëshmitarit iu prezantua edhe një deklaratë që e kishte dhënë lidhur me këtë çështje për  Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.

“Çdo gjë që  është bërë është bërë me plan të Shtabit të Përgjithshëm… Njëkohësisht edhe në zonat tjera kanë vepruar me të njëjtin plan nga Shtabin e Përgjithshëm. Çdo gjë ka qenë e organizuar nga Shtabi i Përgjithshëm”, kishte thënë dëshmitari për TPNJ-në.

Si rrjedhojë, dëshmitari deklaroi se ai e ka shpjegua se si ka shkua procesi, por sipas tij Adem Jashari ka qenë kryesori në UÇK.

“Unë e kam spjeu si ka shku por Adem Jashari ka qenë kryesor, organizimin nëpër…”, tha dëshmitari para se të iu nderprehet fjala nga gjyqtari.

“Jo jo, dëshmitar nuk po iu pyes këtë. Ju e dëgjua vetë tani se kur thatë se kush i jepte urdhra kujt”, tha gjyqtari Mettraux.

Megjithatë, dëshmitari insistoi në qëndrimin e tij se Adem Jashari ka qenë kryesori në UÇK.

“Unë çdo herë mund të hem që kryesor në UÇK ka qenë Adem Jashari. Unë e kam spjegu se si unë kam mëndu dhe si u organizu Shtabi i Përgjithshëm nga mendimi jem, por duke e ditë që unë nuk kam qenë anëtarë i Shtabit të Përgjithshëm unë i kam jep ato mendimet e mija”, tha dëshmitari.

Sylejman Selimi tha se pa Adem Jasharin nuk do të kishte UÇK.

Nuk besoj që kam thanë që Adem Jashari ka marrë urdhra. Adem Jashari s’ka marrë urdhra por ka jep urdhra. Adem Jashari ka qenë komandant  kryesor. Pa Adem Jasharin s’kishte me pas as UÇK.

Gjatë kohës sa ka qenë komandant i përgjithshëm i UÇK-së, dëshmitari mohoi se i ka raportuar dikujt. Ndërsa tha se nuk ka pasur personel në Shtabin e Përgjithshëm.

“Kurrfarë personeli s’ka pas në sh të p kur kam shku. Kanë qenë këta individ por kur jam kthy kam qenë me njerëzit e mi prap”, tha ai.

Ndërsa, kur u pyet se a u takua me ndonjërin prej anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së sa ka qenë komandant, dëshmitari tha se nuk i kujtohet.

“Përveç se me Bislim Zyrapin nuk e di që kam pasur kontakte”, tha ai.“Sa me kujtohet s’kam pas kontakte”, tha dëshmitari kur u pyet se a ka pasur ndonjë kontakt me drejtorin e sektorit të Policisë ushtarake, ose me atë të Zbulim-kundërzbulimit.

Ai mohoi se i kujtohet që ka lëshuar ndonjë komunikatë si komandant i përgjithshëm i UÇK-së.

Gjithashtu ai u përgjigj me ‘e saktë’ që nuk i ka raportuar asnjëherë Qeverisë së Përkohshme të Kosovës sa ishte komandant i përgjithshëm i UÇK-së.

Sylejman Selimit thotë se katër të akuzuarit kanë pasur kontakte me Adem Jasharin

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po vazhdon dëshminë dëshmitari i 121 i ZPS-së, Sylejman Selimi në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ngjashëm si ditëve tjera të dëshmisë së tij, dëshmitari përfaqësohet nga avokati Artan Qerkini, raporton “Betimi për Drejtësi”. 

Duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Guénaël Mettraux dëshmitari tha se nuk i din kontaktet direkte të Adem Jasharit por që ai ka komunikuar me personat rreth tij dhe me grupe të ndryshëm të UÇK-së.

“Kontaktet direkte të tij nuk i di më kë i ka pas por ka pasur me shumë njerëz dhe shumë grupe se ka qenë i pari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha dëshmitari.

Serish dëshmitari u pyet se a ka pasur dijeni që përpara luftës Adem Jashari ka pasur kontakte me anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm.

“Prapë po them të njëjtën gjë edhe tash edhe atëherë kur kam deklaru. Adem Jashari ka pasur kontakte me të gjithë. Unë nuk kam ditur ku ka qenë Shtabi dhe a ka ekzistu në atë kohë por ai ka pasur kontakte edh eme anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm edhe me njerëz të tjerë.

Dëshmitari pohoi se katër të akuzuarit kanë pasur kontakte me Adem Jasharin përpara periudhës së luftës.

Kryegjyqtari njoftoi se të hënën me 17 shkurt do të jetë pushim. Veç kësaj, ai njoftoi për procesverbal se të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.  

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Vijon gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sipas kalendarit sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në tri ditët që lëmë pas, dëshminë dha dëshmitari i 121 i Prokurorisë, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi.

Nga ky i fundit, Gjykata Speciale kërkoi informacione rreth rastit Drenica 2, për çka edhe pati kundërshtime nga avokati i Kadri Veselit, shkruan IndeksOnline.

Dhomat e Specializuara kanë paralajmëruar konferencë për media, gjithashtu.

Konferenca është njoftuar të fillojë në ora 14:30.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat