Inspektime për mbrojtjen nga zjarri në bizneset me frekuentim të lartë – Sveçla paralajmëron masa të rrepta

Aktuale

Inspektime për mbrojtjen nga zjarri në bizneset me frekuentim të lartë – Sveçla paralajmëron masa të rrepta

Më: 20 mars 2025 Në ora: 18:45
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se prej dy ditësh, Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave (AME), me mbështetjen e Policisë së Kosovës, ka nisur inspektime në biznese dhe ambiente me frekuentim të lartë të qytetarëve, për të monitoruar respektimin e masave parandaluese të mbrojtjes nga zjarri.

Sipas tij, këto inspektime, të cilat tashmë janë realizuar në Prishtinë dhe Pejë dhe do të vazhdojnë në të gjithë Kosovën, kanë konstatuar mangësi në disa subjekte sa i përket standardeve të sigurisë kundër zjarrit.

Për këto raste, është lënë një afat për përmbushjen e kërkesave ligjore.

“Në rast të mosrespektimit të masave brenda afatit të dhënë kohor, do të ndërmerren masa më të ashpra, të menjëhershme dhe pa asnjë kompromis,” ka deklaruar ministri Sveçla, duke theksuar se mbrojtja e jetës së qytetarëve mbetet prioritet absolut i institucioneve të sigurisë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat