Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtar, Enver Bytyçi, thotë se Rama nuk e uroi Kurtin as për 17 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe kjo tregon hendekun mes tyre.
Sipas tij, tradita e mungesës së përshëndetjeve dhe madje komunikimit mes Ramës dhe Kurti ka vijuar edhe me rastin e fitores së zgjedhjeve të fundit nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Në protokollet e qeverisë shqiptare, teorikisht dhe sipas rregullit, qëndron detyrimi që çdo homolog i Republikës së Shqipërisë të përshëndesë dhe të urojë homologun e tij të Republikës së Kosovës për ngjarje të rëndësishme, si për festat kombëtare, fitoret në zgjedhje dhe ngjarje të tjera të rëndësishme. Ky detyrim për të dy shtetet tona është jo vetëm diplomatik e politik, por edhe kombëtar, moral, etik dhe estetik. Në rastin e festës kombëtare të Kosovës të 17 vjetorit të pavarësisë ne nuk pamë një letër përshëndetëse të kryeministrit Rama për kryeministrin Kurti, çka ndodhi mes dy presidentëve, zonjës Osmani dhe zotit Begaj. Kjo tregon hendekun që ekziston midis parimeve që ndjek dhe mbron kryeministri i Kosovës me ato të kryeministrit të Shqipërisë, ose e kundërta. Kam një farë ndjenje se Rama nuk e uroi pavarësinë e Kosovës me letër urimi për kryeministrin, sepse këtë detyrë ka marrë ai nga Beogradi. Por tradita e mungesës së përshëndetjeve dhe madje komunikimit midis Edi Ramës dhe Albin Kurtit ka vijuar edhe në rastin e fitores së zgjedhjeve të fundit nga ana e Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit”, deklaron Bytyçi.
Mungësën e përshëndetjes për Kurtin, Rama mund ta arsyetoj me idenë se ai nuk mund ta krijojë i vetëm qeverinë e ardhshme, thotë Bytyçi, gjersa shton se mund të ketë përpjekje që të krijohet një qeveri e opozitës së Prishtinës dhe Beogradit (përmend Listën Serbe).
“Besoj se duhet parë në disa këndvështrime ky qëndrim i kryeministrit të Shqipërisë: Rama shpreh hapur pakënaqësinë e fitores së Vetëvendosjes në këto zgjedhje. Mund ta justifikojë mungesën e përshëndetjes për Kurtin me idenë se ai nuk mund të krijojë i vetëm qeverinë e ardhshme. Më saktë mund të jetë ne pritje të realizimit të ndonjë kurthi, që të krijohet vakuum institucional në Kosovë, me qëllim që të përfitojë miku dhe vëllai i tij në Beograd. Ose mund të jetë duke bërë përpjekje që të krijojë një qeveri të opozitës së Prishtinës dhe Beogradit, ku kam ndërmend Listën Srpska. Gjithçka mund të ndodhë e mund të pritet prej Edi Ramës. Kujto faktin se gjithçka pritet të bëjë Serbia kundër Kosovës dhe prano faktin se e njëjta gjë pritet edhe prej Edi Ramës. Nga ana tjetër, Rama më duket se ka harruar prej kohësh se ka një shtet të Kosovës. Sepse është i fokusuar në protestat e studentëve në Beograd. Jo se frikësohet që studentët e Shqipërisë të bëjnë atë revoltë që ndodh në Beograd kundër Aleksandër Vuçiq. Por se ka frikë se rrëzohet Aleksandri dhe më pas i vjen radha Edit. Lutet që së paku të mos ndodhë rrëzimi i presidentit serb para 11 majit, kur në Shqipëri bëhen zgjedhjet parlamentare.”, shprehet profesori.
Ideja e ndarjes së Kosovës nuk ka gjasa të realizohet me Albin Kurtin, thotë Bytyçi, prandaj sipas tij, këtë mund ta realizojë vetëm Hashim Thaçi.
“Por ka edhe diçka tjetër. Ka filluar të shfaqet narrativa, sipas së cilës “bombardimet e NATO-s kundër Serbisë në vitin 1999 ishin të padrejta, pasi ato u imponuan për të mbyllur skandalin Leëinski-Clinton”! Kjo do të thotë se rrezikon të shfaqet ideja e ndarjes së Kosovës midis Shqipërisë dhe Serbisë. Dhe këtë ndarje mund ta realizojë vetëm Hashim Thaçi. Rama llogarit se me Albin Kurtin nuk ka gjasa ta realizojë këtë projekt të Serbisë. Prandaj dhe përkrah vazhdimisht zotin Thaçi dhe sulmon ose hesht edhe për fitoren e Albin Kurtit”, shton Bytyçi.
Ai lidhjet e Ramës dhe Thaçit, i konsideron të hershme, gjersa shton se kush e ndihmon Ramën është “burrë” e kush nuk e ndihmon atëherë është “paburrë”.
“Lidhjet e Edi Ramës dhe të Hashim Thaçit janë lidhje të hershme. Që kur Edi ishte ministër i Kulturës e sidomos pasi ai mori Partinë Socialiste. Të dy këta jo vetëm kanë lobuar për njëri-tjetrin brenda të dy vendeve dhe jashtë tyre, por edhe kanë sponsorizuar financiarisht fushatat elektorale të njëri-tjetrit. Por më shumë ka dhënë Thaçi për Ramën, sesa ka dhënë Rama për Thaçin. Më pas, për faqen e zezë të të dyve, ata u bënë bashkë në aleancë edhe me presidentin e Serbisë për ndarjen e Kosovës dhe të gjitha iniciativat e Serbisë kundër Kosovës, deri te Open Balkan. Nëse ju kujtohet e gjithë retorika e kundërshtive për Open Balkan është zhvilluar midis zotit Rama dhe zotit Kurti. Presidenti Thaçi qëndroi neutral, sepse në kushte normale nuk mund të merrte në dorë iniciativat diplomatike. Por ama as kundërshtoi, as nuk kishte gjë në dorë që ta pranonte Open Balkan. Për të gjitha këto arsye Hashim Thaçit zoti Rama i thotë “Burrë”! Albin Kurtin e konsideron “të paburrë”! Kjo diferencë në qëndrime, sjellje, etikë, dhe mosrespektim të protokolleve shtetërore, lidhet me një prej çmenduritë e kryeministrit të Shqipërisë, çmendurinë e idolit për të qenë në pushtet. Me çdo mjet dhe me çdo kusht! Kush i ndihmon në këtë ambicie, ai është “Burrë”. Kush nuk i ndihmon, atëherë e konsideron “të paburrë”! Ideja fikse e kryeministrit shqiptar të sotëm është tipike si ajo e diktatorëve: - Ose je me mua, ose je kundër meje. Dhe nëse je me mua, atëherë je i shkëlqyer. Nëse je kundër, atëherë je kënetë!”, përfundon Bytyçi.