​Vrasjet e fundit në Kosovë, kërkohet më shumë siguri për qytetarët

Aktuale

​Vrasjet e fundit në Kosovë, kërkohet më shumë siguri për qytetarët

Më: 4 prill 2025 Në ora: 16:56
Foto ilustrim

Shoqata “Roja e Kohës” ka mbajtur sot një protestë paqësore në kryeqytet pas ngjarjeve të fundit tragjike në vend. Protestuesit me këtë rast kërkuan reagimin adekuat nga institucionet ndaj vrasjeve që ndodhën në vend.

Shumë prej tyre në pankarta mbanin mesazhe si “Çdo armë pa leje është krim”, “Zëri ynë është arma jonë”, Për siguri nuk duam fjalë duam veprim”, raporton KosovaPress.

Shaip Tërnava, kryetar i organizatës “Roja e Kohës”, tha se vrasjet dhe dhuna po bëhen përditshmëri dhe se nuk ka vend për heshtje e durim.

Tërnava: Nuk ka më vend për heshtje ndaj vrasjeve në Kosovë

“Sot jemi mbledhur jo si individë të ndarë, por si një trup i vetëm, për të ngritur zërin kundër një plage të thellë, që po e gërryen shoqërinë tonë. Vrasjet, dhuna, që po bëhen përditshmëri nuk ka më vend për heshtje, nuk ka vend më për durim. Kur një pjesëtar i Policisë së Kosovës, një njeri që ka betuar jetën për mbrojtjen tonë, bie viktimë e një akti kriminal para hyrjes së ndërtesës ku jetonte. Kjo nuk është thjesht një tragjedi personale, por alarm për shtetin, thirrje për përgjegjësi, dhimbje për të gjithë ne. Sot jemi këtu jo për të nderuar kujtimin e tij dhe të gjithë atyre që kanë humbur jetën mizorisht, por për të gjithë për të thënë qartë dhe fuqishëm mjaftë më. Sa gra të vrara në shtëpi nga burrat, sa të rinj të vrarë në rrugë, për një fjalë goje, për një konflikt banal, sa familje të shkatërruara”, tha ai.

Ajet Deliu nga Roja e Kohës, për KosovaPress tha se arsyeja e protestës së sotme është sensibilizimi dhe informimi për qytetarët kundër dukurive negative ndaj të cilave potencoi se nuk mund të rrinë të heshtur.

Deliu: Nuk mund të rrimë të heshtur përball vrasjeve e dhunës në Kosovë

“Arsyeja e protestës së sotme është për sensibilizimin dhe informimin e qytetarëve kundër një dhunë që po ndodh në shoqërinë tonë, kundër vrasjeve që po ndodhin në shoqërinë tonë. Ne si organizatë jemi ardhur sot pak, informimi nuk ka qenë i mjaftueshëm dhe koha ka qenë e shkurtër, mirëpo nuk mundem të rrimë të heshtim përball këtyre që ndodhën, vrasja e policit, të gjitha këto vrasje, vrasje e atij të riut në Vushtrri d.m.th. t’iu themi stop këtyre vrasjeve. T’i ftojmë institucionet të merren seriozisht, të forcohen ligjet, dhe të bëhet siguria më e madhe në institucione, në rrugë dhe fëmijët tanë le të jetojnë të lirë”, tha ai.

Gjatë ditëve të fundit në Kosovë ka pasur raste të vrasjeve në Vushtrri, Prishtinë dhe rasti i fundit i vrasjes së rreshterit policor në Kaçanik, duke shkaktuar tronditje, shqetësim e pasiguri për qytetarët. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat