Në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dëshmitari Zymer Haliti, në cilësinë e zyrtarit policor deklaroi që gjatë marrjes në pyetje në Polici, i akuzuari Ilaz Salihu kishte deklaruar që është i sigurt se vëllai i tij- i akuzuari Besnik Salihu e ka vrarë tani të ndjerin S.S., pasi i kishte thënë më herët se do ta vrasë.
“Jam i sigurt, se 100 herë ma herët ka thënë që ka me kry vrasjen e tij”, tha dëshmitari të ketë deklaruar i akuzuari Ilaz gjatë marrjes në pyetje nga ana e Policisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këtë rast, Besnik Salihu akuzohet për vrasjen e S.S., në mars të 2023-ës në Dumnicë të Podujevës dhe për armëmbajtje pa leje, ndërsa Ilaz Salihu akuzohet për ndihmë në kryerjen e vrasjes.
Dëshmitari Haliti tha që i akuzuari Ilaz kishte deklaruar në Polici se në ditën kritike, vëllai i tij Besniku, kishte marrë pushkën dhe kishte shkuar në drejtim të livadhit të të ndjerit.
“E shpjegon se si ka kontaktu me vëllain e tij- Leonardin, përmes telefonit, dhe në momentin kur i ndjeri ka shku në drejtim të livadheve të pronës së tij, tregon se ka pa Besnikun që e ka marrë një pushkë dhe ka shku në drejtim të tij”, tha ai.
Zyrtari policor shtoi se gjatë marrjes në pyetje, i akuzuari Ilaz kishte thënë se vëllai i tij- tani i akuzuari Besnik, në ditën kritike kishte dalë nga shtëpia përmes dritares.
“Në deklaratën e tij ai ka thënë: Kur ne kemi shku në vendin e ngjarjes, ka dalë prej dritares e ka marrë pushkën, sepse ka mendu se nëse del prej derës, dikush e ndal. Ai ka thënë në intervistë se i njëjti është kthyer në shtëpi në orën 1:00 të natës dhe i ka djegë të gjitha teshat që i ka pasë me vete. Sa më kujtohet, ai më thotë “ja prita përpara e vrava”, tha zyrtari policor për deklaratën e të akuzuarit Ilaz.
Po ashtu, polici Haliti tha se kur është ftuar vëllai i tyre- dëshmitari Leonard Salihu, për të dhënë deklaratë, nuk ndihej i sigurt që të kthehej në shtëpi pasi që kishin hyrë në probleme me familjen e të ndjerit.
“Leonardi kur është pyet se a e ndjen veten të sigurt me shku në shtëpi, thotë jo, se kemi ra në bela me familjen e S.S., dhe ka me shku nesër në shtëpinë e S.S., me kërku besë”, shtoi Haliti.
Gjatë kësaj seance u dëgjua edhe dëshmitari Fatmir Lushtaku, i cili si zyrtar policor kishte marrë pjesë si hetues në rastin konkret.Lushtaku tha se deklaratat e Leonard dhe Ilaz Salihut ishin përputhur me vendin e ngjarjes. Tha se nuk ka pasur presion as ndonjë lloj dhune gjatë intervistimit të dy të lartpërmendurve.
Po ashtu, gjatë kësaj seance u dëgjuar edhe dëshmitari Emin Berisha, i cili po ashtu kishte marrë pjesë si zyrtar policor për rastin konkret dhe atë ditë në detyrë kishte shkuar edhe në vendin e ngjarjes.
Edhe Berisha, tha që nuk ka pasur presion as dhunë gjatë marrjes së deklaratave nga Policia dhe se deklaratat e Leonard dhe Ilaz Salihut kanë qenë në përputhje me vendin e ngjarjes.
Sipas aktakuzës, më 26 mars 2023, rreth orës 18:08 minuta, në fshatin Dumincë e Epërme, Komuna e Podujevës, pas një mosmarrëveshjeje mes të akuzuarit Besnik Salihu dhe tani të ndjerit S.S., i akuzuari në mënyrë dinake dhe papritur iu afrua tani të ndjerit S.S., me qëllim që t’i merrte jetën.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari kishte shtënë me armë zjarri, duke qëlluar dy herë në kokë tani të ndjerin S.S- një herë me pistoletë në anën e majtë të kokës dhe një herë me armë të gjatë nën mjekër, duke i shkaktuar gjakderdhje masive të jashtme trunore, dhe për shkak të plagëve të marra nga predhat e shkrepura në kokë, tani i ndjeri S.S. ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, ku më pas i akuzuari Besnik largohet nga vendi i ngjarjes.
Me këto veprime, i pandehuri Besnik Salihu akuzohet se ka kryer veprën penale të “Vrasjes e rëndë, sipas nenit 173, paragrafi 1, pika 14 e KPRK-së.
Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Besnik, në datën, kohën dhe vendin e përshkruar si në dispozitivin e parë të kësaj akuze, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin për armët, ka poseduar një revole dhe një armë të gjatë, me të cilën ka kryer veprën penale të përmendur si më lart.
I njëjti ngarkohet edhe për kryerjen veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas nenit 366, paragrafi 1 të KPRK-së.
Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Ilaz Salihu, në vendin, kohën dhe mënyrën e përshkruar në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze, me dashje ndihmoi vëllanë e tij, të akuzuarin Besnik, duke i premtuar se do të fshehë provat e kryerjes së veprës penale.
Me këtë, i pandehuri Ilaz Salihu ka kryer veprën penale të “Ndihmës në vrasjen e rëndë”, sipas nenit 173, paragrafi 1, pika 14, lidhur me nenin 3 të KPRK-së.