Dështon edhe seanca e 49-të, të hënën përpjekja e 50-të
Deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan për të 49-tën herë me radhë për të konstituuar përbërjen parlamentare të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.
Seanca e së shtunës u mbajt mes paralajmërimeve se më vonë gjatë ditës kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, do të takohet me udhëheqësin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në përpjekje për të arritur një marrëveshje për dalje nga ngërçi politik.
Seanca e radhës do të mbahet më 21 korrik në orën 11:00.
Para seancës, deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, tha se pret që sot të ndodhë takimi dhe të ketë vullnet poliitk nga Kurti.
"Ne presim që sot të zhvillohet takimi. Jemi në afatet e fundit kushtetuese. Unë pres një sinjal pozitiv nga ky takim, që besoj që sot do të ndodhë, dhe vulllnet politik nga lideri i LVV-së", tha ajo për gazetarët.
Nura: PDK-ja mund ta votojë Limajn për kryeparlamentar
Deputeti i PDK-së, Jakup Nura, ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës mund ta mbështesë kandidaturën e Fatmir Limajt për kryetar të Kuvendit, ndërsa ka kërkuar reflektim të përgjithshëm pas më shumë se tre muajsh bllokadë institucionale.
“Ka kaluar tash e tre muaj, mendoj që duhet të reflektojmë ne si deputetë, të gjithë së bashku dhe veç e veç,” tha Nura, duke folur para seancës konstituive të radhës.
Ai theksoi se Limaj ka treguar vlera të rëndësishme në të kaluarën dhe se për të pasur një pozitë shtetërore, është e domosdoshme dashuria për vendin.
“Unë kam thënë se mendoj që PDK-ja do të votojë Fatmir Limajn për kryeparlamentar. Mendoj që Limaj në një kohë ka treguar një aset të cilin e vlerësoj shumë, dhe për të pasur një pozitë shtetërore duhet që së pari ta duam këtë vend,” u shpreh Nura.
Deputetja e NISMA-s pret “sinjal pozitiv” nga takimi i sotëm Limaj – Kurti
Deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, është shprehur optimiste për një marrëveshje të mundshme që mund të dalë nga takimi i paralajmëruar për sot mes liderit të kësaj partie, Fatmir Limaj, dhe kryetarit të VV-së, Albin Kurti.
“Pres sinjal pozitiv nga ky takim. Pres guxim dhe vullnet politik nga Kurti, duke parë që jemi në fund të afatit kushtetues. Limaj e ka zgjat dorën e bashkëpunimit, presim edhe nga Kurti të njëjtën që të largohemi nga ky ngërç dhe t’i japim Kosovës institucionet”, ka deklaruar Izmaku.
Ajo ka konfirmuar se Limaj synon pozitën e kryetarit të Kuvendit, duke theksuar se ai ka përkrahjen e nevojshme për ta marrë këtë detyrë.
“Mundësia më e mirë është që Fatmir Limaj të jetë kryeparlamentar. Do t’i merrte votat. Koha po ecën, duhet zgjidhje. S’ka alternativë tjetër”, ka shtuar ajo.
Haradinaj kritikon sjelljen e Deharit: Po sillet në mënyrë të çuditshme, po tenton ta ndalë fjalën e deputetëve
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kritikuar ashpër sjelljen e udhëheqësit të seancës konstituive, Avni Dehari, duke e quajtur të çuditshme dhe të papranueshme mënyrën se si po e menaxhon seancën plenare.
“Na ftohemi çdo 48 orë, sjellja e Deharit është e çuditshme, nuk e kuptojmë se në çfarë logjike sillet ashtu. Ajo panika e tij që me ja ndal fjalën deputetëve se po bëhet nami që një deputet po e shtojka një fjalë në foltore është e turpshme,” tha Haradinaj.
Ai shtoi se situata aktuale e krijuar në Kuvend është pasojë e mungesës së vullnetit për zgjidhje dhe e ndikimit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
“Ne varemi nga Kurti ose mashtruesi, ne nuk e kemi. Ne i kemi dhënë mbështetjen ndonjë kandidature unifikuese. Po vërehet se ai e ka nda mendjen me bë keq e ma keq për Kosovën,” u shpreh Haradinaj.
Deputeti i PDK-së: Kryetarët e partive po kalkulojnë në interesa të ngushta, jo në interes të shtetit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Nait Hasani, ka kritikuar kryetarët e partive parlamentare për mungesë të vullnetit politik dhe vendimmarrje në interes të shtetit.
Këto komente ai i bëri para seancës së 49-të për përpjekjen për konstituimin e Kuvendit, duke vlerësuar se vendi po përballet me mungesë qeverisjeje në një periudhë tejet të ndjeshme.
“Secili kryetar, pa përjashtim, po kalkulon në interesa të ngushta dhe asnjë në interes të shtetit. Shteti i Kosovës ka nevojë për qeverisje, sidomos ka interes për Gjykatën Speciale pas rrëzimit të mocionit atje dhe t’i dalim në mbështetje të tyre”, ka deklaruar Hasani.
Ai ka komentuar edhe takimin e paralajmëruar mes kreut të LVV-së, Albin Kurti dhe atij të Nismës, Fatmir Limaj, që pritet të zhvillohet sot.
“Takimi i sotshëm tregon për presionin që e kanë brenda vetes, edhe Limaj edhe Kurti. Afati po përfundon, prandaj presioni për të gjetur zgjidhje është i madh”, ka shtuar ai.
Bahtiri: Me lshue pe, për çka?
Deputeti i LVV-së, Agim Bahtiri, sot ka hyrë në Kuvendin e Kosovës pak më ndryshe.
Ndonëse herët e kaluara s’ngurronte që të fliste dhe të fajësonte ish-opozitën se po vijnë dhe s’po marrin pjesë në votim, sot ka provuar të hyjë brenda objektit të Kuvendit pa u ndalur fare tek gazetarët.
Megjithatë një pyetje e një preja gazetarëve se a do të lëshojë pe Lëvizja Vetëvendosje sot, ka bërë që Bahtiri të kthehet.
“Me lshue pe, për çka?”, ka thënë Bahtiri, derisa ka vazhduar të ecë brenda Kuvendit dhe ka mbyllur derën.
Brahimaj: Nëse Nisma dhe VV bëjnë marrëveshje, nuk votoj Limajn për kryetar të Kuvendit
Deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj, ka bërë të qartë se nuk do ta mbështesë Fatmir Limajn për kryetar të Kuvendit në rast se arrihet një marrëveshje mes Nismës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
“Që nga fillimi e kemi thënë që këta kanë një marrëveshje. Limaj e ka pranuar edhe vetë që janë takuar disa herë. Po, sigurisht nëse ata bien në dakordancë, votën time personale Limaj nuk do ta ketë,” tha Brahimaj.
Ai theksoi se AAK-ja ka paraqitur propozimet e veta dhe është e gatshme të votojë kandidatë të tjerë nga Vetëvendosje, por jo Fatmir Limajn.
“Ne kemi dhënë propozimet tona. Cili do prej VV-së, nëse nuk është në ndonjë ministri, ne do e votojmë, por Limajn jo,” u shpreh ai.
Sot përpjekja e 49-të
Sot do të mbahet seanca e 49-të për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Seanca është njoftuar të nisë në ora 11:00.
Njëjtë siç është afër seanca jubilare, ashtu po afrohet edhe afati 30 ditor i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, për konstituim të Kuvendit.
Rëndom si në seancat paraprake, edhe ajo që u mbajt 48 orë më parë u shoqërua me debat parlamentar dhe ndërprerje të fjalës në ftesën e kryesuesit Avni Dehari, për të propozuar emrat e anëtarëve për Komision për votim të fshehtë.
Kujtojmë se seanca e parë konstituive u mbajt më 15 prill, dy muaj e 6 ditë pas zgjedhjeve qendrore.