Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbreshë Kryeziu-Hyseni, ka reaguar ndaj interpretimit të këngës nacionaliste serbe, në mbrëmjen hapëse të Forumit të Zgjerimit të Komisionit Evropian në Bruksel, duke thënë se pret kërkimfalje politike ndaj qytetarëve të Kosovës.
Gjatë fjalës së saj në seancën e Kuvendit të Kosovës, Kryeziu-Hyseni tha se kjo këngë nuk është thjesht një melodi popullore, por, sipas saj, përfaqëson projektin irredentist të Sllobodan Millosheviqit, i cili përfundoi me dëbime masive dhe masakra në Kosovë.
Ajo theksoi se interpretimi i këngës pa tekst nuk e zbeh domethënien e saj, ndërsa përgjegjësinë për mesazhin e përcjellë ia atribuoi institucionit organizator.
Kryeziu Hyseni kërkon kërkim falje politike për këngën serbe në Bruksel
“Të dielën që shkoj, në mbrëmjen hapëse të forumit të zgjerimit që komisioni evropian e organizoi në Bruksel, në një koncert me titullin “Melodi të unitetit”, u interpretua “Oj Kosovo, Kosovo”, kjo nuk është thjeshtë një melodi popullore pa adresë, është himni i projektit irredentist të Millosheviqit, të Gazimestanit dhe shfuqizimit të autonomisë në Kosovë, i një projekti që përfundoi me dëbime masive, masakra dhe rreth një mijë e 600 të zhdukur, për fatin e të cilëve ende nuk dimë asgjë. Fakti që u interpretua pa tekst, nuk e zbeh domethënien e tij, sepse në Ballkan, fjalët e kësaj kënge i dinë të gjithë. Komisioni ia ka atribuuar përgjegjësinë muzikantëve, mirëpo në diplomaci përgjegjësia për mesazhin, i takon gjithmonë nikoqirit dhe llogaridhënia institucionale nuk delegohet... Presim kërkim falje politike ndaj qytetarëve të Kosovës, sqarim se si u përzgjodh dhe kush e miratoi”, tha ajo.