Në prezencë të ambasadorëve, për herë të 52-të dështon konstituimi i Kuvendit

Aktuale

Në prezencë të ambasadorëve, për herë të 52-të dështon konstituimi i Kuvendit

Më: 25 korrik 2025 Në ora: 07:04 Përditësuar në ora: 11:33 më 25.07.2025
Foto ilustrim

Për të 52-tën herë dështoi të konstituohet Kuvendit

Për herë të 52-tën dështoi të konstituohet Kuvendi i Kosovës.

Sipas kryesuesit të Kuvendit, Avni Dehari seanca e radhës do të mbahet të shtunën në orën 14:00.

“Dje jeni njoftuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për masën e përkoshme e cila hyn në fuqi të dielën. Duke pasur parasysh që nesër përfundon edhe afati Kushtetues prej 30 ditëve dhe të dielën hyn në fuqi masa e përkohshme e Kushtetueses seancën e radhë e mbajmë nesër në orën 14:00”, ka thënë Dehari.

Tashmë seancat po janë vetëm çështje procedure çdo 48 orë dhe jo përpjekje reale për konstituim.

Ndërkaq në këtë seancë të pranishëm ishin edhe ambasadorët e ambasadave të shteteve mike të Kosovës.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur masë të përkohshme ndaj veprimeve dhe vendimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit, duke ndaluar çdo aktivitet parlamentar nga data 26 korrik 2025 deri në një vendim të mëtejmë. 

Limaj: Mirë se kanë ardhur ambasadorët, masi të kryhet seanca flasim

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, nuk pranoi të flasë për gazetarët nëse ka arritur ndonjë dakordim me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në negociatat e nisura me të.

Ai tha se komentet e tij i bën pas seancës përkundër insistimit të gazetarëve.

I pyetur për prezencën e ambasadorëve sot në sallën e Kuvendit, Limaj tha: “Mirë se kanë ardhur. Masi të kryhet seanca flasim. Komentet i kam pas seancës”.

Limaj refuzoi të flasë edhe për vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese për masë të përkohshme dyjavore pas përfundimit të afatit 30-ditor.

Ambasadorët arrijnë në Kuvend

Ambasadorët e shteteve mike veçëse kanë arritur në ambientet e Kuvendit të Kosovës, për të parë nga afër vazhdimin 52-të të seancës konstituive.

Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë dje njoftoi se duke pasur parasysh se është mundësia e fundit për të konstituuar Kuvendin para afatit të Gjykatës Kushtetuese, ambasadori Jorn Rohde, së bashku me kolegë të tjerë ndërkombëtarë, planifikon të merr pjesë në seancën në parlament.

Gjykata Kushtetuese ka kthyer të premten më 24 korrik, përgjigje ndaj kërkesave të PDK-së dhe LDK-së mbi vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Kuvendit për votimin e Komisionit për votim të fshehtë të seancës së mbajtur më 29 qershor 2025.

Kushtetuesja ka caktuar masën e përkohshme përmes të cilës ndalohet çdo vendim dhe veprim i deputetëve të zgjedhur lidhur me seancën konstituive pas përfundimit të afatit 30 ditor, dhe se nuk do të mund të marrin asnjë vendim tjetër nga 27 korriku deri më 8 gusht.

Vazhdimi i pesëdhjetenjë i seancës më 23 korrik, u ndërpre nga kryesuesi Avni Dehari, duke thënë se nuk ka kushte për mbajtjen e saj dhe nuk e hodhi në votim formimin e komisionit të fshehtë, duke caktuar 25 korrikun si datë për vazhdimin e radhës nga ora njëmbëdhjetë, transmeton KosovaPress.

Gjykata Kushtetuese përmes një aktgjykimi më 26 qershor ka obliguar deputetët të konstituojnë Kuvendin e Kosovës deri më 26 korrik.

Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar të martën nga Kushtetuesja t’i vendosë masë të përkohshme rrjedhjes së këtij afati.

Kosova nuk ka themeluar institucionet e reja, përkundër që zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt.

Rexhepi: Sot ose nesër presim konstituimin e parlamentit

Deputetja boshnjake, Emilia Rexhepi është deklaruar para seancës së 52-të konstituive.

Ajo thotë se konstituimin e Kuvendit e presin sot ose nesër.

“Po presim sot dhe nesër të konstituojmë parlamentin, pastaj shohim”, u shpreh ajo.

Derisa sa i përket kandidimit të Fatmir Limajt për kryetar të parlamentit, Rexhepi tha se për këtë post kanë të propozuar vetëm Albulena Haxhiun.

“Zyrtarisht është Albulena Haxhiu, nuk dimë nëse ka ndryshim”.

Zemaj: VV-ja s’e ka hallin e Kuvendit, por të qeverisë sepse s’i ka numrat

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj para fillimit të seancës konstituive foli në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se i paraprinë kërkesës së tyre për interpretim të sjelljes së kryesuesit të Kuvendit.

Ai gjithashtu tha se çështja e masës i ka dy kuptime, e para që nuk dëshiron të lë ndonjë vakum të keqpërdorimit të seancës dhe dyta, si siç shpreh ai, t’i jap hapësirë VV-së që të gjejë bashkëpunim për konstituimin e Kuvendit e më pas edhe të formimit të Qeverisë.

“Kjo i paraprinë kërkesës tonë që e kemi dërguar për interpretim të sjelljes së kryesuesit të Kuvendit, ndërrimit të procedurës së votimit.

“Për mua personalisht ndoshta i ka dy kuptime kjo çështja e masës, e para që nuk dëshiron që të lë ndonjë vakum të keqpëdorimit të seancës së Kuvendit ose të ndonjë vendimi arbitrar nga kryesuesi i seancës dhe e dyta ndoshta t’i jap hapësirë akoma Lëvizjes Vetëvendosje që në kuadër të vendimit paraprak të Gjykatës Kushtetuese që të gjejë bashkëpunimin, mirëkuptimin, por edhe të krijojë mirëbesimin se mund ta zgjedhë kryetarin e Kuvendit dhe të kalojmë në pjesën e Qeverisë”, u shpreh ai.

Zemaj tutje u shpreh se Vetëvendosja nuk e ka hallin e Kuvendit, por të qeverisë sepse sipas tij, s’i ka numrat.

“Problemi tashmë është i qartë, ajo çka është evidente, Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka hallin e Kuvendit, e ka hallin e Qeverisë, nuk i ka numrat për koalicionin qeverisës dhe ky ngërç është pasojë e kësaj”

“Zgjedhjet janë gjithmonë opsion, sepse janë pjesë Kushtetuese dhe është pjesë procedurale, ne nuk mundemi as t’i anashkalojmë dhe as mos të jemi gjithmonë të gatshëm në kuptimin si parti e pjekur dhe e shtrirë në gjithë Kosovën, e gatshëm ta quajë kështu për të pasur zgjedhje”, u shpreh tutje Zemaj.

E thotë ish-zyrtari amerikan: Konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë do të bëhen

Christopher Hyland, ish-zyrtar i administratës amerikane, në kohën kur Bill Clinton ishte presdient i SHBA-së, u takua me kryeminsitrin në detyrë Albin Kurti.

Ai tha se konstituimi i Kuvendit do të ndodhë, ashtu si edhe formimi i Qeverisë.

“Takimi shkoi shumë mirë. Ai është një njeri me vetëbesim dhe autoritet. Kjo krizë që po kalon Kosova do të tejkalohet dhe vendi do të ketë një të ardhme më të mirë. Konstituimi i Kuvendit do të ndodhë, ashtu si edhe formimi i Qeverisë.”

Sipas tij, partitë opozitare duhet t’ia lejojnë Kurtit edhe një mandat, sepse ai ka marrë më shumë vota sesa partitë e mëdha të kombinuara.

“Albin Kurti beson se kjo periudhë do të kalojë. Besoj që nëse presidenti Trump do të ishte kryeministër i Kosovës do të ndiqte të njëjtën politikë. Kosova do të jetë dhe duhet të jetë pjesë e NATO-s dhe çfarëdo tensionesh të ketë tani, janë të përballueshme. Kosova duhet ta zgjidhë çështjen e saj me Serbinë. Serbia është duke e bllokuar progresin, sepse ata përfitojnë shumë kur nuk ka progres, marrin shumë shpërblime nga BE dhe Rusia”, tha Hyland.

Haxhiu s’e përjashton mundësinë e seancave tjera deri më 27 korrik

Kandidatja për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu është deklaruar para mediave pak para nisjes së seancës së 52-të konstituive.

Pasi kjo seancë shënon të fundit para skadimit të afatit të Gjykatës Kushtetuese rreth çështjes së konstituimit brenda 30 ditësh, Haxhiu nuk përjashtoi faktin se pas kësaj seance të paraparë të nisi nga ora 11:00, të ketë edhe pasuese.

Sipas saj, ka ende kohë, pasi mund të mbahet seancë sonte në mbrëmje, madje edhe nesër deri në mesnatë.

Haxhiu: Nëse s’ka reflektim, e vetmja zgjidhje mund të jenë zgjedhjet

E propozuara për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu është deklaruar pak para seancës së 52-të konstituive.

Ajo foli rreth masës së përkohshme që ka vendosur Gjykata Kushtetuese, nëse deri nesër në mesnatë nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës, transmeton Klankosova.tv.

“Duhet pasur parasysh se as PDK-ja e LDK-ja nuk kishin kërkuar masë të përkohshme, pra edhe përkundër faktit që e kishin dërguar lëndën në Gjykatën Kushtetuese, nuk kishin kërkuar masë të përkohshme, megjithatë duke pasur parasysh aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, pra këtë të fundit, gjykata siç e dini, seanca konstituive duhet të ndodh.

 Pra Kuvendi duhet të konstituohet brenda afatit 30-ditor, dhe është e natyrshme, është normale që në këto rrethana kur nesër kemi ditën e fundit, Gjykata të marr masën e përkohshme, dhe jo pse këtë ia ka kërkuar PDK-ja dhe LDK-ja”, tha ajo.

Haradinaj: E tërë Kosova është peng i Kurtit

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, është shprehur i habitur me mënyrën se si po e menaxhon seancën kryesuesi Avni Dehari.

Teksa po hynte në Kuvend për të marrë pjesë në tentimin e 52-të për konstituim, Haradinaj tha se nuk e di se nga po i buron ajo nervozë, Deharit.

“Ne kemi ardhur gjithmonë me shpresë se do të kemi një lëvizje nga ata që po e mbajnë peng sigutatën, nga zoti Kurti. I kemi ofruar edhe ndihmë për votat tona, pa asnjë kalkulim politik, për një kandidat përbashkues. E shihni se është një situatë shumë e rëndë me zotin Dehari, po e menaxhon shumë keq seancën. Është një lloj nervoze. Nuk e di se nga i buron ajo nervozë, ajo frikë se po ndodh ndonjë tragjedi nëse dikush e thotë ndonjë fjalë. Është një sjellje e habitshme, një panik i tillë, nuk e kuptoj pse”, tha Haradinaj, teksa shtoi se “jemi të shqetësuar me këtë gjendje”.

Më tutje, ai tha se koha që Gjykata Kushtetuese u ka dhënë deputetëve, deri më 8 gusht, është e mjaftueshme për të gjetur një zgjidhje.

“Është me rëndësi që koha është e shkurtë, pra masa e përkohshme është për dy javë. Na jep shpresë se pas dy jave do të ketë zhvillime të reja, ose vendim të ri të gjykatës, për një masë finale. Kjo ndoshta është e mira e kësaj. Siç duhet, kemi afat edhe nesër, andaj mendoj se ky dyjavëshi nuk është i keq”.

“Është e mundshme se gjykata e ka paraparë se kaq kohë nevojitet për një zhvillim të ri, që nuk do të ishte pak dy javë”, tha Haradinaj.

Kreu i AAK-së tha se nuk duhet të favorizohen zgjedhjet e reja, por tha se megjithatë, partia e tij është e gatshme.

“Ne nuk mendojmë se duhet të favorizohen zgjedhjet pa i shteruar mundësitë për të krijuar institucione”, deklaroi kreu i AAK-së. “Zgjedhjet mund të sjellin një rezultat, por mund të na sjellin një situatë të ngjashme. Kuptohet se jemi të gatshëm, por nuk i kërkojmë zgjedhjet”.

Haradinaj tha se Kuvendi dhe e tërë Kosova janë peng të kreut të LVV-së, Albin Kurtit.

“Ne jemi peng të Kurtit, një Kosovë, një parlament… Nëse ai e ka ndarë mendjen ta bëjë keq e më keq, dhe unë po besoj se e ka ndarë mendjen, ai do të vazhdojë ta degradojë vendin”, u shpreh deputeti Haradinaj. 

Në prezencë të ambasadorëve, sot tentohet për herë të 52-të konstituimi i Kuvendit të Kosovës

Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot, për herë të 52-të, në një përpjekje tjetër për ta konstituar legjislaturën e nëntë, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 9 shkurt.

Në vazdimin e seancës konstituive, që pritet të nis në orën 11:00, të pranishëm do të jenë edhe ambasadorë të akredituar në Kosovë.

 “Duke qenë se është mundësia e fundit për ta konstituuar Kuvendin para afatit të Gjykatës Kushtetuese, ambasadori Rohde, së bashku me kolegë të tjerë ndërkombëtarë, planifikon të marrë pjesë në seancën në Parlament”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Gjermane në Kosovë.

Tentimi i 51-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës të mërkurën nuk ka dhënë asnjë rezultat. Ndryshe nga herët tjera, nuk është hedhur në votim fare formimi i komisionit për votim të fshehtë, pasi pati një përplasje mes kryesuesit të seancës, Avni Dehari dhe deputetes së PDK-së, Ganimete Musliut.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat