“Rezervat shtetërore”, pas intervistimit deklarohet Hajdari

Aktuale

“Rezervat shtetërore”, pas intervistimit deklarohet Hajdari

Më: 31 korrik 2025 Në ora: 10:50 Përditësuar në ora: 12:33 më 31.07.2025
Rozeta Hajdari

Rozeta Hajdari thotë se Prokuroria Speciale nuk pati të drejtë të marrë dokumente sekrete

Ministrja në detyrë e Tregtisë dhe e Industrisë, Rozeta Hajdari, përfundoi intervistimin në Prokurorinë Speciale të Kosovës në lidhje me hetimet për rezervat shtetërore, një çështje që kishte shpërthyer si skandal publik në gusht të vitit 2023, kur disa zyrtarë të kësaj ministrie përfunduan në pranga për dyshime për keqpërdorime.

Pas intervistimit, Hajdari reagoi ashpër ndaj mënyrës së zhvillimit të hetimeve. Ajo tha se ministria kishte vepruar në përputhje me ligjin në procesin e furnizimit me rezerva shtetërore në fillim të vitit 2022, në një periudhë të ndjeshme për vendin.

“Sot isha e ftuar nga Prokuroria Speciale për intervistë, për kontraktimin e rezervave shtetërore proces jetik për të gjithë ne, proces i rëndësishëm për popullatën tonë. Ministria ka bërë blerjen e rezervave shtetërore në kohën kur ishim të pambrojtur, në shkurt 2022 dhe mars 2022. Për këtë proces jetik tani pyetem nga Prokuroria Speciale, por një pyetje vjen se a është ky proces i ligjshëm dhe si prokuroria hyri në ministri për të marrë dokumente të klasifikuara si sekret të rezervave shtetërore. Asnjë person nuk mund të ketë qasje në rezervën klasifikuar sekret pa një procedurë të qartë ligjore sipas udhëzime të AKI-së dhe Agjencisë për mbrojtje të klasifikuara. Ne si Ministri i kemi klasifikuar vendet sekret sipas Ligjit për mbrojtjen e informacioneve të klasifikuara sipas nenit të rezervave shtetërore, por në realitet Prokuroria Speciale bëri një gabim si një hap të pamenduar mirë duke dërguar dy policë hetues pa certifikatë sigurie dhe duke marrë dokumentet brenda një orë në ministri.

Këtë e ka konstatuar edhe Inspektorati Policor, me raportin informues që dy policët hetues shkuan në ministri pa certifikatë sigurie të nivelit sekret. Ky raport nga Inspektorati Policor, u dërgua edhe në Prokurorinë Speciale, për udhëzime dhe veprime të mëtejme ndaj këtyre dy policëve. Në realitet, prokurori Gashi i cili po merret me këtë lëndë ka liruar nga përgjegjësia këta dy policë dhe vetë prokuroria po shkel ligjin. Prokurori Gashi vetë po autorizon dhe vetë po liron nga përgjegjësia policët e pacertifikuar me certifikate sigurie të nivelit sekret. Për më shumë, më vjen keq dhe turp se asnjëherë për këtë proces nuk është raportuar drejt. Më vjen turp edhe për veprimet e Gashit për shkeljen e ligjit. Për më shumë, ne si ministri kemi inicuar një hetim të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit për të inciuar një hetim dhe për të ardhur në konstatim të kësaj shkeljeje të këtij konflikti të interesit, sepse e kemi te dokumentuar në raportin e Inspektoratit Policor në emailin e dokumentar, ku prokurori Gashi pranon konfliktin e interesit për të shqyrtuar këtë raport të IP-së, për më keq Prokuroria Speciale vetë i njëjti prokuror mbyll rastin. Unë e di që pas këtij hetimi nga Agjencia për Parandalimin e konfliktit ne do të përballemi në gjykatë”, tha Hajdari.

Rasti në fjalë kishte marrë vëmendje të madhe në gusht të vitit 2023, kur u arrestuan disa persona.

Prokuroria Speciale konfirmon: Rozeta Hajdari ftuar si e pandehur në hetimet për rezervat shtetërore

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka konfirmuar se ministrja në detyrë e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, është ftuar për t’u deklaruar në cilësinë e të pandehurës në hetimet për aferën e rezervave shtetërore.

Sipas zëdhënëses së Prokurorisë, Arbnora Luta:

“Znj. Rozeta Hajdari është ftuar për t’u deklaruar në cilësinë e të pandehurës, në kuadër të hetimeve për rastin ‘Rezervat shtetërore’. Thirrja është bërë me qëllim të konstatimit të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike për të gjitha dyshimet që janë pjesë e hetimit.”

Luta shtoi se “Megjithatë, znj. Hajdari ka shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje, sikurse kishte bërë edhe gjatë thirrjes së parë për këtë çështje.”

Ajo gjithashtu u shpreh se “Rasti është duke u trajtuar në përputhje me rregullat dhe standardet e përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale.”

Hetimet për aferën e rezervave shtetërore vazhdojnë me intensitet, ndërsa Prokuroria Speciale po përpiqet të sqarojë të gjitha rrethanat dhe përgjegjësitë lidhur me këtë çështje.

Rozeta Hajdari shkon në Prokurorinë Speciale për t’u intervistuar sërish për rezervat shtetërore?

Ministrja në detyrë e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, po raportohet se është paraqitur për t’u intervistuar, sërish në Prokurorinë Speciale të Kosovës dhe sipas informacioneve të para, rasti lidhet me rezervat shtetërore.

Media ka kërkuar konfirmim zyrtar nga Prokuroria dhe është në pritje të përgjigjes.

Kujtojmë se kjo çështje u bë kryelajm në muajin gusht të vitit 2023, kur u raportua për keqpërdorimin e rezervave, për çka disa persona përfunduan në pranga të Policisë, në mesin e të cilëve edhe zyrtarë të ministrisë së Hajdarit.

Tetë muaj më vonë, në prill të vitit të kaluar, Hajdari ishte ftuar për intervistim nga Prokuroria Speciale, nën dyshimet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare.

Në paraqitjen e saj para prokurorëve, ajo ishte mbrojtur në heshtje.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat