Sot protestohet në Hagë

Aktuale

Sot protestohet në Hagë

Më: 14 shtator 2025 Në ora: 07:14 Përditësuar në ora: 11:23 më 14.09.2025
Sot protestohet në Hagë

​Gjithçka gati për protestën në Hagë, protestuesit nisin të mblidhen

Ish-veteranë dhe qytetarë nga shumë vende të botës kanë nis të mblidhen në Hagë, në protestën e thirrur në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Dhomat e Specializuara.

Protesta pritet të nis në orën 14:00 dhe nuk do të mbahet para ndërtesës së Gjykatës Speciale, sepse kjo nuk është lejuar për shkaqe të sigurisë, por vetëm në afërsi të saj. Protesta është paralajmëruar të jetë madhështore për shkak të interesimit të madh të shqiptarëve nga vende të ndryshme të botës.

Protestuesit që janë ish-luftëtarë e qytetarë të tjerë nga vende të ndryshme të botës tashmë kanë përgatitur pankartat përmes së cilave do të përcjellin mesazhet e tyre. Të gjitha mesazhet do të jenë në gjuhën angleze pasi që ato janë të dedikuara për Gjykatën Speciale që është më staf tërësisht ndërkombëtar, dhe Bashkimin Evropian si financues i këtij institucioni.

Disa autobusë janë nisur edhe nga Kosova.

Kjo protestë, përmes së cilës kërkohet drejtësi, vjen vetëm një ditë para se të nis dëgjimi i dëshmitarit të parë të mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së.

Në sallën e gjyqit nesër, më 15 shtator në mbrojtje të ish-presidentit Hashim Thaci pritet të paraqitet James Rubin, amerikani i cili gjatë luftës në Kosovë ka qenë ndihmës sekretar i Shtetit. Pas tij do të ketë edhe dëshmitarë të tjerë që janë figura nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania. Fillimisht do të dëgjohen dëshmitarët e mbrojtjes së Hashim Thaçit, e më pas të Jakup Krasniqit.

Ajo çka pritet janë rreth 11 dëshmitarë të mbrojtjes së Thaçit më sallën e gjyqit, dhe dy të tjerë të Krasniqit dhe dëshmitë e tyre synohet të jepen në seanca të hapura.

Paraqitja e provave të mbrojtjes vjen katër muaj pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar përfundoi me dëshmitarët e saj dhe e mbylli çështjen. Prokuroria i pati sjell 125 dëshmitarë në sallë dhe është mbështetur në mbi 130 dëshmi ne shkrim.

Hashim Thacin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, ZPS-ja i ngarkon me përgjegjësi për krime të pretenduara të luftës dhe ka thënë se ata ishin pjesë e “një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”. Mbrojtja e katërshes së UÇK-së i mohon akuzat dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk ka pasur strukturë të organizuar komanduese.

Kujtojmë se aktakuza ndaj Thaçit, Krasniqit, Veselit e Selimit, ishte konfirmuar vjeshtën e vitit 2020. Prej atëherë, ata qëndrojnë në qendrën e paraburgimit në Sheveningen të Hagës. Gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill të vitit 2023.

Ky proces që konsiderohet i tejzgjatur tashmë duket se është drejt fundit dhe ka hyrë në fazën më të rëndësishme të tij. Gjyqtarët në Speciale presin që mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së të paraqesë shkresat përfundimtare deri më 22 dhjetor të këtij viti.

“Do t’i vendosim edhe tendat”, shqiptarët nga Sllovenia drejt Hagës me autobus

Nga Sllovenia drejt Hagës me autobus është nisur Egzon Shabani bashkë me punëtorët e kompanisë së tij.

Në një lidhje direkte nga autobusi rrugës për në Hagë, ai ka treguar se bashkë me të ka edhe veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Shabani poashtu tha se nëse ka nevojë, do t’i vendosin edhe tendat për ish-krerët e UÇK-së të cilët po mbahen padrejtësisht në Hagë.

“Në autobus jemi. Jemi nisur nga Sllovenia, 1500 kilometra larg nga këtu, me vullnetin më të madh. Në krahasim me vullnetin,organizimi ka qenë i lehtë. Kanë bërë shumë ata për neve gjatë luftës. Në mesin e protestuesve me mua, ka edhe veteranë. Përveç shoferëve, të gjithë jemi shqiptarë. Të lirohen dhe të mos kemi nevojë më të protestojmë. Nëse ka nevojë, do t’i vendosim edhe tendat derisa të lirohen ata”, tha ai.

Fillon grumbullimi i protestuesve para selisë së Gjykatës Speciale

Sot, nga ora 14:00, para selisë së Gjykatës Speciale në Hagë do të zhvillohet një protestë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në paraburgim.

Pritet pjesëmarrje e qytetarëve nga diaspora, familjarëve dhe përfaqësuesve të shoqatave të dala nga lufta, të cilët kërkojnë drejtësi dhe proces të drejtë gjyqësor.

Protesta zhvillohet vetëm një ditë para nisjes së fazës së re të procesit gjyqësor.

Të hënën, pala mbrojtëse do të fillojë paraqitjen e dëshmitarëve, mes të cilëve pritet të jetë edhe James Rubin, ish-ndihmës sekretar i Shtetit në administratën e presidentit amerikan Bill Clinton, i njohur për rolin e tij diplomatik gjatë luftës në Kosovë.

Ish-krerët e UÇK-së i kanë mohuar akuzat, duke i cilësuar ato politike dhe të padrejta, ndërsa mbështetësit e tyre kanë kërkuar vazhdimisht proces transparent dhe të paanshëm.

Ekipi i Telegrafit, gazetarja Jehona Hulaj së bashku me kameramanin Blendi Aligjiku, ndodhet në Hagë dhe do të raportojë nga afër jo vetëm për protestën e sotme, por edhe për zhvillimet në sallën e gjyqit gjatë ditëve në vazhdim.

Sot protestohet në Hagë

Sot me fillim nga ora 14:00 do të mbahet protestë pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë.

Bashkëluftëtarët dhe mërgimtarët nga diaspora, por edhe shqiptarët si nga Kosova, ashtu edhe nga trojet tjera shqiptare, veçse kanë mbërritur në Hagë, për të marrë pjesë nesër në protestë.

Nga atje është bërë e ditur se lokacioni i protestës është caktuar në një park afër muzeut Madurodam, pasi që te Gjykata Speciale një gjë e tillë nuk është lejuar për arsye të sigurisë.

Mbështetje për protestën e sotme që organizohet nga mërgata shqiptare, treguan edhe krerët e disa prej partive kryesore në vend.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat