Kurti për vdekjen Petrovcit: Kosova humbi një thesar, por trashëgimia e tij artistike do të mbetet e gjallë brez pas brezi

Aktuale

Kurti për vdekjen Petrovcit: Kosova humbi një thesar, por trashëgimia e tij artistike do të mbetet e gjallë brez pas brezi

Nga: M.L. Më: 22 shtator 2025 Në ora: 16:48
Enver Petrovci

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka reaguar me rastin e ndarjes nga jeta të aktorit Enver Petrovci.

Kurti në një postim në Facebook ka shkruar se Enver Petrovci në çdo takim përçonte frymëzim me liri shprehjeje.

“Me dhimbje e pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta të aktorit, regjisorit dhe pedagogut tonë Enver Petrovci. Kujtesa energjike dhe qartësia e mendimit e bënin të veçantë: në çdo takim përçonte frymëzim me liri shprehjeje, kurse me vështrime lucide e humor vitruoz ndriçonte çdo bisedë”, ka thënë Kurti.

Ai ka kujtuar jetën dhe veprën e aktorit Petrovci duke thënë se me rolet e tij, ai e ngriti teatrin dhe filmin në skenën vendore e ndërkombëtare.

“Para veprës së tij shtrihet një kaleidoskop artistik i pamasë. Ai ishte themelues i Teatrit “Dodona” dhe i Shkollës së Aktrimit, profesor në degën e aktrimit në Universitetin e Prishtinës, i dashur për aq shumë gjenerata studentësh. Me rolet e tij të paharrueshme dhe profesionalizmin e përpiktë, ai e ngriti teatrin dhe filmin tonë në skenën vendore, rajonale dhe evropiane”, ka ka nënvizuar ai.

Në fund, Kurti ka ngushëlluar familjen si dhe komunitetin artistik për vdekjen e aktorit Petrovci.

“Sot Kosova humbi një thesar kombëtar, por trashëgimia e tij artistike do të mbetet e gjallë, pasuri e përbashkët që institucionet tona dhe komuniteti i artistëve do ta ruajnë e përcjellin brez pas brezi. Ngushëllime të përzemërta familjes, kolegëve dhe të gjithë artdashësve”, përfundoi ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat