Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar pas përfundimit të zgjedhjeve, duke kritikuar saktësinë e exit polleve.
Ai tha se deklaratat e atyre që kishin qasje në to kanë ndikuar në krijimin e bindjeve të parakohshme për disa komuna dhe madje edhe në balotazh.
“Humbësi i sotëm janë exit pollet. Fituesi i ditës janë qytetarët dhe mbarëvajtja e zgjedhjeve,” shkroi Ahmeti, duke shtuar se procesi zgjedhor kaloi me sukses, pavarësisht “gulshimeve të disave”.
Postimi i plotë:
Deklaratat e atyre me qasje në exit polle flisnin shumë para mbylljes së vendvotimeve për fitore të sigurta duke ndikuar kështu edhe në krijimin e bindjes së përgjithshme për ca komuna. Huqja e madhe e exit polleve është për tu analizuar. Me këtë kanë ndikuar edhe në balotazh. Humbësi i sotëm janë exit pollet.
Fituesi i ditës janë qytetarët dhe mbarëvajtja e zgjedhjeve. Edhe një test i kaluar me sukses i dobësuar vetëm nga gulshima e disave.