​Orav takon Ursula von der Leyen

Aktuale

​Orav takon Ursula von der Leyen

Më: 15 tetor 2025 Në ora: 14:12
Foto nga takimi

Ambasadori i Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë Aivo Orav ka pritur sot kreun e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, raporton KosovaPress.

Kjo e fundit ka arritur sot për vizitë në Kosovë në kuadër të një turneu në vendet e Ballkanit Perëndimor.

“I nderuar të pres sot në Kosovë presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen para takimeve të saj me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti”, ka shkruar ambasadori Orav në një postim në rrjetin X.

Ursula von der Leyen gjatë turneut të saj ka vizituar Shqipërinë, Malin e Zi, Bosnjë e Hercegovinën dhe Serbinë. Pjesë e vizitës pas Kosovës do të jetë Maqedonia e Veriut.

Vizita e saj në vendet e Ballkanit Perëndimor shihet si një rast për të përsëritur mbështetjen e BE-së për rrugën e pranimit të rajonit në BE dhe qasjen graduale në Tregun e Përbashkët, si dhe për të diskutuar Planin e Rritjes prej 6 miliardë eurosh të BE-së për Ballkanin Perëndimor për periudhën 2024-2027.

Ndryshe, herën e fundit që von der Leyen kishte qëndruar në Kosovë ishte në tetor 2024, kur kishte folur për masat ndëshkuese që BE i ka vendosur ndaj Kosovës. Që atëherë, blloku ka njoftuar se ka nisur heqjen e disa masave, që u vendosën më 2023 për shkak të rritjes së tensioneve në veri.

Gjatë asaj vizite, shefja e KE-së kishte lavdëruar Kosovën për punën që kishte bërë në agjendën e reformave për Planin e Rritjes të BE-së. Kosova nuk ka përfituar nga ky Plan, pasi për shkak të mungesës së krijimit të institucioneve deri më tani nuk janë miratuar marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare.

Plani i Rritjes prej 6 miliardë eurosh përfshin investime dhe reforma si pjesë e agjendës reformuese për periudhën 2024-2027, prej tyre dy miliardë janë në formë granti, ndërsa katër miliardë janë në formë kredie me këste të favorshme.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat