Nagavci: LVV është fituese e zgjedhjeve, po qeverisim me shtatë komuna

Aktuale

Nagavci: LVV është fituese e zgjedhjeve, po qeverisim me shtatë komuna

Më: 11 nëntor 2025 Në ora: 22:23
Foto arkiv/ Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka deklaruar se subjekti i saj politik është fitues i zgjedhjeve lokale, duke theksuar se rezultati i arritur dëshmon rritjen dhe besimin e qytetarëve në këtë parti.

“Sigurisht që pritshmëritë dhe angazhimi ynë kanë qenë për edhe më shumë fitore, mirëpo nëse reflektojmë mbi rezultatin e arritur, mund të themi se Vetëvendosja në të vërtetë është fituese e zgjedhjeve – jo vetëm në raport me vetveten, por edhe në raport me partitë tjera”, tha Nagavci.

Ajo bëri të ditur se Vetëvendosje aktualisht qeveris në shtatë komuna, duke përfshirë katër komuna ku ka udhëhequr edhe më parë, si dhe tri komuna të reja.

“Në katër komuna ku kemi qeverisur edhe në mandatin e kaluar, ne po riqeverisim. Kjo tregon se qytetarët e kanë vlerësuar punën e mirë të kryetarëve tanë dhe të qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje”, theksoi ajo.

Sipas saj, suksesi i Vetëvendosjes në Fushë Kosovë, Kastriot (Obiliq) dhe Mitrovicën e Jugut përbën një arritje të veçantë.

“Në Fushë Kosovë, pas më shumë se 20 vitesh, qytetarët kanë vendosur që të qeverisen nga LVV. Po ashtu, edhe fitoret në Kastriot dhe Mitrovicën e Jugut janë suksese të jashtëzakonshme”, shtoi deputetja.

Nagavci tha se Vetëvendosje ka marrë rreth 48 për qind të votës së përgjithshme, duke e cilësuar këtë si dëshmi të rritjes së vazhdueshme të subjektit.

“Nëse krahasojmë me zgjedhjet e para lokale, kur kishim fituar vetëm një komunë – Prishtinën – më pas katër, dhe tani shtatë, shihet qartë se LVV është forcë politike në rritje si në nivel qendror ashtu edhe lokal”, u shpreh ajo.

Ajo gjithashtu vlerësoi punën e kandidatëve të partisë edhe në komunat ku LVV nuk ka fituar.

“Ne kemi pritur dhe jemi angazhuar shumë për të fituar edhe në Prishtinë, por edhe në Gjakovë, Pejë e Prizren. Edhe pse nuk fituam shumicën për të qeverisur, kandidatët tanë kanë qenë të përgatitur, kompetent dhe e kanë dhënë maksimumin”, tha Nagavci.

Sipas saj, kandidatët dhe asamblistët e LVV-së do të vazhdojnë të jenë aktivë në nivel lokal, duke mbikëqyrur qeverisjet komunale dhe duke ngritur cilësinë e debatit publik.

“Edhe aty ku nuk jemi fitues, do të qëndrojmë aktivë. Kandidatët tanë do të përcjellin punën në nivel të komunave dhe do të vazhdojnë me kritikat që i kemi dhënë për qeverisjet aktuale”, përfundoi Nagavci. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat