Muja sqaron për fletëvotimet me shpërputhje në Mitrovicë: Nuk ka pasur manipulim apo ndërhyrje të qëllimshme

Aktuale

Muja sqaron për fletëvotimet me shpërputhje në Mitrovicë: Nuk ka pasur manipulim apo ndërhyrje të qëllimshme

Nga: Bota sot Më: 12 nëntor 2025 Në ora: 21:29
Armend Muja

Armend Muja ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se pas rifillimit të procesit të numërimit dje në orën 16:00 në Qendrën e Numërimit në Mitrovicë, janë identifikuar gjithsej 75 fletëvotime me shpërputhje në numrin serik.

Sipas tij, 43 prej tyre kanë rezultuar të papërdorura, ndërsa 32 janë përdorur në procesin zgjedhor. Nga këto të fundit, 17 vota i përkasin kandidatit të PDK-së, 10 kandidatit të LVV-së, ndërsa 5 fletëvotime janë pa numër serik.

Muja thekson se këto të dhëna janë evidentuar gjatë një procesi të rreptë verifikimi, i cili është zhvilluar pas shqetësimeve të ngritura për përputhshmërinë e numrave serikë me vendvotimet përkatëse.

Sipas sqarimeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe kompania përgjegjëse për shtypjen e fletëvotimeve, CETIS, shpërputhja është shkaktuar nga një defekt teknik në njërën nga kokat e printimit, duke përjashtuar çdo mundësi për ndërhyrje të jashtme apo falsifikim.

Po ashtu është konfirmuar se çdo fletëvotim ka pasur elemente sigurie dhe është i gjurmueshëm në sistem. Procesi i numërimit është zhvilluar nën vëzhgim të subjekteve politike dhe institucioneve përkatëse, duke garantuar transparencë dhe integritet zgjedhor.

Muja ka përfunduar se gjetjet e deritanishme përjashtojnë çdo bazë për pretendime të manipulimit apo ndërhyrjes së qëllimshme në favor të ndonjë subjekti politik.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat