Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të votojë për mandatarin për kryeministër, Glauk Konjufca. Në këtë parti deklarojnë se po presin dështimin e Konjufcës për ta formuar qeverinë e re dhe më pas të shkohet në zgjedhje të parakohshme në fund të muajit dhjetor.
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Berat Rukiqi, në konferencë për media të enjten tha se LDK në asnjë rrethanë nuk ka votë për qeverinë Konjufca.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, javën e kaluar e ka mandatuar Glauk Konjufcën për kryeministër, pas propozimit të LVV-së si partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Konjufca ka kohë deri më 19 nëntor që të kërkojë votëbesimin në Kuvendin e Kosovës.
Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, ka dështuar më 26 tetor të formojë qeverinë e re.
Rukiqi: LDK nuk voton për Konjufcën
“Asnjë ftesë e re dhe në asnjë rrethanë nuk ka votë për asnjë lloj qeverie e cila deri tash është vetëm një taktikë e re për të blerë kohë, por asnjëherë serioze për me krijua shumicë. Siç e kemi thënë nga fillimi, në konstelacionin aktual të Kuvendit s’ka shumicë. Përderisa s’ka shumicë dhe s’ka marrëveshje politike, LDK nuk jep votë. Ne presim që sa më shpejt të konsumohet edhe kjo blerje e kohës nga LVV-ja dhe të shkohet në zgjedhje e ta mbajmë veten”, tha ai.
Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Alban Zogaj, tha se mandatari për kryeministër, Glauk Konjufca, nuk ka pasur asnjë ftesë për negociim me LDK-në.
Në bazë të informatave që Zogaj tha se i ka, Konjufca dhe as LVV-ja nuk kanë kontaktuar as ndonjë deputet të LDK-së për ta siguruar votën e tyre.
Zogaj: Nuk kemi asnjë informacion deri tani që është kontaktuar ndonjë deputet i LDK-së
“Nuk kemi asnjë informacion deri tani që është kontaktuar ndonjë deputet i Grupit Parlamentar për këtë rast. S’ka pasur asnjë qasje institucionale, as partiake e as individuale”, theksoi Zogaj.
Në anën tjetër, Zogaj, duke folur për datën e zgjedhjeve të parakohshme, tha se nuk preferojnë që zgjedhjet të mbahen më 28 dhjetor, pasi sipas tij, kjo datë ndërlidhet me festat e fundvitit dhe mund të mos ketë vëzhgues ndërkombëtarë.
Megjithatë, ai theksoi se afatet janë kushtetuese dhe LDK do të jetë e gatshme për zgjedhje kurdo që ato të mbahen.
LDK e gatshme për zgjedhje: Kjo datë nuk është ideale
“Afatet zgjedhore në vendin tonë janë afate kushtetuese. Ne nuk mund të shkojmë me dëshira të datës së zgjedhjeve, pasi janë afatet kushtetuese që do ta përcaktojnë edhe datën e zgjedhjeve, ku ulen partitë me presidenten dhe dakordohen për datën, që me gjasë do të jetë nga fundi i muajit dhjetor. Megjithatë, data 28 dhjetor nuk është e mirë për zgjedhje. Data 28 është ditë dhe datë kur njerëzit bëhen gati për festat e fundvitit dhe jo për zgjedhje. Kemi problematikë edhe me i organizuar zgjedhjet në mënyrën më të mirë të mundshme, po ashtu me ruajt votën, pasi i bie gjatë kohës së festave të Vitit të Ri dhe aq më tepër kur mund të kemi mungesë të vëzhguesve ndërkombëtarë. Nuk është datë ideale, por nëse afatet kushtetuese e përcaktojnë një gjë të tillë, LDK është e gatshme për zgjedhje”, deklaroi ai.
Krahas kësaj, Zogaj, derisa u pyet për mungesën e pagave në RTK, i bëri thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të gjejë zgjidhje në mënyrë që punëtorët në këtë transmetues publik të mos mbesin pa paga.
Sipas LDK-së, në Kuvend s’mund të themelohen komisionet parlamentare pasi nuk dihet se kush është pozita dhe kush opozita.
“Kurti të gjejë zgjidhje për punëtorët e RTK-së”
“Ne bashkëndjejmë me punëtorët e RTK-së që nuk po i marrin pagat, por përgjegjësia kryesore bie mbi atë që thotë se ka qeveri, por Kuvend s’ka. Nëse ka qeveri, bëje zgjidhjen ju lutem për RTK, por edhe për agjencionet e tjera të pavarura”, potencoi ai.
Punëtorët e RTK-së, sot kanë protestuar sërish për shkak të pagave, të cilët kërkuan ekzekutimin e mjeteve për tetor. Ata paralajmëruan greva nga dita e hënë nëse nuk ekzekutohen pagat e muajit tetor.