Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka përshëndetur vendimin e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, për caktimin e 28 dhjetorit si datë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti e ka cilësuar ditën e zgjedhjeve si “festë të demokracisë”, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes sa më të gjerë të qytetarëve me të drejtë vote.
Kurti nënvizoi se vendimi i Presidentes për ta caktuar 28 dhjetorin si ditë të zgjedhjeve vjen në kohën e duhur dhe se kjo datë është më e përshtatshme për organizimin e procesit zgjedhor që po i pret qytetarët e vendit.
Postimi i plotë:
Dita e zgjedhjeve është festë e demokracisë. Ajo bëhet edhe më madhështore kur ka pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve tanë me të drejtë vote. Në të njëjtën kohë, duhet të sigurohemi që institucionet shtetërore kanë kohën e mjaftueshme për të bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që procesi zgjedhor të jetë i rregullt, i drejtë dhe demokratik. Andaj, ne e mirëpresim caktimin e datës 28 dhjetor nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu, si datën më të përshtatshme për zgjedhjet e parakohshme që po na presin.