"Trump nuk mund ta shohë më me sy": Si i humbi Vuçiçi të gjitha shanset me Uashingtonin për shkak të "Shtabit të Përgjithshëm"

Aktuale

"Trump nuk mund ta shohë më me sy": Si i humbi Vuçiçi të gjitha shanset me Uashingtonin për shkak të "Shtabit të Përgjithshëm"

Më: 17 dhjetor 2025 Në ora: 23:22
Donald Trump dhe Aleksandar Vuçiç

Vendimi i kompanisë së dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump për t'u tërhequr nga projekti i ndërtimit mbi rrënojat e "Shtabit të Përgjithshëm" në Beograd, është një dëshmi më se e qartë se presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka humbur të gjitha shanset e tij me Uashingtonin, shkruan në analizën e saj media serbe Nova.rs.

Analisti i politikës së jashtme, Boshko Jakshiç, thekson se mënyra se si u arsyetua tërheqja e amerikanëve nga ky projekt përbën një fyerje personale për presidentin serb. Jakshiç beson se, pas gjithë kësaj, Trump nuk dëshiron ta shohë më me sy Vuçiçin.

"Meqenëse projektet e rëndësishme duhet të bashkojnë dhe jo të përçajnë, dhe nga respekti për popullin e Serbisë dhe qytetin e Beogradit, ne po e tërheqim aplikimin tonë në këtë moment," – ky ishte arsyetimi i kompanisë "Affinity Partners" të Jared Kushner (dhëndrit të Trumpit) për heqjen dorë nga ndërtimi i hotelit Trump në qendër të Beogradit.

Kjo ndodhi pikërisht në ditën kur u ngritën aktakuza ndaj disa personave, përfshirë ministrin serb të Kulturës, Nikola Selakoviç, për shkelje ligjore lidhur me heqjen e statusit të mbrojtjes si "pasuri kulturore" për ndërtesat e Shtabit të Përgjithshëm.

Presidenti i tërbuar kërcënon me padi

Një ditë më vonë, vetë Aleksandar Vuçiç fajësoi qytetarët dhe ekspertët për dështimin e këtij projekti madhështor amerikano-serb, duke i akuzuar ata për kundërshtimin e paligjshmërive që e shoqëruan procesin që nga fillimi.

"Qëllimi është të nxijnë gjithçka, të shkatërrojnë Serbinë, ta lënë pa investitorë, në mënyrë që Serbia të zhduket nga harta e vendeve të suksesshme. Humbëm një investim të jashtëzakonshëm. Do të kujdesem personalisht që të gjithë ata që morën pjesë në shkaktimin e këtij dëmi të mbajnë përgjegjësi," kërcënoi Vuçiç, dukshëm i zemëruar dhe i shqetësuar.

Analisti Boshko Jakshiç thekson për "Nova.rs" se kjo shënon dështimin e një përpjekjeje tjetër të Vuçiçit për t'u servilosur te Trump dhe për të riparuar marrëdhëniet e krisura me Uashingtonin. Për Jakshiçin, arsyetimi i kompanisë amerikane është tejet domethënës.

Mesazh personal për Vuçiçin

"Theksi u vu te fakti se ky veprim u bë për hir të popullit serb. Me këtë dërgohet një mesazh i qartë: 'Ne mendojmë më shumë për atë që do të ndodhë me popullin serb dhe si e përjeton ai këtë, sesa qeveria e tij që mendon vetëm për efektet e Kullës Trump'. Ky është një mesazh i drejtpërdrejtë dhe fyes për Vuçiçin. Amerikanët po i tregojnë se ata kujdesen më shumë për faktin që qytetarët serbë kundërshtojnë shembjen e Shtabit të Përgjithshëm, sesa ai vetë. Kjo është ironia e gjithë situatës," vlerëson Jakshiç.

Analisti nuk ka dyshim se ky mesazh nga ana tjetër e Atlantikut përputhet plotësisht me rrjedhën e fundit të marrëdhënieve SHBA-Serbi. Ai kujton se ato u dëmtuan rëndë nga sjellja e Vuçiçit në maj të këtij viti, kur tentoi të hynte në konventën e Republikanëve në Florida.

Fiasko në Florida

Presidenti serb vizitoi SHBA-në në pranverë, por u kthye papritur pas vetëm dy ditësh, gjoja për arsye shëndetësore. Sipas burimeve jozyrtare, Vuçiç priste të takonte Trumpin në Florida, por kjo nuk ndodhi.

Vizita ishte e mbuluar me mister dhe jashtë protokolleve shtetërore, pasi bëhej fjalë për një tubim ku nuk parashikoheshin delegacione të huaja. Madje u përfol se stafi i Trumpit ia kishte ndaluar hyrjen Vuçiçit.

"Përshtypja ime është se Donald Trump nuk dëshiron ta shohë më me sy Aleksandar Vuçiçin. Duket se Vuçiç i ka luajtur bixhoz dhe i ka humbur shanset me Trumpin, ashtu siç po i humb me Moskën dhe Bashkimin Evropian," thekson Jakshiç.

Ai paralajmëron se amerikanët nuk e falin faktin që Vuçiç u përpoq t'i përfshinte në aferat e tij korruptive të brendshme. Shteti serb kishte garantuar me kontratë se toka e dhënë dhëndrit të Trumpit ishte e pastër nga çdo proces gjyqësor, ndërkohë që realiteti ishte krejt ndryshe.

"Vuçiç do që t'i gënjejë amerikanët siç na gënjen neve"

Në terren, provat tregonin të kundërtën: hetime për falsifikimin e vendimit të qeverisë, protesta qytetare dhe akuza ndaj zyrtarëve.

"Ai është mësuar të premtojë kudo, të mos i mbajë premtimet dhe thjesht të gënjejë. Por kur premton diçka në marrëdhëniet diplomatike, sidomos me amerikanët, dhe nuk e realizon, atëherë paguan gjobën. Aty nuk ka falje. Vuçiç u përpoq të transferonte modelin e sjelljes së brendshme në politikën e jashtme dhe mori menjëherë një shuplakë," thotë Jakshiç.

I mbylli dyert vetes te Trumpi

Sipas analistit, Vuçiç ia ka mbyllur vetes dyert te Donald Trump. Mesazhi i amerikanëve është se ata nuk janë kundër popullit serb, por po ndëshkojnë atë që ishte "investitori dhe punëdhënësi" i këtij pazari me Shtabin e Përgjithshëm – pra, Vuçiçin.

Jakshiç vlerëson se Vuçiç ndoshta kishte dikur pak kapital te Trump, por e shkatërroi vetë atë, duke filluar që nga viti 2016.

"Le të kujtojmë zgjedhjet amerikane të vitit 2016, kur ai shkoi dhe pagoi dy milionë dollarë në Fondacionin Clinton. Një njeri me ego si Trump, sigurisht që nuk e ka harruar këtë, pavarësisht se më vonë mediat e Vuçiçit e glorifikuan Trumpin. Që atëherë ishte e qartë për Trumpin se me kë ka të bëjë: Një moment bën pazare me Clintonët, momentin tjetër mbështet Trumpin. Pra, Vuçiç ka kohë që ka treguar se është një partner i pabesueshëm, e lëre më aleat," përfundon Jakshiç.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat