Molliqaj i ashpër me Abdixhikun, përmend zgjedhjen e presidentit

Aktuale

Molliqaj i ashpër me Abdixhikun, përmend zgjedhjen e presidentit

Më: 2 shkurt 2026 Në ora: 19:49
Dardan Molliqaj

Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka reaguar ndaj zhvillimeve në Kuvendin e Punës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku Lumir Abdixhiku arriti t’i mbijetojë mocionit të mosbesimit dhe të vazhdojë mandatin në krye të partisë.

Molliqaj ka qenë kritik ndaj qasjes që, sipas tij, po konsolidohet brenda LDK-së pas këtij kuvendi, duke vlerësuar se vendimet e marra e zhvendosin partinë nga roli opozitar drejt një pozite nënshtruese ndaj pushtetit. Ai ka deklaruar se mënyra se si Abdixhiku e siguroi votëbesimin, pa ballafaqim real dhe pa alternativë serioze, e shndërron LDK-në në atë që e quajti “patericë të pushtetit”, duke humbur autonominë politike dhe misionin opozitar.

Sipas Molliqajt, kjo u konfirmua menjëherë pas kuvendit, kur Abdixhiku, siç tha ai, ofroi shërbimin e parë politik, duke shprehur gatishmërinë për të ndihmuar shumicën qeverisëse në procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit. Kjo, sipas kreut të PSD-së, tregon se votëbesimi i marrë nuk ishte për riformatim të partisë apo për ballafaqim me pushtetin, por për afrim dhe bashkëpunim pragmatik, që i shkon për shtat qeverisë aktuale.

Molliqaj ka theksuar se një opozitë e vërtetë nuk mund të ndërtohet duke shpëtuar karrigen e kryetarit, por duke ndërtuar qëndrime të qarta politike dhe duke u përballur me pushtetin në interes të qytetarëve. Në të kundërtën, ai paralajmëroi se LDK-ja rrezikon të humbasë edhe më tej besimin e elektoratit të saj tradicional, duke u perceptuar si shtojcë e pushtetit, e jo si alternativë qeverisëse.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat