Kryeministri në detyrë, Albin Kurti së bashku me anetarë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë bërë homazhe tek varrezat kryesore në Prishtinë, me rastin e 19-vjetorit të vrasjes së Arben Xheladinit.
Dy aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Xheladini dhe Mon Balaj, u vranë më 10 shkurt të vitit 2007 nga Policia rumune e UNMIK-ut, derisa protestonin kundër negociatave të Kosovës me Serbinë dhe Pakos së Ahtisaarit,
Derisa mijëra protestues kundërshtonin pakon e Ahtisarit, protesta eskaloi në momentin që janë hequr rrethojat e vendosura në mes të sheshit. Ishte policia e rumune e UNMIK-ut, ajo që reagoi në mënyrë të dhunshme me ç’rast janë përdorur edhe armë vdekjeprurëse.
Përveç vrasjes së dy aktivistëve, kishe edhe shumë të plagosur. Ndërkohë, lotsjellësi që është përdorur nuk ishte parë asnjëherë. Madje, erërat e lotsjellësit nuk u hoqën për pesë ditë nëpër sheshet e Prishtinës.
KMDLNj ka kërkuar drejtësi për viktimat e 10 shkurtit, si dhe ka kërkuar që viktimat e Arben Xheladini dhe Mon Balaj të pranohen si viktima politike, të rehabilitohen dhe ta fitojnë statusin e merituar, ndërsa, familjet e tyre të fitojnë të drejtën që e gëzojnë familjet e viktimave civile të luftës.
KMDLNj ka reaguar edhe për të plagosurit e kësaj proteste, duke thënë se duhet të kompensohen moralisht dhe materialisht, në përputhje me ligjin.