Qeveria miraton disa projektligje kyçe – Kurti: Po ndalojmë abuzimet me çmimet dhe mbrojmë qytetarët

Aktuale

Qeveria miraton disa projektligje kyçe – Kurti: Po ndalojmë abuzimet me çmimet dhe mbrojmë qytetarët

Më: 3 prill 2026 Në ora: 07:33 Përditësuar në ora: 11:13 më 03.04.2026
Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës miraton projektligjin për çmimet tavan dhe atë për sigurimet shëndetësore

Kabineti i kryeministrit Albin Kurti i ka kaluar të premten projektligjet për çmimet tavan dhe për sigurimet e detyrueshme shëndetësore, të cilat duhet të dërgohen në Kuvendin e Kosovës për miratim para se të bëhen ligje.

Kjo është një përpjekje e re e Kurtit për t’i fuqizuar këto dy ligje, pasi Gjykata Kushtetuese ia kishte rrëzuar që të dyja gjatë mandatit të kaluar katërvjeçar.

Projektligji për çmimet tavan, i njohur si projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit të tregut, vjen po ashtu në një kohë kur rritja e madhe e çmimit të karburanteve në vend ka nxitur frikën për rritje zinxhir të çmimeve, sidomos atyre bazike.

Vetëm brenda pak javësh, çmimi i një litri naftë në pikat e karburanteve në Kosovë ka arritur deri në 1.79 euro, krahasuar me 1.33 euro sa ishte më 3 mars, tri ditë pas nisjes së sulmeve nga SHBA-ja dhe Izraeli kundër Iranit.

Duke folur në mbledhjen e kabinetit të tij për këtë projektligj, Kurti tha: “Po e sjellim për miratim këtë projektligj, i cili vjen si përgjigje e domosdoshme ndaj një realiteti e përvoje që qytetarët tanë e kanë përjetuar: rritje të papritura të çmimeve, paqartësi në treg dhe mungesë e mekanizmave për mbrojtje”.

Projektligji vendos një baraspeshë të domosdoshme ndërmjet funksionimit të lirë të tregut dhe përgjegjësisë së shtetit për ta mbrojtur interesin publik në situata të jashtëzakonshme, sipas Kurtit.

Ligji për çmimet tavan ishte shpallur i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2023, kur gjykata kishte theksuar se ai nuk ishte në përputhje me Kushtetutën e vendit.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari – Lila, tha gjatë paraqitjes së projektligjit tha se në hartimin e tij e ka marrë parasysh rekomandimet e Kushtetueses.

Ajo tha se projektligji i ri përcakton dy lloje të masave të përkohshme: caktimin e marzhës tregtare për shitje me shumicë dhe pakicë, si dhe caktimin e çmimit maksimal të lejuar për produktet bazë.

Ligji i kaluar, tashmë i shpallur i pavlefshëm, i cilësonte produkte themelore: drithërat, bukën, miellin, orizin, pastat, vajin ushqimor të lulediellit, qumështin, kripën e kuzhinës, vezët e pulës, mishin e pulës, sheqerin kristalor, produktet e higjienës personale dhe lëndët e drurit për djegie.

Ekzekutivi miraton marrëveshjen për bashkëpunim ushtarak dhe financiar me Turqinë

Qeveria “Kurti 3” ka miratuar sot në mbledhjen e radhës nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Bashkëpunimit Financiar dhe Ushtarak ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

Nisma përfaqësohet nga Ministria e Mbrojtjes e Kosovës dhe Ministria e Mbrojtjes së Turqisë.

Lidhur me këtë fjalën në mbledhje e mori ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, i cili theksoi rëndësinë e nismës për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërqeveritar dhe të fushës së mbrojtjes.

“Duke pasur parasysh se aprovimi i kësaj nisme është shumë i rëndësishëm, edhe për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes Qeverisë së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Republikës së Turqisë, kërkojmë të miratohet”, tha mes tjerash Maqedonci.

Kurti e propozon projektligjin për çmimet tavan, thotë se po e mbrojnë lirinë e tregut nga abuzimi

Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë tha se po i risjellin për miratim projektligjet për çmimet tavan dhe atë për sigurime shëndetësore.

Kjo, pasi Gjykata Kushtetuese i kishte shfuqizuar.

“Po e risjellim për miratim këtë projektligj që vjen si përgjigje e domosdoshme ndaj një realiteti e përvoje që qytetarët tonë e kanë përjetuar. Rritje të papritura të çmimeve, paqartësi në treg dhe mungesë e mekanizmave për mbrojtje e ruajtje. Me këtë ligj ne nuk po hyjmë në tregun e lirë, por përkundrazi po e mbrojmë lirinë e tregut nga abuzimi. Ky projektligj vendos një balancë të domosdoshme ndërmjet funksionimit të lirë të tregut dhe përgjegjësisë së shtetit për të mbrojtur interesin publik në situata të jashtëzakonshme”, tha ai.

Kurti po ashtu tha se me “qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës do të konkretizohet me miratimin e projektligjit për sigurim shëndetësor”.

“Po e risjellim edhe një ligj jetik për shëndetin e qytetarëve dhe shëndetësinë publike. Edhe ky ligj po ashtu ka qenë i sfiduar nga opozita në Kushtetuese. Sot në rend dite e kemi edhe projektligjin për sigurime shëndetësore”.

Gjykata Kushtetuese e kishte shpallë antikushtetues ligjin për çmimet tavan për produktet bazë, i cili ishte dërguar në gjykatë nga deputetë të opozitës.

Votohet në qeveri Projektligji për masat për produktet bazë në treg të destabilizuar

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, është votuar Projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.

Gjatë prezantimit të këtij projektligji, ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari, tha se për masa të përkohshme të rregullimit të çmimeve parashikohet themelimi i një bordi të pavarur, i cili do të emërohet nga Kuvendit dhe do t’i raportojë atij.

Projektligji u votua në Qeveri.

Miratohet nga Qeveria projektligji për Sigurime Shëndetësore

Qeveria e Kosovës ka miratuar sot sigurimin e detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka folur për këtë projektligj, duke e cilësuar atë si një nga nismat më të rëndësishme për të ardhmen e shëndetësisë në vend.

“Një nga inciativat më të rëndësishme për të ardhmen e shëndetësisë në vendin tonë, projektligjin për sigurimin detyrueshëm në kujdesin shëndetësor, është me rëndësi të veçantë. Ky ligj vjen pas një periudhe të gjatë diskutimesh, janë analizuar me kujdes sfidat që ka sistemi ynë shëndetësor, janë studiuar praktikat ndërkombëtare për të krijuar një ligj që i përgjigjet nevojave të qytetarëve tanë, dhe një ligj që do jetë i zbatueshëm për realitetin tonë ekonomik dhe social. Pas mbi 10 vjetësh, ky projektligj përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një sistemi të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të sigurimeve shëndetësore”.

“Me këtë ligj themelohet fondi i sigurimit detyrues shëndetësor të Republikës së Kosovës. Funksioni dhe financimi i këtij fondi, me projektligjin për sigurimin detyrues të kujdesit shëndetësor, do të rregullojë çështjet si në vijim: ky ligj e përfshin gjithë popullatën, duke siguruar qasje universale në shërbimet shëndetësore, si dhe ngritjen e cilësisë. Ky ligj krijon bazë për zhvillimin e mekanizmave të financimit në sistemin shëndetësor, mbulimin universal të shëndetit dhe të zvogëlojë varfërinë dhe pabarazinë të shkaktuar nga shërbimet shëndetësore, duke siguruar qasje universale për të gjithë banorët”, tha ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. 

​Kurti: Do të parandalohen fitimet e pajustifikuara në kurriz të qytetarëve

Do të parandalohen fitimet e pajustifikuara në kurriz të qytetarëve, tha kryeministri Albin Kurti, duke prezantuar Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.

Kreu qeveritar, në fjalimin e tij në mbledhjen e qeverisë të premten, e konsideroi të domosdoshme hyrjen në fuqi të këtij ligji për të evituar keqpërdorimet në emër të krizave të vazhdueshme dhe rritjen artificiale të çmimit, në raste të krizave globale.

Kurti: Do të parandalohen fitimet e pajustifikuara në kurriz të qytetarëve

“Ja ku jemi me kriza të reja në sfond global që tash këto kriza e prekin xhepin e qytetarëve tanë. Andaj po e risjellim këtë projektligj që vjen si përgjigje e domosdoshme ndaj një realiteti dhe përvoje që qytetarët tanë e kanë përjetuar. Rritje të papritura të çmimeve, paqartësi në treg dhe mungesë e mekanizmave efektivë për mbrojtje dhe ruajtje. Me këtë ligj ne nuk po hyjmë në tregun e lirë, por përkundrazi po e mbrojmë lirinë e tregut nga abuzimi. Ky projektligj vendos një balancë të domosdoshme ndërmjet funksionimit të lirë të tregut dhe përgjegjësisë së shtetit për të mbrojtur interesin publik në situata të jashtëzakonshme. Ai krijon instrumente të qarta për ndërhyrje të përkohshme të bazuar në fakte, duke shmangur deformimet afatgjata të tregut. Ky ligj garanton furnizimin dhe çmime të përballueshme për produktet bazë në kohë krize. Parandalon spekulimet dhe fitimet e pajustifikuara në kurriz të qytetarëve. Më tej siguron reagim të shpejtë institucional kur tregu destabilizohet. Për herë të parë krijojmë mekanizmin e pavarur, bordin që vendos mbi bazën e të dhënave dhe interesit publik dhe kurrsesi mbi interesa të ngushta. Shtetet e BE-së kanë mekanizma të tillë”, tha ai.

Kurti shtoi se që prej ardhjes në pushtet në vitin 2020 e më pas në vitin 2021 janë përballur me kriza globale që kanë afektuar edhe qytetarët e Kosovës.

Kurti: Jemi përballur me sfida të mëdha globale

“Jemi përballur me sfida të mëdha globale. Sfida këto që kanë vendosur në situata të rënda edhe vende të zhvilluara. Por ajo që mund të them me bindjen e plotë është se secilës prej këtyre sfidave iu kemi përgjigjur për së mbari, me seriozitet dhe sinqeritet. Kemi ndihmuar secilën kategori shoqërore, natyrisht ata që kanë më së shumti nevojë”, shtoi Kurti.

Krahas kësaj, Kurti tha se në mbledhjen e sotme do të miratohet edhe Projektligji për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor.

Kurti: Synojmë që njerëzit në nevojë të kenë mbrojtje më të mirë sociale

“Synojmë që njerëzit në nevojë të kenë mbrojtje më të mirë sociale, duke ndikuar në uljen e varfërisë dhe të pabarazive. Ky projektligj krijon një mekanizëm të drejtë solidariteti shoqëror ku secili kontribuon sipas mundësisë dhe përfiton sipas nevojës, duke e bërë sistemin më gjithëpërfshirës dhe më të drejtë”, theksoi Kurti.

Mblidhet qeveria Kurti 3 – shqyrton masat për produktet bazë

Qeveria e Kosovës do të mbajë mbledhje ditën e sotme, rreth një orë e gjysmë para se të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit.

Pikërisht, në këtë mbledhje, ekzekutivi pritet të shqyrtojë projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.

Një ligj i tillë në mandatin e shkuar, për çmimet tavan, ishte rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.

Si pasojë e situatës në Lindjen e Mesme, që nga shkurti edhe në Kosovë ka nisur shtrenjtimi i naftës dhe i disa produkteve tjera.

Në rend dite, në mbledhjen e Qeverisë janë edhe disa pika të tjera.

Ndërkohë, sa i përket rritjes së çmimit të naftës, sot, edhe Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë të jashtëzakonshme, e thirur nga LDK-ja, por e mbështetur edhe nga PDK-ja dhe AAK-ja.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat