Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se deputetët e partisë së tij nuk do të marrin pjesë në seancën e jashtëzakonshme për çështjen e presidentit e cila pritet të nis në orën 19:00.
Haradinaj para gazetarëve deklaroi se si parti janë përjashtuar prej bashkëpunimit për të gjetur zgjidhje në këtë drejtim.
Haradinaj: Nuk jemi pjesë e seancës, lëvizje pa marrëveshje
“Ne realisht na kanë përjashtuar prej bashkëpunimit për të gjetur një zgjidhje. Ndoshta sikur të kishim qenë pjesë e procesit nga fillimi ndoshta kishim mundur me i ndihmuar, ajo që është me rëndësi është të mos vazhdohet me shkelje të Kushtetutës e votimit pa kuorum, sepse e çon vendin në drejtim të rrezikshëm.... Nuk jemi pjesë e seancës. Kjo është lëvizje pa konsultë, pa dakordim, pa marrëveshje”, tha ai.
I pyetur se a i dëgjoi kritikat e kryeministrit, Albin Kurti që i drejtoi opozitës gjatë një konference për medie që ai mbajti sot, kreu i AAK-së tha se ka kohë që nuk i sheh fjalimet e shefit të ekzekutivit kosovar.
Edhe 5 orë kalon afati kushtetuese për zgjedhjen e presidentit të vendit. Nëse nuk ka zgjidhje të kësaj çështjeje vendi shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Kandidate për presidente janë Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.