LDK nis fushatën, Abdixhiku me premtime të mëdha për pagat

Aktuale

LDK nis fushatën, Abdixhiku me premtime të mëdha për pagat

Më: 28 maj 2026 Në ora: 18:34 Përditësuar në ora: 19:52 më 28.05.2026
Lumir Abdixhiku/ Vjosa Osmani

LDK premton investime milionëshe

Në zemër të kryeqytetit, Lidhja Demokratike e Kosovës hapi zyrtarisht fushatën elektorale, duke prezantuar vizionin dhe angazhimin e saj qeverisës.

Kandidati për kryeministër nga ky subjekt politik, Lumir Abdixhiku, u shpreh i bindur se Prishtina dhe e gjithë Kosova meritojnë institucione funksionale, transparente dhe politika që adresojnë nevojat reale të qytetarëve.

Ai me këtë rast premtoi investime milionëshe, rritje të shtesave për fëmijë, punësim për të rinj dhe investime kapitale.

“Ne do të jemi në krah të familjes. Ne do të ofrojmë 200 euro për të porsalindur, shtesa mujore deri në moshën 16-vjeçare dhe dyfishim të pensioneve, dhe nuk do të ketë pensione nën 300 euro. Ne vijmë me ekonomi e prodhim që krijon vende pune dhe do ta bëjmë republikën tonë vend të investimeve strategjike që do të gjenerojë mbi 20 mijë vende pune brenda mandatit tonë. Për çdo të diplomuar do të ofrojmë 500 euro mbështetje dhe punësim për të rinjtë. Mësuesi do të ketë pagë 1000 euro, polici, ushtari, zjarrfikësi dhe mjeku 900 euro pagën bazë dhe ky mbetet premtimi ynë. 5 miliardë euro investime kapitale në rrugë, hekurudha, ujë e kanalizim dhe infrastrukturë që lidh anë e mbanë Kosovës”, tha ai.

Kandidatja për presidente nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani, tha se po nis këtë rrugëtim për të qenë të bashkuar për një Kosovë më të zhvilluar dhe më të fortë se kurrë.

“Rugovistë të përbetuar dhe popull i dashur i Republikës, po e nisim këtë rrugë më të bashkuar dhe më të fortë se kurrë dhe me besim të pakthyeshëm në familje dhe shtet. Po lidhim besën, duke u betuar se këtë shtet që e kemi amanet do ta zhvillojmë edhe më shumë. Me Lumirin dhe me secilin prej jush jemi bashkë për një Kosovë më të fortë dhe më të pathyeshme që ecën me rininë e saj dhe me guximin që askush nuk do t’ia ndalë hapin”, tha Osmani.

LDK prezantoi edhe kandidatët për deputetë nga radhët e saj, duke nënvizuar se bëhet fjalë për një ekip të përkushtuar, i cili do të angazhohet për përfaqësimin e drejtë të qytetarëve dhe adresimin e kërkesave të tyre në mënyrë efektive.

Abdixhiku premton ndërtimin e centralit me gaz amerikan: 500 megavat energji për Kosovën

Lidhja Demokratike e Kosovës ka hapur fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 7 qershorit në Prishtinë.

Në fjalën e tij Abdixhiku u shpreh se do të ndërtohet centralin i ri me gaz, edhe atë gaz amerikan.

“Do ta ndërtojmë centralin e ri me gaz, edhe atë gaz amerikan – 500 megavat energji për Kosovën”, ka thënë Abdixhiku.

Kjo sipas tij do të bëhet për mos t’i djegur 1 milionë euro duke importuar energji.

“Që Kosova të mos jetojë më me krizë artificiale energjetike, por me siguri energjetike. Dhe më lejoni të jap një zotim publik sot. Se çmimet e rrymës nuk do të rriten në mandatin tonë! Moratorium i plotë për tre vite”, tha Abdixhiku në tubimin hapës të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Vjosa Osmani: Kosova nuk mund ta humbasë të ardhmen nga përçarja politike

Lidhja Demokratike e Kosovës ka nisur fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 7 Qershorit.

Në fjalimin e saj Osmani paralajmëroi se vendi po hyn në një moment vendimtar historik.

“Një popull që ka fituar lirinë kundër të gjitha gjasave nuk mund ta humbasë të ardhmen nga përçarja politike”, deklaroi ajo.

Në fjalimin e saj, Osmani kritikoi ashpër politikën që prodhon konflikte të përhershme dhe “armiq imagjinarë”, ndërsa prezantoi vizionin e saj për një Kosovë që fokusohet te zhvillimi ekonomik, arsimi dhe integrimi ndërkombëtar.

“Nuk ka asgjë heroike në izolim. Nuk ka asgjë patriotike në prishjen e miqësive”, tha ajo.

Ajo e vendosi theksin edhe te nevoja për rikthimin e besimit qytetar te shteti dhe institucionet, duke thënë se Kosova duhet të dalë nga “politika e lodhjes kolektive”.

Në një pjesë të fjalimit që u interpretua si kritikë direkte ndaj qeverisjes aktuale, Osmani tha se qytetarët do të zgjedhin më 7 qershor “mes kaosit dhe maturisë, mes konfliktit dhe ndërtimit”.

Ajo u ndal veçanërisht te largimi i të rinjve nga vendi, duke e cilësuar emigrimin masiv si një alarm kombëtar.

“Kur rinia e sheh aeroportin si shpëtim, shteti duhet të reflektojë”, deklaroi ajo.

Përkrahësit e saj e pritën me duartrokitje të gjata pjesën ku Osmani tha se “Kosova nuk ndërtohet me ndarje rajonale”, por si një republikë e përbashkët dhe sovrane.

Në fund, ajo i bëri thirrje elektoratit të bashkohet rreth një projekti politik që “e rikthen Kosovën në rrugën e saj natyrshme: perëndimore, demokratike dhe të respektuar”.

​Abdixhiku premton: Mësuesi pagën 1000 euro, ndërsa polici, ushtari, infermieri e zjarrfikësi nga 900 euro

LDK-ja është e bashkuar dhe e gatshme për sfidat politike që e presin vendin, tha kandidati i LDK-së për kryeministër Lumir Abdixhiku në tubimin e kësaj partie në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.

Në hapje zyrtare të fushatës për zgjedhjet e 7 qershorit, Abdixhiku kritikoi edhe qasjen e qeverisë aktuale ndaj qytetarëve, duke ironizuar me ndihmat financiare prej 100 eurosh të ndara nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Abdixhiku para mijëra simpatizantëve ka prezantuar vizionin dhe mesazhet kryesore.

Abdixhiku: "A duhet të rrish këtu, apo do të ikësh nga këtu?"

"A duhet të rrish këtu, apo do të ikësh nga këtu?". Dhe kjo është plagë, është plagë kombëtare sepse një vend nuk humbet vetëm kur është i varfër, një vend humbet kur zbehet besimi, kur njerëzit fillojnë mendojnë se asgjë nuk ndryshon më, kur shpresa zëvendësohet me cinizëm, kur propaganda bëhet më e fortë se puna, kur zhurma bëhet më e madhe se rezultati, kur përçarja shitet si patriotizëm e kriza si mjet i ekzistencës. Një vend humbet kur mësohet me pak, ne nuk duam të mësohemi me pak. Një vend humbet kur një popull krenar i kërkohet t'ju bindet, kur qytetarëve u kërkohet knaqësia me ndihma të përkohshme, një qind eurosh, në vend të mundësive të përhershme, kur ambicia për zhvillim zëvendësohet me menaxhim varfërie, kur frika nga rreziqet e brendshme bëhet mbyllje e vetë kohës. “, u shpreh Abdixhiku.

Ai po ashtu ironizoi edhe me deklaratat e mëhershme të Kurtit për flamurin e Kosovës.

Abdixhiku: Me flamurin e Republikës në gjoks, që për të nuk është objekt lara-lara, por identiteti i tij

“Kosovën e vërtetë e gjej mes njerëzve të Kosovës, mes popullit tonë, e kemi parë gjithandej, e kam parë në sytë e një vajze të vogël që më thotë se dëshiron të bëhet shkencëtare këtu, në vendin e saj, jo, jo diku tjetër, sepse për këtë në Kosovë, vendin më të bukur në botë. E kam parë dhe te ky djalë i ri që stërvitet çdo ditë në borë e në shi, me një ëndërr të madhe para vetes, që një ditë në hapat e Manit e të tjerëve ta përfaqësojë Kosovën tonë në arenën ndërkombëtare me flamurin e Republikës në gjoks, me atë flamur që për të nuk është objekt lara-lara, por është identiteti i tij, është sakrifica e prindërve të tij”, tha Abdixhiku.

Abdixhiku premtoi 200 euro në muaj për fëmijët e posalindur, dyfishim të pensioneve dhe pagën 1000 euro për mësuesit.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër tha se programin e tyre kanë vendosur që ta fillojnë me familjen, aty ku sipas tij dhemb më së shumti.

Abdixhiku: Do t’i bëjmë 200 euro në muaj për çdo të posalindur dhe dyfishim të pensioneve

“Dhe ne kemi vendosur të fillojmë aty ku dhemb më së shumti, tek familja kosovare sepse nuk ka republikë të fortë me familje të pasigurta, nuk ka ekonomi të zhvilluar kur cdoo ditë zgjohet me ankthin për muajin tjetër apo pret lëmoshë nga një politikan para zgjedhjeve. Nuk ka shpresë për të ardhmen kur nëna e re e ndjen se është vetëm, kur pensionisti ndjehet si barrë, kur fëmija rritet pa mbështetjen që i takon. Prandaj ne do të bëjmë shtetin krah të familjes. Me Ministrinë e Familjes, me 200 euro në muaj për cdo të posalindur përplot një vit, ky është zotimi ynë i parë në këtë fushatë”, tha Abdixhiku.

Ai premtoi shtesa për fëmijë për cdo muaj deri në moshën 16 vjecare dhe me dyfishim të pensioneve duke mos lënë kështu asnjë pension nën shumën 300 euro.

Abdixhiku: Shtesat nuk do të jenë më lëmoshë elektorale, madje do të rriten

“Një republikë serioze nuk e lë askënd prapa. Shtesat, përfitimet, beneficionet nuk do të jenë më lëmoshë elektorale, jo ato nuk do të ndalen, do të jepen madje do të rriten dhe do të garantohen me ligj si siguri e përhershme jo si blerje elektorale”, shtoi ai.

Më tej, kreu i kësaj partie theksoi se do të sjell investitorë për krijimin e më shumë vendeve të punës.

Abdixhiku: Mësuesi pagën 1000 euro, polici, ushtari, infermieri, zjarrfikësi nga 900 euro

“Mësuesi i Kosovës do të ketë pagën 1000 euro në qeverisjen tonë, polici, ushtari, infermieri, zjarrfikësi do të kenë 900 euro në muaj, koeficienti 150 për mbi 80 mijë punëtorë publik mbetet punëtori ynë”, tha ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat